Dokumenti i vitit 1970: “Jam armik i betuar i partisë, s’jam spiun të denoncoj vëllanë tim”

Foto ilustrim

Nga Dashnor Kaloçi

Ashtu siç dihet tashmë prej vitesh edhe nga dhjetra dëshmi e dokumente arkivore të publikuara pas rrëzimit të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ai regjim, me anë të organeve të ashtuquajtura të “Diktaturës së proletariatit”, me anë të torturave makabre, dhunës fizike e psikike, etj. i detyroi shumë njerëz që mbaheshin të arrestuar, që të jepnin dëshmi të rreme, duke pohuar e firmosur çdo gjë që u vihej përpara.

Por ndërmjet këtyre mijëra e mijëra të dënuarëve të ndërgjegjes, ka pasur edhe prej tyre, që kanë qëndruar para torturave dhe dhunës. Ata qëndruan duke mos pranuar asgjë nga ato çka u kërkohej prej xhelatëve të tyre. Madje kanë bërë të kundërtën. Duke folur, sharë dhe akuzuar në gjyqet e tyre dëshmitarët, hetuesit, prokurorët, trupin gjukues, e deri Partinë e Punës. Një ndër këta, ka qenë edhe Daut Gumeni. Ai aktualisht është nënkryetar i Komisionit Shtetëror për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. Daut Gumeni në vitin 1970, kur nuk ishte më shumë se 22 vjeç, asokohe mësues dhe poet, në gjyqin që iu bë në Tepelenë, në prani të qindra pjesëmarrësëve të mbledhur nga e gjithë krahina e Kurveleshit, deklaroi para trupit gjykues me bindje të plotë, se ai ishte një armik i betuar i partisë dhe pushtetit popullor.

Madje këtë gjë ai e bënte kur i ishte komunikuar dënimi me 25 vjet burg. Kështu “populli” i pakënaqur nga ai dënim, kërkonte dënimin me vdekje të tij. Lidhur me këtë gjë, bën fjalë dokumenti arkivor që zbulohet së fundmi dhe publikohet nga “Gazeta Shqiptare”.

Aty sekretari i Komitetit të Partisë në Tepelenë, Sherif Toraj, me anë të një letre sekrete njofton Hysni Kapon, lidhur me gjyqin ndaj Daut Gumenit, vëllait e kushëririt të tij. Si dhe shënimet e Hysni Kapos në letrën në fjalë dhe përgjigjia që ai merr nga Enver Halili. Në atë kohë ai e mbulonte sektorin juridik në Komitetin Qëndror të PPSH-së. Dokumentet në fjalë po i publikojmë të plota dhe me shënimet përkatëse me shkrim dore.

PARTIA E PUNËS SË SHQIPËRISË                     SEKRET

KOMITETI I PARTISË RRETHIT                   EKZEMPLAR NR. 1

Nr. 104. Prot/                          Tepelenë, më 15/4/ 1970

KOMITETIT QENDROR TË PPSH

TIRANË

Prej datës 26-27 Mars 1970 në Tepelenë u zhvillua procesi gjyqësor kundër të pandehurve Izet Mehmet Gumenit, Daut Mehmet Gumenit (vëllezër) dhe Dervish Haxhi Gumenit. Ata vijnë nga fshati Gusmar i këtij rrethi. I pari për bashkëpunim me kriminielët e arratisur, Izet Vrazhdo, Lahe Nuro e Ahmet Kuka, në vrasjen e Sekretarit të partisë të ish-rrethit të Gusmarit, Selman Lames në dhjetorin e vitit 1945. Ndërsa dy të tjetër për agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor. Mos kallëzim krimi të kryer nga Izet Gumeni për të cilin ishin në dijeni dhe tentativë arratisje për në Greqinë monarko-fashiste.

Të lartëpërmendurit u dënuan nga ana e gjykatës popullore të rrethit tonë, Izet e Daut Gumeni me nga 25 vjet, kurse Dervish Gumeni me 20 vjet privim lirie.

Duke marrë parasysh qëndrimin e kriminelit Daut Gumeni që mbajti në procesin gjyqësor për të cilin do t’ju informojmë më poshtë, mendojmë se nuk i është dhënë dënimi i merituar si kriminel dhe armik i betuar i pushtetit popullor. Ai këtë e pohoi haptaz në procesin gjyqësor nëpërmjet shprehjeve që më poshtë ju rradhisim:

Kur u pyet nga ana e trupit gjykues sepse ai kishte marrë këtë rrugë të gabuar, deklaroi: “Jam armik i partisë tuaj dhe i pushtetit popullor”. Gjithashtu gjatë pyetjeve dhe demaskimit që iu bë nga trupi gjykues dhe publiku, ai u shpreh:

-“Ju thoni se në Shqipëri ka filluar të vërshojë lumi i të mirave, por akoma nuk ka filluar të pikojë asnjë pikë”.

-“Unë nuk jam spiun që të demaskoj dhe kallëzoj vëllanë tim, Izetin për bashkëpunim me diversantët”.

-“Unë ndoshta jam krimb, sipas jush, por nuk guxoj të them se edhe ju jeni zvarranikë”.

-“Juve talleni me gjakun e Selman Lames”.

-“Organizatat e masave, nuk janë leva të partisë, por marrsha të saj”.

-“Pikpamjet e shkrimtarëve të huaj që ju i quani reaksionarë, ju nuk u thoni të gjitha fëmijëve që të gjykojnë dhe formojnë ata vetë botkuptimin e tyre”.

-“E kam ndjerë vetën të privuar, më ka munguar liria e fjalës dhe e veprimit”.

-“Këto vjersha i kam bërë kundra sepse ky është botëkuptimi im, realiteti i jetës sime, unë kështu e shikoj jetën”.

-“Kur të shkoja në botën perendimore do të kisha mundësi që të merrja arsimin e plotë e të saktë”, etj.

Qëndrimi i tij armiqësor u duk edhe në polemikën që filloi të bënte me diskutantët që dënuan ashpër nga salla e gjyqit këtë qëndrim reaksionar të tija. Ai përpiqej t’i sulmonte me fyerje dhe ironi të stërholluar.

Populli i këtij rrethi është i indinjuar nga veprimtaria e tij armiqësore dhe qëllimi reaksionar ndaj trupit gjykues dhe publikut në sallë. Ata kërkuan me këmbëngulje që këtij armiku të betuar t’i jepet dënimi me vdekje, duke u ekzekutuar në fshatin e tij. Në vëndin e veprimtarisë së krimit. Edhe në këtë rast kur ju dha fjala e fundit për vetëmbrojtje, ai u shpreh me ironi: “Zbatoni kërkesën e masës”.

Duke marrë parasysh veprimtarinë kriminale, qëndrimin armiqësor që mbajti në gjyq dhe opinionin e masave punonjëse të këtij rrethi: mendojmë që masa e dënimit të rishikohet duke aplikuar atë me vdekje.

SEKRETARI I KOMITETIT TË PARTISË SË RRETHIT

Sherif Toraj

………………………………………………………………………………………………………………………………………………

Letra e Enver Halilit, për Hysni Kapon

SHOKU HYSNI

Mbasi u konsultova edhe me gjyqtaren e çështjes pranë Gjykatës së Lartë, shoqen Lumturi Reso e cila e ka gjykuar në shkallë të dytë këtë çështje dhe me dispozitat ligjore që parashikojnë krimet e të dënuarit Daut Gumeni, rezulton se:

-Qëndrimi i të dënuarit Daut Gumeni gjatë procesit gjyqësor ka qenë ashtu siç thuhet nga shokët e Tepelënës.

-Ky person është gjykuar më parë. D.m.th. para këtij procesi, për tentativë arratisje dhe është dënuar me burgim.

-Gjatë procesit hetimor kundër të dënuarit Izet Gumeni, vëllaut të Dautit, ky i fundit është implikuar në dy krime të tjera. I pari për agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe për moskallëzim të krimit (të vrasjes së sekretarit të komitetit të partisë të ish-rrethit të Gusmarit.

-Për këto dy krime, që parashikojnë nga kodi penal, i pari deri në 10 vjet burg dhe i dyti deri në 8 vjet burg, u gjykua dhe u dënua. Duke bërë bashkimin e tre krimeve sipas dispozitave ligjore, ai u dënua me 25 vjet heqje lirije. Ky është maksimumi që parashikon ligji për krimet që ka bërë.

-Për vëllaun e Dautit, Izet Gumenin që është gjykuar dhe dënuar për krimet: vepra terroriste dhe agjitacion e propagandë kundër pushtetit dhe që ligji parashikon  deri në dënimin me vdekje.

Gjykata i ka dhënë 25 vjet heqje lirije dhe këtë e ka lënë në fuqi edhe gjykata e lartë për këtë arsye, e para sepse ky në atë kohë ishte i ri dhe vetëm bashkëpunëtor, e dyta që nga koha kur është kryer krimi dhe deri më sot ka kaluar shumë vjet, dhe gjatë këtyre vjetëve ka pasur disa amnisti dhe e fundit sepse qëndrimi i tij në gjyq ka qenë korrekt, d.m.th. jo si ai i Dautit.

Mendoj se Komiteti i Partisë së rrethit dhe pastaj nga ky poopulli i asaj zone duhen sqaruar se për veprimtari armiqësore të Daut Gumenit para procesit gjyqësor dhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor, atij iu dha dënimi maksimal që parashikon ligji nga gjykata.

Këtë shpjegim mund dhe duhet ta bënte para popullit gjykata menjëherë mbas përfundimit të gjyqit.

Enver Halili

04.05.1970

Daut Gumeni

———————————————

Lexo edhe: DËSHMIA E ISH-INXHINIERIT USHTARAK: MISTERI I QELISË SË NËNDHESHME NË BURGUN E BURRELIT…