Dita e Ujit të Bekuar festohet me hedhjen e kryqit në ujë

Të gjithë besimtarët ortodoksë sot më 6 janar kremtojnë Ditën e Ujit të Bekuar.

Kjo festë e madhe festohet çdo vit, duke mbledhur qindra dhe mijëra besimtarë ortodoksë teksa këtë vit grumbullimet janë të ndaluara për shkak të pandemisë. Dita e Ujit të Bekuar festohet me hedhjen e kryqit në ujë.

Sipas Biblës dita e ujit të bekuar, përkon me parathënien e 3 personave që panë në qiellin e Bethelemit në Jeruzalem yllin, i cili paralajmëronte lindjen e Jezu Krishtit.

Të tre dijetarët kishin ardhur nga vende të ndryshme për të parë lindjen e Krishtit dhe për t’i dedikuar atij dhurata të ndryshme. Duke u nisur nga ky fakt, kjo ditë njihet si dita e bekimit nga Zoti, të ujërave të të gjithë botës. Ajo çka e bën të veçantë është rituali i hedhjes së kryqit në ujë, kryesisht në det, lumë, liqen. Ashtu si ndodh në shumë vende të botës, edhe në Shqipëri ky ritual kremtohet prej vitesh në qytete si Berati, Gjirokastra, Durrësi, Fieri, Lushnja e Korça. Të rinjtë janë ata që bëhen pjesë e këtij riti, pasi çdo vit duke sfiduar edhe temperaturat e ulëta të janarit, janë hedhur në ujë për të kapur kryqin./ATSH