Nga Elona Zhana
“Bëj pjesë tek ata që konsiderojnë që të hysh në një libër është gjithmonë më e lehtë kur shkrimtari është gjenial, që është një shkrimtar i madh dhe që është një shkrimtar i vertetë. Ju nuk jeni as gjeniale, as e madhe dhe as e vërtete ! Ja problemi që kam me ju.” Ky është një nga ato momentet e sikletshme ku nuk do të doje të ishe në vendin e asaj që po i thuhen këto gjëra. Autori i replikës është Yann Moix, gjatë emisonit ONPC (nuk kemi rënë për të fjetur) dhe ajo në vendin e të cilës nuk do të donim të ishim është Diane Ducret.
Fatkeqësisht për mua, i përkas edhe unë të njetit soj si Moix, së paku për pjesën e parë të asaj çfarë ai afirmon. (Jam relativisht më e nuancuar për pjesën që lidhet me Diane Ducret!) Për lexuesit Yann Moix është, mes të tjerash, shkrimtar francez një nga top 10-shi i më të shiturve të epokës sonë. Për mua, Moix është ilustrimi tipik i shprehjes se Margaret Atwood : “Të duash të njohësh një autor sepse të pëlqen vepra e tij, është njëlloj si të duash të takosh rosën sepse të pëlqen foie-gras.” Për lexuesin gjithmonë, ONPC është një emision i një shikueshmërie të lartë të kanalit televiziv francez France 2 dhe Diane Ducret është po ashtu një shkrimtare sa e suksesshme aq edhe bukuroshe belgo-franceze.
Mu kujtua Yann Moix sepse romani për të cilin do të flas “Dëmtuar gjatë rrugës” i B. Mustafait ka si personazh kryesor nënën. Dhe libri i fundit i Yann Moix-it i cili desh i kushtoi karrierën, është një libër autobiografik në të cilën autori i paraqet prindërit e tij si diabolizues dhe të pashpirtë. Diane Ducret mu kujtua sepse libri i parë që e bëri të famshme është “Gratë e Diktatorëve” dhe është në periudhën e diktaturës që romani i Mustafait i zhvillon ngjarjet.
E megjithë faktin që Musatafai e kalon filtrin e parë për mua sipas Moix-it; homo politicus-it brenda meje, të cilit nuk i ka dalë ende inati qëkur Mastafai ka braktisur politikën ku ai përbënte ndryshimin, në favor të letësisë, ma ka shtyrë takimin me “Dëmtuar gjatë rrugës” gjer tani. Detaj kohor; librin e kam marrë gjatë panairit të Tiranës ku kisha shkuar kryesisht për të marrë këtë roman.
Që në rrjeshtat e parë jam unë kësaj radhe që e mar inat homo politikus-in për shtyrjen e takimit. Intriga e romanit: Nëna e autorit, një grua e re shtëpiake që nuk ka kërkuar asgjë, thirret një ditë në zyrë nga Sekretari i Parë, njeriu më i fuqishëm i rrethit, dhe i besohet një mision që përbën sekret shtetëror. Misioni është: një palë opinga për Hrushovin. Menjëherë hyjmë në sferën e paranojës. Asgjë nuk është e sigurtë, asgjë nuk është e qartë, duart e padukshme që tisin e enden fijet e fateve njërëzore janë krejtësisht të paparashikueshme ndaj duhet bërë kujdes. Opingat e shndërrojnë nënën e autorit nga shtëpiake në Shoqen S. një figurë të re të politikës së rethit, një yll në ngjitje. Por Hrushovi nuk ja vonon dhe kalon në kampin e tradhëtarëve gjë që thellon friken dhe/ose paranojën e Shoqes S.
Libri është i shkruar me një stil efikas. Fjalori i përdorur është i zgjedhur me kujdes për të orientuar vëmendjen e lexuesit. Përshkrimi nuk është i ngarkuar me figura letrare por me fjalë të drejtpërdejta bëhet portretizimi i personazheve dhe krijohet dekori ku ngjarjet rrjedhin gati natyrshëm njëherë që kemi hyrë në brendësi të leximit. Autori i kushton rëndësi analizës por kujdeset në të njëjtën kohë të lërë hapësirë për botën e lexuesit. Edhe pse leximi është i rrjedhshëm, libri është mjaft kompleks. Serioziteti i Mustafait në punën e tij krijuese nuk është më gjë që duhet vërtetuar, por mbapa librit duket që ka edhe një punë të tërë dokumentimi.
Mua si ndjekëse e krijimtarisë së Mustafait më këtë libër mu duk që autori ka kaluar në një fazë tjetër të artit të tij. Në atë fazën ku njëherë që jemi zhveshur nga komplekset, normat dhe presioni i pritshmërisë së tregut (shumë !) të vështirë të librit, autori shkruan me kënaqësinë që të sjell liria.
“Dëmtuar gjatë rrugës” është një udhëtim me nota shumë realiste për në absurditet. Dhe është një udhëtim me fund të lumtur. Vetëm Mustafai dhe sensi i tij i ekuilibrit mund të bënte të bashkjetojnë në një roman këto koncepte që përjashtojnë gati-gati kategorikisht njëri-tjetrin. Romani është, mes të tjerash, edhe një thirrje për të bërë kujdes kundër rreziqeve që u rrinë mbi kokë shoqërive që e lënë vetën të udhëheqen nga frika dhe nga nostagjia e një gjoja “epoke të artë.” “Dëmtuar gjatë rrugës” nuk është thjesht një histori.” Dëmtuar gjatë rrugës” është vet historia e absurditetit dhe paranojës së viteve të regjimit totalitar shqiptar./ ObserverKult