Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
s’është asgjë mbytja në lumë
a në dhomat e gazit…
I kam borxhe nënës
që s’ia ngrita varrin,
i kam borxhelisit
qe s’ja hodha pjergullën,
i kam borxhe ashurisë
që i vodha të dielën,
i kam borxh krimit
që si vura emër.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe,
i kam borxhe fjalës
që s’e pashë në ëndërr,
i kam borxhe korbit
që s’ia zbardha pendët,
i kam borxhe vitit ’13
që s’ia mbylla plagët,
i kam borxhe ardhmërisë
që e lashë te pragu
terrin e një kohe të largët.
Do të vdes,
do të vdes i mbytur në borxhe.
U kam borxh të gjallëve,
u kam borxh të vdekurve.
Gurin e varrit do ta shes,
të laj borxhet.
Dhe vë pikën këtu.
Tani mund të flisni
për borxhet që më keni ju.
ObserverKult
Kliko edhe:
ÇFARË MREKULLIE DO ISH TË VIJE… LEKA SEFLA LEXON TEODOR KEKON
Po fryn një erë e ngrohtë nga jugu,
në park, ngadalë përkulen pemët,
si krahë të dridhshëm të dashuruarish
në përqafim ndërthuren degët.
Dhe mua më kujtohesh ti,
e ngrohtë, e bukur si kjo erë,
me krahët lidhur pas trupit tim
për puthje etur dhe pamje mjerë.
Çfarë mrekullie do ish të vije
në sup symbyllur të rrije pranë,
dhe puthja jote, si dorë artisti
ta kthente gjoksin tim në kitarë.
Por ti, s’vjen më! Mjerisht s’vjen!
Veç motin ngroh e dërgon erë,
që unë të qaj me një lot
që unë të përqafoj një pemë.
Kliko KETU për ta dëgjuar interpretimin