Dije Demiri- Frangu: Njerëzit edhe janë të çmendur

Dije Demiri-Frangu

Poezi nga Dije Demiri- Frangu

Njerëzit lexojnë Spinozën shëtisin parqeve me Enkidun
Tallen me vdekjen e Sokratit mureve antike ngulin sytë
Si të dashurave mërzinë amforave të lashta ju fshijnë pluhurin
Dashurohen në kokën e trupin e Afërditës të Herës i bëjnë dashnore
Në muskujt e hedhësve të shtizave dashurohen
E në ëndërr shohin statujen e Zeusit
Të gjithë e mendojnë veten aktorë të Bylisit
Leni krejt më mirë besoni se
Janë të krisur në zemër i duan mëkatet i hymnizojnë
Shumë vdesin të marrë e të evidentuar si të padijshëm
Anipse i dinë gurutë i këndojnë lirikat popullore të dashnisë
Provojnë ta shtrydhin frikën ta ndrydhin ankthin
Tërë jetën me gurin e shpresës nën gjuhë jetojnë
Këndojnë urata udhëtimeve të gjata e vdesin të padijshëm
Të mashtruar si fëmijët e kopshteve të cemtë mbesin
S’i përcjellin fluturimet e zogjve vdesin pa u bërë valë deti
besoni janë edhe budallenj, vrasin mushkonja minj fëmijë
vrasin gra me gjoksa t ‘bukur si koka e Lybotenit, këmbëdrejta si lisat e Sharrit
Njerëzit janë të çuditshëm askush s’ ju bie n ‘fije janë edhe budallenj
O sa budallenj të dashur janë disa nga ta.

*Kjo poezi e fitoi çmimin e parë “Agim Ramadani”, në “Takimet e Dom Mikel Tarabuluzit”, Stubëll, më 23. 09. 2023.

ObserverKult


Lexo edhe:

“FERMA E KAFSHËVE” E ORWELLIT, JA PSE MBETET AKTUALE