Dekorata “Nderi i Kombit” për prof. Petrit Radovickën, pas vdekjes

 Presidenti i Republikës vlerësoi sot gjatë një ceremonie të zhvilluar në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, shkencëtarin, projektuesin, drejtuesin dhe zbatuesin e veprave hidroenergjetike Profesor Petrit Radovicka (pas vdekjes) me dekoratën “Nderi i Kombit”.

Presidenti Meta i akordoi titullin e lartë shkencëtarit Radovicka, me motivacionin: “Për kontributin e tij si shkencëtar, projektues, drejtues e zbatues i veprave më të rëndësishme të hidroenergjetikës së vendit; personalitet me merita të jashtëzakonshme në themelimin dhe drejtimin e institucioneve më të larta të dijes dhe shkencës; simbol dhe përfaqësues i disa brezave të intelektualëve shqiptarë; që ndërtuan vepra të mëdha; hartues i skemës së sistemit unik energjetik të Shqipërisë dhe ideator e realizues i skemës së shfrytëzimit optimal të burimeve ujore të Shqipërisë, si dhe përfaqësues i denjë i shtetit shqiptar në organizata dhe institucione shkencore ndërkombëtare”.

Në fjalën e tij, Meta tha se  “profesor Petrit Radovicka është ndoshta figura më e rëndësishme e inxhinierisë energjetike dhe hidroenergjetike të Shqipërisë. Nën drejtimin e tij janë ndërtuar të gjitha hidrocentralet e mesme dhe të mëdhenj të vendit, që nga ai i Lanabregasit, dy hidrocentralet e Bistricës, ai i Shkopetit dhe Ulzës, etj.

“Petrit Radovickës i takon autorësia e projektimit të kryeveprës shkencore hidroenergjetike të vendit tonë, që përfshin skemën e shfrytëzimit optimal të kaskadës së Drinit. Pjesë e kësaj skeme të hartuar prej tij, dhe të mbështetur në parimet e saj janë dhe hidrocentrali i Ashtës dhe projekti i hidrocentralit të Skavicës. Rezultat i drejtpërdrejtë i kësaj kryevepre shkencore është ndërtimi i tre hidrocentraleve më të mëdhenj të vendit tonë si hidrocentrali i Vaut të Dejës, i Komanit dhe ai i Fierzës. Fuqia e tre hidrocentraleve të ndërtuar në kaskadën e lumit Drin është e tillë që përfaqëson rreth 95% të fuqisë energjetike të instaluar deri në vitin 1990”. Sistemi unik energjetik i vendit është i lidhur drejtpërsëdrejti me meritat dhe kontributet e tij. Akademik Petrit Radovicka ka hartuar parimet shkencore e projektuese për studimin e potencialit hidroenergjetik të Shqipërisë, por gjithashtu, akademik Petrit Radovicka është marrë me studimin e zhvillimit të energjetikës në vendin tonë, duke përpunuar dhe mbrojtur variantin parësor për ndërtimin e HEC-eve të fuqishme të kombinuara me TEC-et”, tha ai.

Po ashtu, Meta theksoi se “Petrit Radovicka mbetet një shkencëtar i niveleve ndërkombëtare, pjesëtar në mjaft konferenca ndërkombëtare, i cili me kontributet e tij ka përfaqësuar me shumë dinjitet vendin tonë në kongrese ndërkombëtare të anëtarësimit si në Qendrën Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore, në Organizatën Botërore të Shkencës, në Organizatën Botërore të Digave të Mëdha dhe në shumë institucione të tjera”./atsh