Sejdo Harka
Dhërmiu, kjo perlë e rrallë e Rivierës shqiptare, është një nga dhuratat më të bukura që vetë Zoti e ka gdhendur me duart e tij magjike, jo vetëm për banorët e këtyre anëve, por dhe për gjithë Shqipërinë. Moria e kodrave plot lugje, përrenj e shkëmbinj të thepisur, që bien pingul mbi dallgët thinjoshe të Jonit, mbi të cilat sundojnë Qafa e Llogarasë dhe maja e Çikës, i japin peizazhit të këtyre anëve një bukuri të rrallë. Prej këtej sheh si në pëllëmbën e dorës pafundësinë e detit dhe të pyjeve, shtëpitë karakteristike, resortet moderne dhe rrugët e gurta plot zik-zake që lartësohen si bedena kështjellash, të cilat së largu duken sikur notojnë në një det të gjelbërt dhe i japin këtij fshati, pamjen e një mozaiku shumëngjyrësh.
…nëpër gjurmët e historisë
Dhërmiu është një nga fshatrat më të bukur të krahinës së Himarës. Këtë e pohojnë edhe vizitorët e huaj. “Ky fshat,- shkruan poeti i madh romak, Horaci, – shtrihet buzë detit Jon, në shpatet e Akrokerauneve, mes gjelbërimit të ullinjëve dhe agrumeve të shumta”. Ndërsa udhëtari anglez, Lir, gjatë udhëtimit mespërmes Himarës shkruan se, Dhërmiu është një nga vendet më të madhërishme që kishte parë nga këto anë, i cili i ngjante shumë me Amantien. Ai shtrihet buzë plazhit mahnitës, me gjatësi prej më shumë se 5 km, që përfundon në këmbët e një kodre shkëmbore, ku ngrihet madhështor manastiri i “ShënTheodhorit”. Fshati përbëhet prej 3 lagjesh: Kondraqi (Kallami), Gjileku e Dhërmiu, që është dhe lagjia më e madhe, me emrin e së cilës është pagëzuar gjithë fshati. Ai ndodhet rreth 210 km larg Tiranës dhe 50 km nga Vlora. Për etimologjinë e emrit të këtij fshati, ka disa mendime. Disa e lidhin me kuptimin e fjalës greke “drimadhes”(dushk), meqë në këtë zonë ka pasur shumë lisa. Ndërsa të tjerë e shpjegojnë me kuptimin e fjalës greke “dhromo”( udhë), meqë ky fshat shtrihet buzë së rrugës për në Himarë e Sarandë. Sipas historiografisë së sotme, fshtarat e krahinës së Himarës janë banuar nga fisi Epiriot i Kaonëve. Por koha e themelimit të tyre ende mbetet nën rrënojat e historisë së lashtë. Dihet se Filipi i Maqedonisë, në vitin 214 p.e.s, sulmoi Himarën. Ndërsa Jul Cezari, në betejat kundër Pompeut, duke kaluar përmes Dhërmiut dhe Palasës, për t’u dhënë kurajë banorëvë të këtyre anëve, u drejtohet me fjlaët: “Mos u frikësoni nga pushtuesit, sepse me jetën tuaj, është i lidhur ngushtë edhe fati i Cezarit”. Nga fillimi i viteve 904 p.e.s, krahina e Himarës sundohet nga Bullgarët, ndërsa rreth viteve 1370, thuhet se nipi i Gjin Bu Shpatit (kryezot i Artës), u vendos në Dhërmi. Në ato kohëra Himara ishte një amazonë e vërtetë. Pas vdekjes së Skënderbeut fshatrat e kësaj krahine u bënë objekt pushtimi nga të huajt, por me rezistencën e fortë të trimave himariotë, me në krye të birin e Skënderbeut, mundën ta mbanin Himarën si pjesë të pandarë të trojeve arbërore. Ndërsa më vonë ajo do të shpallet krahinë autonome nga Porta e Lartë, por e detyruar të pagonte një shumë të madhe frangash. Prej asaj kohe himariotët nuk mundi t’i nënshtronte dot as Sulejmani i Tretë. I vetmi sundimtar që mundi ta nështrojë Himarën, ishte Ali Pasha (1797). Trimat e rrallë të këtyre anëve, siç ishin suliotët dhe himariotët, dhanë një kotribut të çmuar edhe për pavarësinë e Greqisë. Është kjo arsyeja që Bajroni,në poemën e tij të famshme “ Çajld Harold”, shkruante: “Të bijtë e Himarës (shqipes) që s’falin as mikun/Si mund të lënë të gjallë armikun…”. Pas pavarësisë, fshatrat e krahinës së Himarës u përfshinë përfundimisht në trojet e shtetit shqiptar. Ndërsa, pas copëtimit të Shqipërisë nga fuqitë e mëdha, krahina e Himarës, nga që nuk e pranoi kurrë shtypjen dhe ankesimin nga të huajt, në vitin 1914 shpalli përsëri autonominë, e cila u thellua më tej në vitin 1927, kur kryepleqësia e saj përgatiti dhe firmosi me qeverinë e kohës “Protokollin e Himarës”, ku shënoheshin privilegjet dhe detyrimet e banorëve të kësaj krahine. Në shkollat e kësaj krahine, që në vitin 1930, krahas greqishtes, nisi të mësohej edhe gjuha shqipe. Në të dyja luftrat boëtrore, banorët e kësaj zone, kanë mbajtur anën e luftës së drejtë për liri e pavarësi, edhe pse propaganda shoviniste e vëllavrasëse, ka synuar aneksimin e këtyre trojeve autoktone shqiptare. Gjatë Luftës Çlirimtare ata u rreshtuan në çetat dhe batalionet e Brigadës së XII Sulmuese. Për të mos rënë pre e operacioneve pushtuese, shumë nga banorët e Dhërmiut janë shpërngulur në Vlorë, Durrës, Shkodër dhe Tiranë. Gjuha zyrtare e banorëve të këtyre anëve ka qënë shqipja. Por ata përdorin mirë edhe greqishten dhe gjuhë të tjera të botës. Mësimi dhe përdorimi i greqishtes së vjetër në këtë krahinë është shpjeguar në mënyra të ndryshme. Disa mendojnë se arsyja kryesore është se shumë banorë të kësaj krahine kanë origjinë greke. Ndërsa të tjerë mendojnë se gjuha greke, në banorët e këtyre anëve, ka hyrë si pasojë e shpërnguljes së detyruar të tyre, në trojet dhe ishujt e Greqisë, për t’u mbrojur nga dyndjet turke dhe si nevojë e domosdoshme për bashkëpunim e tregëti me fqinjët. Në sektorin e bujqësisë, për shkak se Dhërmiu është një vend shkëmbor, me toka të limituara, vendin kryesor e kanë zënë ullinjtë, portokallet, hurmat, fiqtë, hardhitë dhe nespullat, të cilat e zhysin fshatin në një gjelbërim të përhershëm. Zhvillimi ekonomiko-social i Dhërmiut është i hershëm. Këtë e dëshmon edhe anglezi Eduart Liri, i cili, në vizitën që i bën Dhërmiut në vitin 1948, shkruan: “Qytetërimi i këtij fshati të Himarës është më i lartë se në pjesët e tjera të Shqipërsië”. Ky fshat ka patur shkollë në gjuhën greke që në vitin 1629 dhe mjekë të përgatitur në shkollat e larta të botës. Që në kohët e hershme, banorët e këtij fshati kanë patur karave, kaike dhe varka me një velë, me të cilët ata lidheshin me botën dhe bënin tregëti. Në këtë fshat ka patur dhe 16 mullinj me ujë,ku bluanin drithërat fshatrat e të gjithë krahinës. Për ta ruajtur këtë fakt të gjallë në kujtesën e njerëzve, aty, nën fshatin muzeal, në një përrua të thellë,është ndërtuar kompleksi memorial i mullinjëve. Burimi kryesor i zhvillimit ekonomik të kësaj zone ka qenë tregtia e qitrove cilësore dhe agrumeve, të cilat thitheshin me shumicë nga çifutët dhe polakët. Në këto anë,edhe para çlirimit, qarkullonin mbi 60 makina. Ndërsa emigracioni dhe kurbeti në shumë vende të botës,si në Greqi, SHBA, Francë dhe Australi, për ta ka qënë,jo vetëm burim fitimi e zhvillimi, por edhe një udhë e gjatë zhgënjimesh dhe tragjedish të dhimbshme, që i ka shoqëruar tërë jetën. Dhërmiu ishte një nga fshtarat e fundit që bëri kolektivizimin në këto anë. Banorët e këtyre anëve tregojnë me dhimbje se, kooperativat, për të çelur toka të reja buke, dëmtuan, jo vetëm pyjet me lisa, por dhe parcelat me ullinj e agrume. Një vend të rëndësishëm për ekonominë e atyre viteve, zinin lëndet e lisave, që pushtonin shpatet e maleve dhe kodrave, të cilat përdoreshin në industrinë kimike të kohës. Kushtet e vështira dhe varfëria ekonomike e banorëve të këtyre anëve, i detyronte të largoheshin drejt qyteteve të tjera. Profesionet kryesore të tyre ishin “shofer” dhe “xhenerik”. Shumë djem të këtyre anëve mbaruan shkolla të larta dhe u bënë specialistë dhe kuadro të zotë. Pas viteve 90, shumica e banorëve emigroi në Greqi, SHBA dhe në shumë vende të Europës. Njerëzit që mbetën aty, iu përkushtuan turizmit, i cili këto vite do të bëhej burimi kryesor i të ardhurave të tyre. Filloi ndërtimi i shtëpive dhe rrugëve,resorteve dhe vilave luksoze, plazheve dhe pedonaleve, që frekuentohen nga mijëra pushues që vijnë nga shumë qytete dhe vende të botës. Shumë banorë të Dhërmiut, si Dhimitër Daflla dhe djali i tij, Aleksandri, jo vetëm të çelin dyert e shtëpisë së tyre për të pushuar, por dhe të presin si mik të rrallë, duke të gostitur me frutat më të mira të kopshtit të tyre dhe të shëtisin me makinën e tyre, për të shijuar bukuritë e rralla të fshatit.
Besimi i banorëve të këtyre anëve, është kryesisht ortodoks. Vetëm Dhërmiu ka rreth 30 objekte kulti: manastire, kisha dhe kishëza lagjesh. Kishat me afresket më të vjetëra, që datojnë në shekullin e XII janë kisha e “Shën Stefanit” dhe e “Shën Mitrit”, ndërsa dy nga kishat më të vizituara, janë ajo e “Shën Hrallambit” dhe e “Shën Spiridhonit”. Në këtë zonë ekzistojnë edhe 3 manastire me një veprimtari dhe moshë të hershme. Banorët e Dhëmiut, krahas “Krishtlindjeve” dhe “Ujit të Bekuar”, festojnë me madhështi edhe “15 Gushtin”, ditën e “Shën Marisë”, ku vijnë të gjithë dhërmiasit, sado larg që të punojnë dhe banojnë.
Resurset atraktive turistike, dhurata më e bukur e Zotit
Deti dhe resurset e tjera atraktive turistike janë dhuratat më të bukura që Zoti ka bërë për banorët e këtyre anëve. Kisha kaluar dhe here të tjera mespërmes kësaj krahine, kisha pushuar në plazhin e Himarës, por fjalët më të mira i kisha dëgjuar për resurset dhe plazhin e mrekullueshëm të Dhërmiut. Prandaj, këtë vit vendosëm familjarisht, që pushimet t’i bënim mes mrekullive të plazhit të kësaj qyteze piktoreske. Për të mënjanuar lodhjen e bezdinë e vapës së gushtit, udhëtimin e bëmë natën. Sapo filluam të ngjitnim Qafën e Llogarasë, nisëm të ndjenim një frymëmarrje tjetër, që buronte nga pozicioni i latë gjeografik i vendit, por veçanerisht nga pafundësia e pyjeve me pisha, bredha e lisa dhe aroma e këndshme e luleve të natës,që rriten e kundërmojnë në këto anë. Sapo u futëm në lokalin e rrallë të mikut tonë Sofo Llogaraja, edhe pse është mesi i gushtit, për një çast ndjemë drithërimat e një dimiri të vogël. Pasi shijuam mrekullitë e menysë së pasur të këtij lokali, vjen i zoti i lokalit, Sofo Llogoraja me pjatat mbushur me ëmbëlsirën karakteristike të këtyre anëve, që mbante aromën e luleve dhe shijen e mjaltit, me të cilën ai e ka bërë zakon të presë dhe përcjellë shokët dhe miqtë e tij të shumtë. Dhërmiu, edhe pse, siç këndon populli i këtyre anëve, është: “Mal përpjetë dhe poshtë dallgë”, ka një bukuri të rrallë. Sapo ngjitesh në Qafën e Llogarasë, të bie në sy pafundësia detit dhe madhështia e maleve dhe pyjeve, shtëpitë karakteritike të fshatit, që mezi duken nga pemët e dendura dhe rrugët plot kthesa, të cilët së largu u ngjajnë brazdave të një ugari të sapo çarë, zinxhirët e makinave që rendin duke gulçuar, mjetet e lundrimit që vozitin si të dehura mbi dallgët e shkumëzuara, njerëzit që derdhen drejt plazhit, apo punëve të tyre të përditshme. Këtu, çdo gjë, edhe malet e gurët, edhe deti e drurët, kanë ngjyrën e ylberit dhe erën e luleve. Këtë bukuri të rrallë natyrore e plotësojnë plazhet e bukura dhe resurset e rralla atraktive. Aty, buzë detit, në shezlonet e plazhit, shijon kthjelltësinë e kristaltë të ujit të pastër, aq sa të vjen ta pish në kupë, bukurinë e rrallë të gadishullit të Karaburunit, i cili është cilësuar si “perla e Rivierës shqiptare”, shijon bukurinë e ndërtimeve të reja, pedonalen e shtruar me gurë të skalitur, pemët e mbjella buzë detit, erën e këndshme të kafesë që ndan me të afërmit, miqtë dhe shokët, shijon gatimet e shumëllojta me peshk e prodhime të tjera deti dhe bukurinë mahnitëse të perëndimit të diellit, i cili në ato çaste i ngjan një lëmshi të zjarrtë, që së largu, duket sikur zhtytet dalëngadalë në thellësitë e detit, për t’u shlodhur, që të nesërmen të shfaqet më i zjarrtë. Por ato që ia rritin më tej vlerat këtij vendi të begatë, janë alervat e rralla si, ”Shpella e Piratëve”, e cila është bërë e famshme, jo vetëm përmes librit të Petro Markos, por dhe nga filmi i kinostudios “Shqipëria sot”, me të njëjtin emër. Për këtë shpellë të rrallë ka shkruar edhe Homeri, mes të cilave ai thekson se, ajo është vendosur në thellësitë e shkëbinjve që kanë ngjyrën e verës. Vlerat e kësaj shpelle qëndrojnë, jo vetëm tek bukuria mahnitëse, por edhe sepse ajo ruan të gjalla gjurmët e Mesjetës. Edhe “Gjiri i Gjipesë” është një resurs me vlera të papërsëritshme, sepse ai dallohet për rërën e pastër. Ndërsa “Gjiri i Gramës”, që ndodhet në veri të Dhërmiut e Palasës, është i pasur me shumë mbishkrime në gjuhën ilire. Siç duket, emri i këtij gjiri buron nga fjala “gramë”, me që aty gjenden shumë mbishkrime e simbole ilire, gjë që vërtetojn origjinën dhe vazhdimësinë atutoktone shqiptare të trojeveve dhe banorëve të këtyre anëve. Këto vende mahnitëse vizitohen nga pushuesit e shumtë që vinë nga të katër anët e vendit dhe të botës, edhe nga deti,edhe nga toka. Por, banorët e këtyre anëve dhe vizitorët e pushuesit e shumtë, kanë dhe vërejtjet e tyre për mbrojtjen dhe zhvillimin mëtejshëm të bukurive natyrore dhe njerëzore të këtij vendi. Pushuesit emigrantë kosovarë Albani dhe Elmiri, kanë vite që lënë plazhet e Shtutgardit për të shijuar resurset dhe bukuritë e plazhit të Dhërmiut. Megjithatë, thonë ata, ne kemi dhe vërejtjet tona. E shohim që këtu gati çdo vit bëhen investime e ndërtime të reja, por jo gjithnjë cilësore dhe në kohën dhe vendin e duhur. Rrugët janë të ngushta. Edhe pse ka shumë burime ujore natyrore, mungon uji cilësor i pijshëm në disa shtëpi e lagje të fshatit. Ndërsa çmimet sa vjen dhe bëhen më të kripura. Aq më keq, kur marrin vesh se vjen nga jashtë vendit. Në këtë zonë, edhe pse ka shumë vlera kulturore e atdhetare, gjatë verës nuk gjen asnjë muze, a qendër kulturore që të transmentojnë tek pushuesit vlerat dhe traditat e pasura të krahinës dhe të fshatit. Lindi, një nga maturantët më të mirë të gjimnazit “Faik Konica” të Tiranës, që e gjetëm duke lexuar një libër, të cilin e kishte marë nga shtëpia, thotë se, këtu mud të gjesh çdo gjë tjetër, përveç muzeumeve, librarive dhe biblotekave, të cilat janë aq të domosdoshme për të gjithë pushuesit, por veçanrisht për ne brezin e ri.
Dhërmiu, në kujtimet e trishta të Petro Markos
Në vendin tonë, zor se gjen njerëz që nuk dinë diçka për luftëtarin internacionalist të Spanjës dhe shkrimtarin tonë të madh Petro Marko. Krahas bëmave plot sakrifica e vuajtje dhe krijimtarisë së gjerë e cilësore artistike, ai ka lënë dhe një libër me kujtime, të kompozuar në formën e një interviste me vetveten dhe të vërtetën, me një titull, sa metaforik, aq dhe të trishtë “Gurët dhe retë”. Për t’i bërë këto kujtime sa më tërheqëse dhe prekëse, ai, herë i drejtohet Petros së ri dhe herë Petros plak. Kisha dëgjuar se në qendër të Dhërmiut, atje ku ndodhet “Shtëpia muze” e Petro Markos, ishte ngritur dhe busti i këtij shkrimtari të madh, që e kam adhuruar tërë jetën. Prandaj, në një nga ditët e pushimeve, shkova ta shihja nga afër. Aty, jashtë oborrit të shtëpisë së tij, ku ai lindi dhe u rrit, para portës së saj, mbyllur me një lesë druri, vendosur pa ndonjë bazament të dukshëm, mbi zhavor, pranë një rrapi shekullor, preka me dorë bustin e idhullit tim të shkrimtarisë. Në ato çaste, me vështrimin e tij të trishtë, si atëherë, kur e përndiqnin dhe izolonin, m’u duk sikur belbëzoi: “Kam kohë që s’shoh njeri të kalojë këndej…Edhe pse qëndroj gjithë ditën në zhegun e vapës së gushtit,ndjej drithërimat e ngricave të dimrit …”. Shtëpia muze, thonë banorët e fshatit, ka kohë që s`funksionon, prandaj askush nuk vjen ta vizitojë atë. Në këtë moment, si në një ekran magjik, më shfaqen përpara kujtimet, sa të bukura, aq dhe të trishta të Petro Markos, që ka lënë në librin “Intervistë me veten dhe të vërtetën”, të cilin e nis me vargjet memoriale: “O kujtime/o jeta ime/Dilni andej nga jeni hedhur e grumbulluar/Dilni, ashtu siç u regjistruat në shpirtin tim/Tani ju dua”. Dhe i pari kujtim që atij i buron natyrshëm nga shpirti, është tregimi rrënqethës i gjyshes së tij, Milla, për fatin e mërgimtarëve të këtyre anëve: “Thonë se gurët e mëdhenj, atje jashtë/në Shqipëri /janë burrat e kthyer/dhe kanë vdekur në vend.Po të jesh trim/zemërbardhë e po të shkosh andej natën,/I dëgjon të dëftejnë historinë e tyre./Po të jesh frikacak e zemërlig,nuk i dëgjon dot. Kurse ata burra që kanë vdekur në kurbet,janë bërë re…/Vijnë, qajnë dhe ikin si im shoq. Dhe mbi spitharët më poshtë, afër bregut,/mblidhen lotët e tyre,siç mblidhet ujët e shiut”.(526) Ndërsa më poshtë, ajo statujë e menduar, duket sikur kërkon të zbrazë kujtimet e tij të trishta. Kishte vite që mendonte që këtë tregimim rrënqethës të gjyshes, ta kthente në roman, me titullin “Gurët dhe retë”, por nuk mundi ta përfundonte dot kurrë. Me gjithë atë, fjalën e dhënë para gjyshes e mbajti si burrat. Petro Marko, nuk u tjetërsua kurrë në re, por mbeti një gur i përjetshëm në vendlindjen e tij. Para se të kthehej në atdhe, nga Lufta e Spanjës, u vu përballë dy alternativash: Të zgjidhte, ose litarin, ose tradhëtinë. Përgjigja e tij ishte e prerë: “Më mirë litarin se tradhëtinë”. Ai zgjodhi të kthehej në një gur stërralli, në Atdheun e tij. Vetëm kur u ktheva në vendin tim, tregon Petro Marko, e kuptova se si lindin gonxhet e jetës së lirë, sepse këtu kam jetën dhe varrin. Dhërmiu, për të ishte llogorja e ëndrrave dhe gëzimeve, e derteve dhe trishtimeve. Sa vura këmbën tek pragu i shtëpisë sime, vazhdon ai, m’u kujtuan vargjet e poetit të këtyre anëve, Nase Beni: “Shtatë fshatra, radhë janë/ama trima kapedanë!/Trima,sa përball’dyfekut,/gjoksin i trgojn’dovletit”. I tillë trim ishte dhe kapedani Jani Kaconi, nipi Marko Boçarit. Petro Marko me fluturimin e tij mbi male, dete dhe horizonte,guxoi të prekte edhe retë, por kurrë nuk u kthye në re. Ai mbeti një gur i rëndë në trojet e veta, ashtu siç kishte dhe emrin. U kthye, për të gëzuar lirinë e agimeve të bardha të Dhërmiut piktoresk. Por, si për ironi të fatit, ai që e desh aq shumë lirinë dhe luftoi për të, pa kursyer as jetën, përzhitet përmes luftrash,f urtunash, burgimesh, përndjekjesh dhe interrnimesh të njëpasnhëshme,që s`mbaruan kurrë. Trishtimi dhe ëndrrart e tij të madha, lexohen qartë edhe në vargjet e tij brilante: “Rrëmbemë,o dallgë e bukur si pirati/dhe më bashko me kapedanë trima,zemërdelfina/të shpejtë si vetëtima./Te hulli e jetës,ku na shkruhet fati./Të derdhem,o dallgë,të hidhem në erë./Të shoh dhe unë një ditë pranverë.(527).Unë, tregon P. Marko, rrjedh nga një familje,që në Dhërmi quhet “Bua”. Shekuj më parë, në këto troje, erdhi për të banuar nipi i luftëtarit të Skënderbeut,Gjin Bue Shpata. Me kohë,ai u bë një lagje e madhe,brenda së cilës,deri vonë,nuk bëheshin lidhje martesore.Në vitin 1914,në këto anë,erdhën andartët,të cilët,jo vetëm dogjën vranë e plaçkitën,por nxitën edhe vëllavrasjen.Ekstremistët e Spiro Miles,thirrën në pritë dhe vranë pabesisht Andrea Markon(xhaxhanë e Petros),se gjoja i kishte shitur dukatasit tek të huajët.Tashti, sipas zakonit, Markot e Dhërmiut,duhet të mernin gjakun. Por,kjo nuk ndodhi kurrë, sepse ata e kuptuan lojën e vëllavrasësve. E para gjë që bëra,kur u riktheva në Dhërmi, tregon P.Marko, pajtova dukatasit me familjarët e mi. Në takimin që bëmë për faljen e gjakut,mes lotëve dhe përqafimeve, ja morëm së bashku këngës me vargjet kuptimplote:”Ç’është kështu,ç’po dëgjojmë/qaj medet,o Vlora jonë./italjanët po zbarkojnë. Me pamporë e me ballonë./Qaj medet,o Vlora jonë”, këngë që u bë kushtrim, për të rrëmbyer pushkën kundër opushtuesëve italianë. Aty, vazhdon Petro Marko, na u ndez gjaku e shpata për të bërë betimin e madh: “Përsëri pushtuesit do t’i hedhim në det, si në vitin 1920”. Kësaj thirrjeje për liri, iu përgjigjën njëzëri shumë djem të këtyre anëve, të cilët mbushën radhët e Brigadës së Xll. S. Kur erdhën italianët, kuvendi i pleqëve të Dhërmiut, u tha atyre: “Armët nuk jua japim,se me to do të mbrojmë trojet,jetën dhe nderin tonë”. Përsëri,ishin ekstremistët grekomanë, ata që synonin të zhduknin Marko Janin,me akuzën se gjoja ai kshte armë të fshehura dhe bashkëpunonte me austriakët. Prandaj e arrestuan për ta syrgjynosur në burgjet e frikshme të Ustikës. Nga qelitë e atyre burgjeve të tmerrshme, ai i shkruante me dhimbje familjes së tij: “Ju, mos mendoni për mua, por për veten tuaj. Punoni tokat dhe vdisni mbi to”. Mendimi konstant i Petro Markos ka qënë se banorët dhe trojet e krahinës së Himarës kanë qenë dhe do të mbeten shqiptare. Për arsyet e përdorimit masiv të greqishtes së vjetër nga banorët e këtyre anëve,ai mbështet mendimin e historiografisë shqiptare, të cituar më lartë. Por, ai theksonon se, një nga shkaqet e tjera kryesore, që banorët e këtyre fshatrave përdorin masivisht greqishten, ka qenë propaganda e shfrenuar e grupeve ekstremiste vorioepiriste, që nëpërmjet deziformimit, kanë synuar të shtrembërojnë të vërtetën mbi autoktoninë shqiptare të trojeve, gjuhës dhe banorëve të kë tyre anëve. Të tillë ekstremistë, ishin dhe kapedanët e S.Miles, të cilët vinin në shtëpinë tonë,dhe për të na bërë për vete, na thoshin se gjoja xhaxhai ynë, Andrea Marko, ishte vrarë për Janinën dhe Himarën. Por, thekson P.Marko, ne e dinim mirë, se rrënjët e burimit të gjakut dhe të gjuhës sonë janë shqipëtare.
Petro Marko, njeriu që nuk do të kursente asgjë për vendlindjen dhe trojet e tij, erdhi një ditë e keqe, e majit të vitit 1947, që do të niste kalvarin e burgimeve, përndjekjeve dhe interrnimeve të gjata. E quajtën sabotator dhe spiun të të huajëve, për të vetmin faj se kishte bërë humor me disa policë të paditur të regjimit monist të atyre viteve.Për këtë,i kishin vajtur në mes të natës në shtëpi, e kishin lidhur këmbë e duar, për ta përplasur në qelitë e errëta, si “armik të popullit”. Në atë birucë të akullt, tregon ai, më varën tek dritarja, me zinxhirin e rëndë në qafë, që më bënte t’i ngjaja atllasit, i cili mbante mbi shpinë globin e mundimeve, aq sa më dukej vetja si në zjarr e furtunë. Një ditë, ç’të shihja? Vërvitën brenda birucës një skelet si Gandi, të zhveshur pothuajse fare, kockë e lëkurë. Mblodha gjithë forcat për ta parë më mirë, se ç’ishte ajo leckë-njeri. Pas pak, ai ngriti kokën, më pa, dhe për çudinë time tha: Edhe ti këtu zoti Marko!Unë kisha shpresë se ju do të më ndihmonit për të shpëtuar.(476). Kështu e pësuan edhe shumë atdhetarë e luftëtarë të tjerë si Petro Marko, i cili, edhe kur miq e të afërm i premtuan punë e strehim jashtë vendit, ai iu përgjigj prerë: “Do të vdes në vendin tim”. Pas dhimbjes, por dhe krenarisë së thellë që përjeton prej kujtimesh të tilla, sa të bukura, aq dhe të trishta, mrekullohesh kur, në sfondin e Teatrit të Vlorës, sheh të daltuar emrin e atdhetarit dhe shkrimtarit tone të madh Petro Marko.