Dodona Kupina këndon “Gjeniun e anijes” së Lasgushit (VIDEO)

Lasgush Poradeci: Gjeniu i anijes

Vështroni si shket sipër valash
E tundet anija më nge? —
…Me krismë-e me prush prej stërkalash
Mi të shkrepëtiu një rrufe!…

Ti det, brohori fshehtësire!
Kuptim i potershëm, ti det!
…Po heshtje: ndaj vales së nxire
Gjeniu i anijes po flet:

Prej zallit që sot po largohem,
Fillova mërgimin e ri;
Hepohem… anohem… humbohem…
Po sulmën s´e ndal kursesi.

Dh´aspak nuk më tremb zhurmërija,
Ndaj turret me hov e vërtik
Mi ballë-e mi korje të mija
Ndërsimi-i tallazit armik.

Përpara kur shoh gjeratore,
Dh´ato më gremisin në fund —
Mi kulmin e vales malore
Un´ heq të shpëtoj sa me mund.

E morti fatkeq në më çiku,
N´u desh tmerrësisht të fundas
Aspak nuk më thyen reziku,
Po nis e përmbysem me gas:

Se prapa le vazhdën e ndritur —
Q´e hapa me shpirtin fatos: —
Fistonin gazmor ku pat shkitur
Valim-i anijes q´u sos.

Valimi-i anijes së letë
Qetohet, ndalohet, mbaron:
Gjeniu i anijes përjetë
Hepohet.. anohet… valon…

ObserverKult