Këtë këngë së fundi e ka interpretuar Justina Aliaj. Muzika dhe teksti është bërë nga Agim Prodani dhe u këndua për herë të parë nga e paharruara Anita Take më 1963.
Me bluzën e bardhë afrohesh ngadalë
pranë djalit që shlodhet në gjumë
ti sjell rreze drite kur hyn në spital
sjell jetën që rrjedh si një lumë.
I qeshur, i dashur, i ëmbël ti flet
pamposhtur qëndron në shtrëngatë
për të ardhmen e ndritur ku jeta thërret
ti lodhje s’ndien ditë as natë.
Për zemrën dhe ndjenjat fisnike
për duart e arta që ke
me mirënjohje ty të kujtojmë
për ty këndojmë ne.
Ti vjen si një dritë që ëmbël agon
dy sy po të presin plot shpresë
me vdekjen mizore ti ashpër lufton
që foshnje e pafajshme të mos vdesë.
Kur sytë e qeshur zgjohen pastaj
dhe vdekja largohet trishtuar
një nënë puth foshnjen për shpirtin e saj
dhe ty të mendon e gëzuar.
Me punën fisnike ti zemrat pushton
sa njerez që ti ke shpëtuar
Ndaj kënga e ime për ty sot jehon
ti je si një zjarr i pashuar.
Historia e këngës
Në marsin e vitit 1963 Anita Take po luftonte me vdekjen, ndërsa përpiqej të sillte në jetë fëmijën e saj ta parë. Pacientja ndiqej nga profesor Gliozheni, por meqë ai ishte tepër i zënë me pacientet e shumtë , për yllin e këngës shqiptare u kujdes një mjek i ri specializant nga Peshkopia që quhej Rahim Gjika që më vonë u bë një nga ikonat e gjinekologjisë shqiptare.
“Natë e ditë te koka e pacientes së tij të famshme, që po përjetonte një lindje tepër të vështirë me rrezikun e jetës për veten dhe beben që kishte në bark.
Fati e solli që djali i çiftit të artistëve të vinte në jetë në duart e mjekut të ri dibran” kishte shkruar Artan Gjyzel Hasani.
Se këtë këngë i është kushtuar Rahim Gjikës e kishte bëri të ditur vetë Agim Prodani.
“Doktor Rahimi, “Kënga e Mjekut” të është kushtuar ty në shenjë mirënjohjeje për atë sakrificë disa mujore tënden të koka e Anitës që përfundoi me lindje normale dhe shpëtuan të dy jetët. Është dhurata më e vogël që mund të të bëja, por nuk mund ta bëj publik këtë dedikim, për arsye se do të ndjehej keq profesor Gliozheni, dhe ku i dihet, mund të na dalë ndonjë telash në këto momente të vështira që po kalon im vëlla.”
E përgatiti: A.S. – ObserverKult
Lexo edhe: