Doli  numri i ri i revistës letrare “Jeta e re”

Posa ka dalë në qarkullim numri i parë për këtë vit i revistës letrare të traditës “Jeta e re”. Revista hapet me një In memoriam për shkrimtarin dhe përkthyesin e mirënjohur Muhamed Kërveshi, i cili vdiq në shkurt të këtij viti. Kërveshi vjen në këtë numër të revistës me një cikël poezish përzgjedhur nga vepra e tij poetike, me esenë e tij “Imazhi poetik”, si dhe me tekstin kritik për poezinë e tij me titullin “Poezia dhe koha” të Bajram Krasniqit.

Në rubrikën e prozës botohen tregimet: “Shtegu i verbërve” të Ndue Ukajt, “Zjarri i komitëve” dhe “Dashuria e parë” të Bedri Tahirit, ”Afterparty” të Dhurata Hotit, “Të shikosh nga dritarja” të Orhan Pamuk-ut, “Kapela” të Thomas Bernhard-it dhe “Heronjtë e fundit” të Guido Morsell-it”

Ndërkaq, me nga një cikël poezish prezantohen Sali Bashota, Nexhat Hallimi, Shefqet Dibrani, Rainer Maria Rilke, Tomazh Shalamun dhe Patrizia Valduga.

Në rubrikën qendrore Dossier, në një hapësirë prej 50 faqesh, prezantohet poetesha e njohur peruane Blanka Varela, e cila përfaqësohet me një cikël të gjerë poezish, me një intervistë dhe me tekstin për jetën dhe veprën e saj me titullin “Asgjë s’tingëllon më bukur se heshtja” të Rosio Silva Stantisteban.

Rubrika e kritikës fillon me tekstin “Fotografia si organizim stilistik” të Nysret Krasniqit, për të vazhduar me “Teki Dervishi: nga autotreferenca në art” të Arbenitë Xhemajlit , “Pakti i “sikurit” (për romanin “Sikur t’isha djall” të Ag Apollonit) të Granit Sadikut dhe “Alegoritë e progresit: Goethe dhe Hegel përball shkrimit të historisë“ të Daniel Rudy.

Në rubrikën Recensione Fatbadha Statovci shkruan për librin e fundit të akademik Nysret Krasniqit “Kanunet e Gjeçovit” e Riza Shaqiri për librin me tregime “Pengu i dollisë” të Sedail Zejnullahut, kurse në rubrikën e fundit Classicus vjen në vazhdime “Këga e Sidit”.

Përkthyesit që kontribuan në këtë numër të revistës janë: Alket Çani, Qerim Raqi, Erion Karabolli, Arben Idrizi, Azem Qazimi, Valon Veliqi, Ismail Ismaili dhe Kosovar Berisha.

ObserverKult


Lexo edhe:

DOLI NUMRI I RI I REVISTËS LETRARE “JETA E RE”