Dije Lohaj: M’i liro prangat

(fjalët e një të burgosure politike)

S’jam armike.
Jam veç një vajzë
që deshi ta thotë një fjalë
jashtë skenarit.

Nëna më pa me sytë e qelqtë
përmes dritares së hetuesisë.

Ajo s’qau.
Vetëm u zvogëlua,
derisa u bë një letër
në xhepin tim.

Fjala ime
e palarë,
e pangopur,
e pashlyer.

Më lidhnin duart
me arsyetime të mëdha,
me fjalë që unë s’i thashë kurrë.

Çdo natë
fshihesha me errësirën
si fëmija që s’mund të fle
pa nënën.

Në mur kam gdhendur një fjalë:
Më fal që besova.
Jo sistemin,
por njeriun.

M’i lësho prangat,
jo për të dalë
por për të heshtur e lirë,
në vetminë time të pastër.

Se burgosja
nuk nis te hekuri,
por kur njeriu e humb emrin
në faqen e një dosjeje.

ObserverKult

Lexo edhe:

Dije Lohaj: Qelia numër 3