Dhimitër Shuteriqi: Një pasdrekë e rrallë korçare

Profesori im i shqipes në Lice ishte njeri me kulturë të gjerë letrare dhe si do ta shihni, kishte edhe disa tipare jo të zakonshme. Po ta karakterizoje shkurt, do të thoshe që të afronte duke të larguar.

Duhet të shënoj këtu se në Liceun e Korçës, gjuhë e shkollës ishte frëngjishtja, në tërë lëndët. Programet ishin ato të liceve francezë. Shqipja mësohej si një lëndë më vehte, ashtu si dhe “gjuhët e gjalla” të tjera – Anglishtja, Gjermanishtja ose Italishtja, këto me të zgjedhur dhe vetëm njëra, shqipja disa orë më shumë se të tjerat. Mësimi i letërsisë sonë vinte në vitin e pestë. Atë vit niste dhe stilistika, të cilen e bënim shqip e jo frëngjisht.

Profesori im i shqipes, zoti Cipo, ishte i thelluar në gjuhët klasike. Ai kishte mësuar mirë Gjermanishten, për të lexuar albanologet austriake e gjermanë. Turqishtja, që kishte bërë në gjimnazin e Manastirit, e kishte ndihmuar të mësonte Persishten. I ishte vënë edhe Sanskritishtes, e nevojshme për indoevropianistikën. Frëngjishten e italishten e zotëronte me kohë.

Mësimet e tij ishin, mund të them “mësime shijeje”. I pasionuar pas gjuhësisë, ai nuk ishte më pak i pasionuar pas letërsisë. Dinte përmendsh vargje të Euripidit e Sofokliut, të Horacit e Virgjilit, të Dantes e Leopardit, të Gëtes e Hajnes, të Firdusit e Rumiut, për të mos përmendur të tjerë. Persianet na i shqipëronte me qejf, kur fliste për Naim Frashërin, të cilin e adhuronte. Dhe që të vij tek autorët tanë, ai, pas dy vjetësh që kisha zbuluar “Baba-Tomorin” më bëri ta rilexoj veprën e Çajupit e ma bëri edhe më të dashur. Kam mësuar prej tij të depërtoj në gjuhën arkaike të De Radës e në lirizmin e tij të hollë, të mos më lodhë figuracioni i ngarkuar i Darës. Mësova të shijoj te Naimi edhe vargun e strofën më të zakonshme.

Zotit Cipo nuk i mungonte shpirti kritik – përkundrazi – dhe ai shpirt kritik ishte formuar në shoqërinë e mjeshtërve të mëdhej të poezisë së Perëndimit e të Lindjes. Por ai e kishte aq të zhvilluar shijen e gjuhës, për bukurinë e pasurinë e fjalorit e të frazeologjisë – oh frazeologjia e pashoqe e Naimit, që u bë e tëra pronë e gjuhës letrare! – sa përmes tyre ne zbulonin poezinë edhe atje tek nuk pandehej, futeshim në madhështinë e shqipes, që shpaloste virtytet tingëllore dhe kuptimore.

Mos harrova përmbajtjen, “domethënien”, “kuptimin” si i thoshim ne atëherë? Mos duke e quajtur profesorin një “mjeshter shijeje”, harroj se ai ishte një edukues jo vetëm i shijes, por i shpirtit në tërësi.

Zoti Cipo ishte patriot dhe humanist. Naimet e De Radajt, me të cilët “operonte”, ishin në vetvete një shkollë mëmëdhetarie dhe njerëzie, – që të shprehem si rilindasit. Ata na pajisnin me idealet e mëdha, na kultivonin ndjenjat më të larta. Ishte shekulli Skënderbegian që na perflakte shpirtin përmes “Historisë së Skënderbeut”, “Milosaos”, “Këngës së sprasme të Balës”. – S’më falet të mos kem përmendur ende Nolin, përkrah Naimit, që na e kishte ringjallur edhe një herë tani së fundi atë shekull, që na kishte mësuar se, në ato kohë të herëshme, ne kishim pasur edhe një historian të madh, i cili meritoi admirimin e gjithë Evropes me “Historinë”» e tij të Skënderbeut, Marin Barletin, dhe, bashkë me këtë, edhe të tjerë. Le të permend pastaj “Andrrën e jetës”, me dhembshurinë për fshatin e varfër, aq sa dhe me “skalitinë” (skalitjen, mjeshtërinë) e strofës e të vargut të Mjedës, të famshmen “Elegji” të Serembes, të mbushur me klithma hareje dhe dëshpërimi; valët “levorashe” të poezisë të Lasgushit, që për mua ishte si një pllajë e kaltër ujore me kupën e qiellit mbi të.

S’ka dyshim se këto, duke u mësuar përkrah Ronsarit e Lafontenit, Kornejit e Molierit, Volterit e Didrosë, Balzakut e Zolasë, Hygoit e Verharenit me kaq të tjerë, që ne kishin nisur t’i përpinim përpara se t’i studionim në klasë, kishte rrezik t’i nënçmonim. Ndonjë përçmues nuk ka munguar për poetët tanë midis bashkënxënësve të liceut. Po “mjeshtri i shijes” ishte aty, që na ndizte aq shumë me Naimët e me De Radajt.

Shënova se prej tij kam mësuar dhe Stilistikën. Kisha nisur të hyj në të fshehtat e vargëzimit, përpara se të arrij në klasën e pestë. Ndërtoja vargje të sakta dhe strofa, gjer dhe vjersha të vështira, – ballada të tipit të Vijonit, tingëllima që donin të imitonin Dy Belejin, – “i lumturi ai, që, si Uliksi motit, bëri një udhëtim të gjatë!”. Kisha nisur të udhëtoj me Pegazin tim nëpër shtigjet e së Bukurës. Ai shkonte si nëpër re. Prapë kisha për të mësuar shumë. Dhe “mjeshtri i shijes”, kur zbërthente strofën e vargun, zbulonte vlerat e rimës e të asonancës, të cezurës e të kalesës, të një tingëllime të shkruar nga Petrarka gjashtë shekuj më parë, te një “lieder-i” të Gëtes së ri ose plak, mjeshtri them se më ndihmoi shumë që të kem besim se mund të vijoj të ndjek rrugën aq të mahnitëshme, por sa të mundimëshme të së Bukurës.

Desha të vij këtu, se kur botova libërthin tim të parë me vjersha, pas tre vjetësh që mësoja letërsinë tonë dhe stilistiken e saj, le të qenë si të qenë provat e mija vargëzuese, mua ato s’më dukeshin pa vlerë, – kuptohet, isha “tolerant” ndaj vetes, siç jemi në atë moshë, kur s’jemi dhe më pas, gjer në pleqëri ! – dhe ndjenja thellë mirënjohjen ndaj profesorit tim të shqipes.

Ai e dinte se shkruaja vjersha, sepse emëri më ishte dukur nëpër faqet e shtypit. Po profesori ishte, – siç i thoshin – “njeri më vete, bile “çeçit më vete”. I zjarrtë në klasë, ai na drejtohej të gjithëve por askujt veçanërisht, as me emër, as me sy, le të më dukej mua në të vërtetë disa herë, se me ndonjë vjershë a strofë timen e kishte, kur qëndronte në disa imtësi të poetëve tanë e të huaj. Dhe, edhe sot, me atë pështypje jam. Pra – sa i detyroja! Ai shpjegonte, merrte zjarr, po sytë i mbante në tavan, – as te dritaret, nga dukej qyteti dhe shpaloseshin malësitë! – në një tavan që s’kishte marrë sherbet gëlqereje ku ta dish që kur, që e kishte nxirë e bërë blana-blana pori që digjej tërë dimrit në klasë e me qymyrguri Drenove. Çfarë projektonte në atë tavan krejt të papërshtatshëm profesori, duke folur për aq bukuri? Ai, pa dyshim, nuk i vinte re fare shëmtinë e tavanit: ekrani i tij ishte gjetiu, larg në të lartat.

Jashtë klasës, në rrugë, me bastunin te sqetulla e majtë, me një libër a dy të e djathta, me kokën perherë lart e vështrimin e projektuar diku andej, profesori kishte një hap pothuaj të nxituar, po, në mënyrë të pashmangeshme, ai ta kthente përshëndetjen me një lëkundje koke dhe me një buzëqeshje kalimtare, – pa e kthyer kokën. Pra, kudo që ta hidhte vështrimin, në mënyrë të pashmangëshme ai të shikonte. Po këto mënyra që kishte për të komunikuar me njerzit, aq sa të afronin, të largonin, siç e thashë në fillim. Mua me topitnin.

Kurrë profesori s’më kishte thënë një fjalë për vjershat e mia, se jo një përgëzim, makar një qortim. S’i lexonte ato që botoja? Isha i sigurtë se i lexonte, siç e thashë. E dija se ishte i abonuar në shumë gazeta e revista. Njëherë që loste tavull me mjekun vjershëtor të Pogradecit, – në Pogradec, profesori i kalonte pushimet me lexime, me tavull, me shëtitje, – kur mjeku më përgëzoi për vjershën e parë që kisha botuar, në fjalët e tij kuptova se edhe profesori më kishte lexuar. Ju kam folur për këtë. Pra ai më kishte lexuar qe në “ag” të botimeve të mia.

Kisha arsye të kem droje, të kem zor, turp më shumë, t’i blatoja një copë nga libri im profesorit, t’ia jap në dorë, me dorën time. Druhesha se mos e fyeja, do t’ia dërgoja librin me postë a me dorë tjetër. Librin e bëra gati një ditë, me një kushtim të gjatë e të menduar mirë, në tërë faqen e shpinës së titullit. Por e kem mbajtur atë liber dy muaj në xhep e s’kam guxuar t’ia jap, ndonëse profesorin e hasja gati çdo ditë në rrugë. Mos kishte tani në përshëndetjen e tij – me dukej mua – një fije ngazëllimi e mirësie të veçantë, dhe si për mua. Shpejt i thosha vehtes se gabohesha.

Erdhi një ditë dhe guxova! E ndala profesorin në bulevard, gati nën statujen e Themistokli Gërmenjit, kur sapo kishte dalë nga shtëpia, që e kishte pak me poshtë. Sytë e tij shihnin diku, përpara e lart, si përherë, dhe përshëndetjen ma ktheu si përherë, të pashmangëshme.

“Ju lutem, zoti profesor, t’ju bezdis një sekondë?”

Ai ndali në çast.

“- Ç’është ai shqetësim, more djalë? – m’u drejtua, pa më vështruar. – Jo një sekondë, po dhe një orë. Jam krejt i lirë. Kam dalë për shëtitjen e pasdrekës në këtë pasdrekë të rrallë korçare plot dritë, plot ngjyra, freski, aromë malesh. Urdhëro, të lutem!”

E humba. Me dridhej pëllëmba në xhep, ku shtrëngoja pas trupit librin. E nxora më në fund atë të shkretë libër, kur profesori priste të flisja e Themistokliu më hetonte me atë sy prej bronxi në kokën e tij të menjanuar. Ia zgjata librin profesorit, me këto fjalë:

“- Kam botuar një tufëz vjershash… sprova vjershash – nxitova të korrigjohesha – E kam për nder t’ju sjell një kopje të libërthit për … për…” – dhe goja m’u zu.

Ai mori librin e qeshi me të madhe, duke nxjerrë dorën tjetër, që mbante përherë në xhep, që të shtrëngonte bastunin në sqetull. Bastuni ra, po nga xhepi doli një kopje e libërthit tim! E humba kaq shumë sa nuk u ula të ngre bastunin. Zoti Cipo u ul vetë, krejt natyrshëm, e vuri në sqetull, pasi i bashkoj të dy vëllimthet e i futi në xhep, më mori krahun e më tha:

“- E kam lexuar, e kam lexuar dhe të uroj. A shëtisim e flasim për poezi në këtë pasdreke të rrallë?” – dhe sytë e tij më vështruan tërë shkëndijim mirësie.

Kishte dy sy të kaltër./(voal.ch)