
Do të vinë shira e shina të verbët
Si kolona vertikale ushtarësh dezertorë të qulltë do të vinë
Ujërat e ëmbël do të fryhen e do të pëlcasin
Do të gërryejnë themele shtëpish të shtrirë gjerë e gjatë
Bashkë me gjarprin e shtëpisë të bëjnë magjinë
E ujërat e njelmët do pushtojnë ranën e rërën
Do t’i ngopin ujë e kripë deri në vjellje
-ne do të vazhdojmë të duhemi
Pastaj do të vij acari si murator i keq
Do bëjë mure –ajri të acartë
E do na zihet fryma si nga afshi
-E ne sërish do të dashurohemi
E mbi Etnë e Vezuf do fluturojnë zemra të shkrumta
Të mjera deri në harresën e inatshme e
Krahëve të tajfuneve duke u mbajt do ikën për në zemër resh
Të marrin pak ajër të provojnë ringjalljen
E do të hapen varre e vorre
Gjithë udhët do të mbushen me zonja në të zeza
-e ne do të vazhdojmë të dashurohemi
Si drita të shkundura do të bien shumë palë sy
Si kripa e krypa në zjarr do të pëlcasin
Kur uragani mbi Murin Kinez do të përplas
Hundë e buzë do ta përplas
Të zezën e botës
Ta copëtojë pikë- pikë e rriskë-rriskë
Dita do niset sërish t’i gjej sytë e vërtetë
-e do na sheh sa duhemi