Dhori Qiriazi: Shpirti im…

dhori qiriazi

Poezi nga Dhori Qiriazi

Përse të sillesh, shpirti im, e rreptë
pa thënë fjalë, pa thënë lamtumirë?
Po ecën vjeshta e kuqe nëpër fletë
dhe lulet në mullar janë shtrirë.

Po flenë kaçubat nën mjegullën e shpeshtë,
në udhë plepat arin kanë shtruar,
ti, diku shkon me hapin tënd të lehtë,
me nje mëndim të largët, të trishtuar.

Si një ylber, mendimet të mbulojnë,
në atë vend ku ti dikur ke shkelur,
të gjitha lëndinat nga bari gjelbërojnë
dhe lulet delikate sa kanë çelur.

1965

ObserverKult

————————-

Lexo edhe:

DHORI QIRIAZI: PO, IKE TI E MË S’U PAMË…

Poezi nga Dhori Qiriazi

Një ditë të pashë, mbillje lule,
u gjenda unë atje,
t’i buzëqeshe, u përkule,
prej tyre farë më dhe.

Megjithëse  dheu ish i ftohtë,
besim prap’kishe  ti,
se s’do t’i thante gjë në botë,
as dimër, as veri.

I mbolla lulet, ato mbinë
e zunë të hedhin shtat,
megjithëse frynte suferinë,
veriu si për inat.

Po ike ti e më s’u pamë
e pas ato i le;
u rritën lulet dhe u thanë
dhe dhanë farë të re.

Dhe s’di pse fryen e rrepta erë,
i rreh dhe i shkund,
sikur kërkon diku t’i shpjerë
t’i mbjellë tjetërkund.

1959

*Titulli i origjinalit: “Lulet”

ObserverKult