Doja të të tradhtoja…

Foto ilustrim

Një të vërtetë doja që ty të të tradhtoja … poezi nga Luis Cernuda

Si të të mbush, vetmi,
përveçse me ty vetë…

Që fëmijë, mes strukave të shkreta të tokës,
në qosh të errët i heshtur,
kërkoja tek ti, flakëruese lule-kurorë,
netët e fshehta, agullimet e mia të ardhshme,
dhe tek ti i dalloja,
të natyrshme dhe të përpikta, po ashtu të lira dhe besnike,
shëmbëllimi im,
shëmbëllimi yt, e përjetshmja vetmi.

Pastaj humba në tokën e padrejtë
si ai që kërkon miq apo dashuri të papërfillur;
i ndryshëm nga bota,
isha dritë e kthjellët dhe i rrëmbyer zjarr dëshire,
dhe në shiun e zymtë apo në diellin e qartë
një të vërtetë doja që ty të të tradhtoja,
duke harruar në zjarrin e dëshirës sime
se si krahët fluturues e krijojnë vetë renë e tyre.

Dhe pasi mbulohesh në sytë e mi
me re përmbi re, nga vjeshta të tejmbushura
drita e atyre ditëve që shqova tek ti vetë,
të mohova për fare pak;
për të shpeshtat dashuri as të vërteta e as të shtira,
për të qetat miqësi kolltukësh dhe gjestesh,
për një emër bishtshkurtër në një botë fantazmë,
për kënaqësitë e vjetra të ndaluara
si dhe për ato të lejuarat krupëndjellëse,
të dobishme vetëm për sallonin elegant pëshpëritur,
në gojë gënjeshtrash dhe fjalë të akullta.

Prej teje ndesh tani jehonën e njeriut të dikurshëm
që unë isha,
që unë vetë e njollosa me ato tradhtitë djaloshare;
prej teje gjej tani, zbulime të yjëzuara,
e pastër prej tjetër dëshire,
diellin, zotin tim, natën zhurmëruese,
shiun, fshehtësinë e përhershme,
pyllin dhe frymëmarrjen e tij pagane,
detin, detin e bukur si vetë emrin;
dhe mbi të gjitha,
trup mjegullt dhe sqimatare,
të gjej ty, ty, vetmi kaq e imja,
dhe ti më jep forca dhe dobësi
si shpendi i lodhur krahët prej guri.

Bërryla-mbështetur në ballkon dallgëzimin këqyr, i pangopur,
dëgjoj klithmat e tij të errëta,
sodis ledhatimet e tij të bardha;
dhe i ngritur që nga djepi vigjilent
natën jam një diamant që vërtitet duke paralajmëruar njerëzit,
për të cilët jetoj, edhe kur s’i shoh;
dhe kështu, larg tyre,
emrat e tyre harruar, i dua me turma,
të zhurmshme dhe të dhunshme si deti, banesa ime,
të pastra përballë pritjes së një revolucioni të zjarrtë
ose të dorëzuara dhe të nënshtruara, siç di të jetë deti
kur vjen ora e pushimit që forcën e tij pushton.

Ti, e vërteta vetmitare,
pasion i tejdukshëm, vetmia ime e përhershme,
je përqafim i pamatshëm;
dielli, deti,
errësira, stepa,
njeriu dhe dëshira e tij,
turma e tërbuar,
çfarë janë tjetër veçse ti?

Për ty, vetmia ime, i kërkova dikur;
tek ty, vetmia ime, i dua tani.

*Titulli i origjinalit “Si të të mbush, vetmi”

Përktheu: Erion Karabolli

ObserverKult

——————

Lexo edhe:

MIHAI EMINESCU: ME KRAHË HAPUR MË GJEJ TË ZINË..

HERMANN HESSE: UNË, BIRI I PABESË, TË TRADHTOJA…