Rumi: Pse vallë po qan e vajton…

rumi poezi per observerkult

Dëgjoje ti zërin e fyellit, pse vallë po qan e vajton,
Për dertet e ndarjeve tona, lëndimet e kohës që shkon.

Kur hyri bariu kallamishtes dhe preu në mes drurin tim,
Psherëtimat dhe lotët u derdhën dhe brenda u fsheh dëshpërim.

Me buzë të dredhur nga malli, plot zjarr do t’i bie gjithmonë,
Që afshin pa fund dashuror në zemra të ndez me jehonë.

Mërguar në dheun e largët, te vatër e huaj po rri,
Njeriu i dbuar fatzi, pas natës pret ditën q’u gdhi.

Fatzinj e të lumtur dëgjojnë si bie me gaz e trishtim,
Ky fyelli im ndanë vatrës me tinguj plot mall, përgjërim.

Kushdo që dëgjoi zërin tim, fatkeq a i lumtur njeri
Në shpirtin e fsheht’ e të shenjtë s’ka hyrë dot gjer më tani.

Si trupi me shpirtin ësht’shkrirë kuptimi që mbaj unë në gji,
Po prapë njeriu zemërngrirë, të fshehtat e shpirtit s’i di.

*****

Rënkimi i fyellit është flakë, nuk është er’e lehtë pranverore,
Kush mbetet i ftohtë ndaj flakës, s’e ndjen këtë këngë madhështore.

E ndezur nga afshi i flakës, në shpirt dashuria këndon,
Si zjarri që ngrihet prej verës së shenjtë kur vlon e lodron.

Kushdo që ka humbur një mik, muzikën e fyellit e do,
Dhe helm, kundërhelm i magjishëm së toku njësohen kudo.

Në të janë këngët e dhimbjes nga vdekja e shokut larguar,
Në të është rrëfimi i Mexhnunit, Lejlasë së shkretë dashuruar.

Afroju këtu pranë meje, ti rrofsh çmenduri dashurie,
Dhe krahët e tua ti shtriji në shpirtin që ndrit ngrohtësie.

Në preksha unë buzët e tua, ashtu si dhe fyellin tim,
Do derdh tërë jetën dhe shpirtin, në këngët e mi pambarim.

Përgatiti: Dalan Shapllo

*Titulli i origjinalit: “Kënga e fyellit”

ObserverKult

—————–

Lexo edhe:

RUMI: FILLOVA ME TË LYPË TY, PA E DITUR SE SA E PAMUNDUR ISHTE KJO PUNË