(Rreth antologjisë Dikush këndon pranë nesh, me këngë popullore shqiptare të përkthyera në greqisht nga Thoma Sterjo)
(Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, botues: Ροες, Αθηνα, 2007, 360 faqe.)
Dr. Irena Gjoni
HYRJE
Dikush këndon pranë nesh, (Antologji me këngë popullore shqiptare të përkthyera në greqisht), është një botim i rëndësishëm i Shtëpisë botuese Roes Athinë, një nga më të njohurat në Greqi, që vjen si pjesë e serisë së botimeve: Poetë të Botës.
Këngët popullore shqiptare janë përzgjedhur, përkthyer, përgatitur për botim, pajisur me një parathënie e shënime sqaruese, nga Thoma Sterjo. Edhe pse ky libër është botuar që në vitin 2007, edhe pse në dijeninë tonë është i pari i këtij lloji e profili i botuar në Greqi, i cili bën të njohur në mënyrë dinjitoze folklorin shqiptar në një vend e gjuhë të huaj, përsëri ka ngelur në heshtje tek ne.
Ky libër është i destinuar për lexuesin grek dhe ka si qëllim që ta njohë këtë lexues me këtë pjesë të trashëgimisë gojore të popullit fqinj. Vetë titulli tregon jo vetëm afërsinë gjeografike midis këtyre dy popujve, por edhe afërsinë në mendësi që kanë dhënë dhe marrë kulturalisht. Një prej qëllimeve të tjera të Thoma Sterjos me këtë antologji, është edhe prishja e perceptimit të gabuar që Ballkani është parë vetëm si rajoni që prodhonte veçse histori luftërash e grindjesh pa fund mes popujve të tij, të cilët nuk reshtin së kërkuari kush primatin e sundimit mbi të tjerët e kush kufijtë e vet të futur e të ngatërruara me njëri – tjetrin si bishta salamandre.[1]
ANTOLOGJIA SI NJË URË E SHTUAR KOMUNIKIMI FQINJËSOR
Kjo antologji, është një vepër e shestuar mirë dhe e ndërtuar mbi ato kritere shkencore që do ta ndihmonin dhe do t’i shërbenin për të realizuar qëllimet e tij, duke pasur parasysh dhe lexuesit të cilit i adresohet. Ky libër, vjen edhe si një urë e shtuar komunikimi mes urave të tjera të mëparshme të kulturës, artit, letërsisë popullore apo të kultivuar mes dy fqinjëve. Dhe garancinë e themeleve të sigurta të kësaj ure, e jep në radhë të parë hartuesi i kësaj antologjie, Thoma Sterjo, si bir i minoritetit grek, i rritur midis dy traditave: asaj greke e shqiptare, duke i njohur ato me rrënjë. Këtë e tregon edhe vetë Sterjo në parathënien ku i drejtohet lexuesit grek: Këngën shqiptare e jetova që në fëmijëri. Babai im, njeri i këngës, me zë të bukur, kalonte me shumë lehtësi gjatë ahengjeve nga kënga greke, në këngën shqipe, pa krijuar asnjë parafoni për të tjerët, njerëzit e thjeshtë që e rrethonin (…). Të gjithë mbanin iso, edhe ata që dinin fare pak shqip.[2]
Hartimi i kësaj antologjie, nuk ishte as diçka rastësore, as një punë spontane e bërë në një çast a rrethanë të caktuar. Momenti i përkthimit, siç pohon Sterjo, erdhi pas një njohjeje të gjatë shumëvjeçare me këngën folklorike shqiptare, pas shumë sprovave si përkthyes i poezisë e prozës shqiptare në gjuhën greke.
Është për t’u vlerësuar fakti që kjo antologji u realizua si një nevojë e si një detyrim i brendshëm i autorit dygjuhësh që në amë, që të përpiqej për të sjellë në gjuhën greke, për lexuesin e gjuhës së tij amtare, aq sa të mundej, diçka nga trashëgimia e vyer shqiptare, e pjesës tjetër që e ndiente po kaq të tijën. Dhe në këtë kontekst, shumë sinjifikativ është detaji që pikërisht, këtë antologji në gjuhën greke, me këngë folklorike shqiptare, tia dedikojë Verës, shoqes së tij të jetës me kombësi shqiptare. Ndoshta si një simbolikë e bukur e ekzistencës së kësaj bashkëjetese të dy kulturave, traditave edhe brenda një familjeje me bashkëshortë me etni të ndryshme.
Gjithashtu, kjo antologji erdhi edhe si një kërkesë e kohës për autorin, i cili është i vetëdijshëm se këtë trashëgimi shqiptare, nuk mund ta sillte më mirë në gjuhën greke, veçse një përfaqësues që i takon brezit të fundit që u rritën në kufijtë e dy kulturave, e dy epokave, të njerëzve që jo vetëm e njohën, por edhe e jetuan këngën folklorike shqiptare. Kjo e fundit është shumë e rëndësishme, për të mos bërë thjesht një përcjellje sipërfaqësore, por për të hyrë në ashtin e këngës, me dëshirën për t’i shkuar deri në gjenezën e lindjes së saj, për të bërë të prekshme edhe perceptimet e ndjesisë, për të hyrë edhe në lojën e tingullit e muzikalitetit origjinal. Dhe po kaq i rëndësishëm për autorin është hartimi i kësaj antologjie, edhe si një trashëgimi për brezat e tjerë pas tij të etnisë së tij, të cilët me ndryshimet demokratike, me ndryshimet demografike dhe të lëvizjes së lirë, nuk janë më pjesë e qenësishme e kësaj kulture dygjuhëshe, por të integruar në kultura të ndryshme evropiane.
Për të treguar pasurinë e madhe të folklorit shqiptar, autori përmes parathënies së tij, e njeh lexuesin grek edhe me punën institucionale të ish Institutit të Folklorit gjatë viteve 1980, i cili realizoi botimin e 6 volumeve me këngë popullore shqiptare. Dhe është i ndërgjegjshëm që përballë kësaj pasurie të madhe folklorike shqiptare, këngët e kësaj antologjie në greqisht, përbëjnë vetëm një tregues të vogël të atij thesari. Edhe pse aq, ato ndihmojnë të njohin më mirë si krijimtarinë, karakterin, psikologjinë, apo ato që dëshmohen përmes kësaj letërsie gojore që rrok gjithçka si kulturën materiale e shpirtërore, historinë aq të pasur, gjuhën, doket, zakonet, traditat etno- kulturore, gjendjen ekonomiko – shoqërore, demografinë historike dhe karakterin shqiptar, apo historinë e fqinjit shekullor. Sepse siç shprehet Thimi Mitko te Bleta shqiptare: Këngët popullore kanë një vleftë, sepse në këto duket origjina, karakteri, zakonet e racës shqiptare. Nëpërmjet tyre, ai do të njohë vetveten, të kaluarën e vet heroike, përpjekjet e sakrificat e të parëve për ruajtjen e vendit e të lirisë, forcat dhe vlerat morale të kombit.[3] Dhe të gjitha këto nëpërmjet këtyre këngëve, është munduar t’i bëjë të njohura Thoma Sterjo për lexuesin grek.
STRUKTURA E ANTOLOGJISË
Libri Dikush këndon pranë nesh, nis me një parathënie të përkthyesit.
Struktura e kësaj antologjie, sipas aspektit tematik, përfshin në trajtë ciklesh: 1. Këngë të dashurisë; 2. Këngë dasme; 3. Këngë të kurbetit; 4. Këngë të komitëve; 5. Këngë të nizamëve; 6. Këngë historike; 7. Këngë të arbëreshëve të Italisë. Për t’u përmbyllur me epilogun Autobiografia e popullit tonë në në vargje nga Ismail Kadare. Gjithashtu një pjesë të madhe pas këtij epilogu në greqisht, zenë edhe të gjitha këngët popullore shqiptare në origjinal në gjuhën shqipe, duke i dhënë këtij libri, trajtën e një antologjie dygjuhëshe. Për këtë arsye është shoqëruar edhe me një CD, ku gjenden të muzikuara 16 këngë nga treva të ndryshme të Shqipërisë.
Pra, siç vihet re nga ciklet e mësipërme, ka mungesa tematike, sepse qëllimi i hartuesit të kësaj antologjie nuk është që të ketë këngë përfaqësuese për çdo klasifikim të këngëve popullore shqiptare. Nëse do flisnim për kriterin e përzgjedhjes së këngëve, dallojmë se përkthyesi u është afruar atyre që ndajnë doke e zakone të përbashkëta midis dy popujve, fate të përbashkëta, apo u referohen ngjarjeve të përbashkëta, pra duke evidentuar ndikime, apo pika kontakti për shkak të jetesës së afërt prej shekujsh.
Aty ku popujt takohen, nuk kemi vetëm fenomenin e marrje – dhënies e të ndikimeve tek njëri-tjetri. Kemi dhe qëndrime të përbashkëta për ngjarje e fenomene. Të bën përshtypje fakti se aty ku takohen, por edhe ndahen popujt, nuk ka urrejtje në këngët e tyre. Nuk po ndalem te të gjitha ciklet të cilat mund të jenë objekt i një studimi tjetër më të gjerë, por te dy prej tyre: Këngë të arbëreshëve të Italisë dhe Këngë historike.
KËNGË TË ARBËRESHËVE TË ITALISË DHE KËNGË HISTORIKE BRENDA ANTOLOGJISË
Po ndalem fillimisht te këngët e arbëreshëve të Italisë për disa arsye: 1. E para: se nga studimet e ndryshme, konsiderohen ndër krijimet më të hershme të ruajtura të letërsisë gojore shqiptare nga ato që kanë mundur të përcillen brez pas brezi. Kjo kohështrirje e ndihmon hartuesin e antologjisë që të japë për lexuesin grek zhvillimin e dinamikës së jetës shqiptare në shekuj të trajtuar përmes folklorit të tij. 2. E dyta: sepse te ky cikël këngësh arbëreshe të përzgjedhura për përkthim, përfshihen pothuajse të gjitha tematikat e cikleve të tjera të sipërpërmendura. 3. E treta: se gama gjeografike e këtyre këngëve përfshin si Arbërinë, si Greqinë, si Italinë ku u vendosën përfundimisht këto ngulime shqiptare, çka tregon edhe për një marrje- dhënie kulturalisht me të treja këto vende. Si një ilustrim për këtë lloj marrëdhënieje, vjen dhe pohimi i Eqerem Çabejt kur shkruante për poezinë e de Radës të mbështetur në folklor: Ajo, (poezia), përcjell botën e arbëreshëve të shkulur prej Shqipërisë e Moresë (Peloponezit), pra përcjell një pjesë bote ballkanike, m’u në mes të jetës latine.[4]
Këngët arbëreshe të përkthyera nga Thoma Sterjo, nisin me një këngë dashurie Bre, i biri i Fugies, ku dashuria mes të rinjve gjen kodet e komunikimit edhe në heshtje, në prezencë të nënës së vajzës. Duket sikur dashuria në tërë kuptimet e saj, shërben si ngjizje e kësaj antologjie e cila nis me ciklin e këngëve të dashurisë, ashtu si dhe vetë cikli i këngëve arbëreshe, nis po me një këngë dashurie.
Më tej, shestohet një korpus i pasur i këngëve popullore arbëreshe që përfshin si dramat familjare te kënga Erdh anija nga mezi detit, si shesh beteja luftërash në këngën Sontenith më dy or’natë, si plagët e krijuara nga ikjet e meshkujve nizamë që i linin kockat dherave të huaj e gratë e veja të reja në shtëpi te kënga Duall e bukura ndë derë, apo Ajo zonjë e reja e Gjikës. E rëndësishme te cikli arbëresh, është edhe prania e këngëve epike historike sidomos që në kohën e Skënderbeut e shekujve në vijim me pasojat pas vdekjes së tij, që me gjuhën, mendësinë e artin e popullit, sjellin kulturën, bëmat historike dhe jehonën gjatë shekujve të popullsisë shqiptare. Për të theksuar e thënë disa të vërteta të mëdha, që i shpreh e i vulos kënga historike.
Skënderbeu dhe vdekja është një nga këngët më përfaqësuese të këtij aspekti tematik te këngët arbëreshe dhe shërben për ta njohur lexuesin grek, me figurën më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar dhe me heroin e tyre kombëtar. Ashtu si i njeh edhe me amanetin për ruajtjen e jehonës së periudhës së tij dhe të lirisë së fituar prej tij: Përmbi kalë, erës detit/ hapni ju flamurin tim/ dhe në mes të flamurit/ lidhni, lini shpatën time./ Kur të frunj’ murrë i egër,/ Murgjari do të hingëllinjë,/ Flamuri do t’valëvitet/ Edhe shpata do t’tringëllojë/ nga ky qiparis i vrënjtur/ turku dëgjon dhe i trembur,/ duke kujtuar ai vdekjen,/ që fle te shpata ime,/ s’do na bjerë më nga pas.[5] Evoluimi i ngjarjeve historike dhe fati i shqiptarëve pas vdekjes së Skënderbeut, që pasqyrohen në folklorin shqiptar, falë përzgjedhjes së këngëve popullore nga Thoma Sterjo, bëhen të njohura edhe për lexuesin grek përmes këngëve të njohura Ikja e shqiptarëve nga Moreja dhe Mori e bukura More. Ato shoqërohen edhe me shpjegimet e përkthyesit, ashtu si dhe shumë këngë të tjera, duke u konsideruar ky aspekt skedë shpjeguese, si vlerë e shtuar e kësaj antologjie: Një nga këngët më të njohura të arbëreshëve të Italisë së Jugut. Pas vdekjes së Skënderbeut, filloi ikja drejt Jugut, ku u vendosën në fillim në More, por kur zgjedha turke sa vinte e bëhej më e egër, një pjesë prej tyre iku në Italinë e Jugut.[6]
Një cikël tjetër i rëndësishëm i kësaj antologjie, është edhe ai i Këngëve historike që ka përzgjedhur autori. Vihet re që shumë këngë popullore shqiptare, lidhen me ngjarje të caktuara historike në Greqi. Këngët epike historike janë dhënë të veçuara në vetvete dhe të sistemuara sipas tematikës. Në këtë kontekst, folklori shqiptar nuk “hesht” për ngjarje që zhvillohen në Greqi. E tillë është kënga: Kalaja përmbi Athinë[7]. Inkuadrimi historik i saj është në periudhën e luftës për Pavarësi të Greqisë. Te kjo këngë kronikë, autori popull shqiptar tregon për rrethimin e Akropolit nga turqit dhe lufta për çlirimin e Athinës nga otomanët: Kalaja përmbi Athinë,/ ç’të rrethosën tridhjetëmijë,/ lufton Gura me të bir./ Dërgon Gura imdat,/ “Eja shpejt Karaiskaq!/ Se më bëri turku çark,/ më vjen me taborre lart.[8]
Ngjashëm është edhe kënga Në Mesollongj’ të shkretë[9], ku luftohej përsëri për Pavarësinë e Greqisë. Në Mesollongj’ të shkretë,/ rrethuar me kënetë,/ seç filloi lufta me mbret./ Po lufton me Boçari vet,/ me shokë nja shtatëdhjetë,/ luftojnë me të vërtetë/ për liri e për të drejtë.[10] Siç vihet re te këngët më sipër, veç ngjarjeve historike, për ta dhënë të plotë panoramën e karakterin epik të tyre, janë të pranishme edhe toponimet greke (Athinë, Mesollongj, Akropol etj.) si dhe personazhet historike si: Marko Boçari, Karaiskaqi, apo Pavllo Mella te kënga Kapetan Pavllo Mella[11], që i referohet luftëtarit të njohur grek Pavllo Mella, i cili luftonte në krahinën e Maqedonisë.
Po kështu, për t’u evidentuar janë edhe disa këngë të tjera si: Vjen një telegram urgjent[12], Duçe ç’pate me Greqinë[13], Grekët e paçin hallall[14], ku këto këngë i referohen sulmit fashist të 1940 kundër Greqisë.
Populli shqiptar përmes këngëve të tij jo vetëm pasqyronte ngjarjet, por edhe reflektonte duke dhënë gjykime mbi to, a duke mbajtur edhe qëndrime. Ashtu si në jetën reale, edhe në folklor, vihet re një fqinjësi e mirë mes dy popujve përgjatë shekujve, duke iu gjendur pranë njëri – tjetrit në ditë të vështira, pa u bërë pre e ndikimeve të hierarkive drejtuese të çdo kohe. Dhe më së miri, duket kjo gjë te kënga popullore shqiptare Për bukë vuante Greqia, e cila pasqyron krizën greke të vitit 1942 dhe mbështetjen e pakusht nga populli shqiptar:
Nëntëqind dizetedija,/ për bukë vuante Greqia,/ ikte populli nga uria/ u mbush plot Shqipëria (…)/ Shqiptarit siç i ka hije/ i priti si mik shtëpie,/ s’i la të vdisnin urie(…)[15]
PËRJETIMI DHE PËRJETËSIMI NË KËNGË I REALITETEVE HISTORIKE TË FQINJIT
Përmes këtyre këngëve popullore shqiptare që kanë lindur nga ngjarje konkrete të popullit grek dhe që janë përfshirë në këtë antologji, konstatoj se populli shqiptar nuk ka qëndruar indiferent ndaj ngjarjeve dhe personazheve historikë të popullit fqinj. Ky konstatim e kjo antologji më dha spunton për të ngritur pyetjen: Po fqinji tjetër i Jugut a i përjetonte dhe i përjetësonte në këngë ngjarjet që ndodhnin në Shqipëri?
Nuk është hulumtuar në thellësi, por vetëm për të sjellë disa shembuj sa për të ilustruar që edhe populli grek i ka bërë objekt të krijimtarisë së tij gojore shumë ngjarje e personazhe historik të fqinjit shqiptar. Është e njohur masakra e Manastirit nga regjimi osman, në vitin 1830 kundër shqiptarëve e organizuar nga Porta e Lartë, kundër bejlerëve shqiptarë të Jugut. U thirrën nga Sadrazemi turk në Manastir (Bitola) me pretekst për t’u dhënë rrogat e prapambetura nga shërbimi në ushtrinë turke. Me pabesi i ekzekutuan në hipodromin e qytetit, rreth 1000 veta.
Autori popullor grek, sipas një kënge vaji që gjendet te libri Këngë Popullore greke, të përgatitur nga Claude Fauriel, e pasqyron kështu këtë ngjarje: Tre zogj qëndronin lart tek Manastiri,/ Njeri shikon Janinën e tjetri Bitolën/ I treti më i miri vajton edhe thotë:/“Na erdhi e hidhur kjo Pranverë, edhe behari i zi/ Na erdhi edhe vjeshta e hidhur e helmatisur,/ Sadrazemi nxori urdhër në Manastir të vemi (…)[16]
Po kësaj ngjarjeje i referohet edhe një këngë tjetër popullore greke Veli Beut, Asllan Beut e Sadrazemit, por ky variant është më i pasur me emrat e personazheve si vihet re te vargjet e shkëputura më poshtë: …Në Bitola kanë vajtur Asllan beu e Veli beu/ Me dredhi i priti Valiu i Rumelit…/ Në dhoma i caktoi, e shumë zotime u dha/ Të nesërmen i kaloi në batare…/ E mësuan shqiptarët e dolën malit/ Edhe ai Haxhi Pronjë iku për në ishujt…[17]
Kryengritja e Toskëve është një tjetër ngjarje që është bërë shkas për krijimin e një kënge popullore greke: … O ju bilbila mos këndoni/ edhe heshtni e ju qyqe/ dhe ju të shkretë arvanitë, vishni të zezat/ për të keqen që u bë…/ U vra Hasan beu edhe Taksim Efendi…
Ndërsa Kryengritja shqiptare e 1847 që njihet si Kryengritja e Zenel Gjolekës, është përjetësuar kështu në folklorin grek, në një botim të vitit 1880, të përgatitur nga P. Aravantinos: Nëse doni të dëgjoni britma edhe të zezat vajtime/ Nga Berati të kaloni e në Delvinë të shkoni,/ në Toskëri e Labëri,/ mijëra gra të dëgjoni,/ si qajnë agallarët e fëmijët e tyre/ ca u thërrasin të ngrihen nga varri vajtojnë (…)/ Mallkuar qoftë ora, dhe dita e hidhur/ që morën vendimin e keq bejlerë e agallarë/ Labërinë ngriti Hodua e Gjoleka… etj..[18].
Duhet theksuar se marrëdhëniet e ndikimet në krijimtarinë gojore greke dhe shqiptare, nuk shihen asnjëherë në raporte hierarkike, por dhënëse e marrëse, duke ruajtur të pacënuara ato tipare origjinale të secilës.
Si përfundim, Antologjia me këngë popullore shqiptare Dikush këndon pranë nesh, përzgjedhur, përkthyer, përgatitur për botim, nga Thoma Sterjo është një botim i rëndësishëm për kulturën e dy vendeve. Është i pari i këtij lloji e profili i botuar në Greqi, i cili bën të njohur në mënyrë dinjitoze folklorin shqiptar në një vend e gjuhë të huaj.
Këngët popullore shqiptare të përfshira në këtë antologji të destinuar për lexuesin grek, ndihmojnë që ata të njohin më mirë si krijimtarinë, karakterin, psikologjinë, apo ato që dëshmohen përmes kësaj letërsie gojore që rrok gjithçka si kulturën materiale e shpirtërore, historinë aq të pasur, gjuhën, doket, zakonet, traditat etno- kulturore, gjendjen ekonomiko – shoqërore, demografinë historike dhe karakterin shqiptar, apo historinë e fqinjit shekullor.
Pavarësisht rëndësisë së saj, kjo antologji ka mbetur jashtë vëmendjes e vlerësimit për shumë arsye. Në gjykimin tim, kjo antologji mund të shërbejë si një vepër konsultimi e pazëvendësueshme për studiuesit e folklorit andej e këtej kufirit: 1. Sepse është prezantimi i parë më i plotë i folklorit shqiptar në gjuhën greke. 2. Për ata që janë njohës të mirë të greqishtes, kjo antologji konsiderohet një vepër me një nivel të lartë përkthimi, duke u përpjekur të ruaj specifikat origjinale të tekstit të këngës popullore shqiptare në të gjitha aspektet.
Ky shkrim le të shërbejë si nxitje jo vetëm për ta njohur këtë vepër, por edhe për t’u bërë objekt i studimeve të tjera shkencore në vijim, pse jo dhe të rrafshit krahasimtar.
BIBLIOGRAFI
- Aravantinos, P., Këngë popullore të Epirit (Përmbledhje),Athinë 1880 dhe 1996.
- Çabej, E., Vatra dhe bota në poezinë e De radës, te libri: De Radës në 100 vjetorin e vdekjes, , Botim Universitar, Tiranë 2003.
- Çiraku, Y., Qasje letrare, Shtëpia botuese “Albas”, Tiranë 2016.
- Fauriel, C., Këngë popullore greke, Botime Universitare të Kretës, Iraklio 1999.
- Mitko, Th., Bleta shqiptare, Kombinati Poligrafik Shtypshkronja “Mihal Duro”, Tiranë 1981.
- Sterjo, Th., Dikush këndon pranë nesh, Antologji me këngë popullore shqiptare, Roes, Athinë 2007.
[1] Ymer Çiraku, Qasje letrare, Shtëpia botuese “Albas”, Tiranë 2016, f. 86.
[2] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 9.
[3] Thimi Mitko, Bleta shqiptare, Kombinati Poligrafik Shtypshkronja “Mihal Duro”, Tiranë 1981, f. 41-42.
[4] Eqerem Çabej, Vatra dhe bota në poezinë e De radës, te libri: De Radës në 100 vjetorin e vdekjes, , Botim Universitar, Tiranë 2003, f. 117.
[5] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 343.
[6] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 350.
[7] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 306.
[8] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 306.
[9] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 312.
[10] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 312.
[11] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 324.
[12] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 327.
[13] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 328.
[14] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 329.
[15] Θωμας Στεργιοπουλος, Καποιοι τραγουδουν διπλα μας, Ροες Αθηνα 2007, f. 335.
[16] Claude Fauriel, Këngë popullore greke, Botime Universitare të Kretës, Iraklio 1999, f. 196.
[17]Claude Fauriel, Këngë popullore greke, Botime Universitare të Kretës, Iraklio 1999, f. 196.
[18] Panajotis Aravantinos, Këngë popullore të Epirit (Përmbledhje),Athinë 1880 dhe 1996, f. 21.
ObserverKult