Tung nga varrezat e dëshmorëve në Koshare
klithi unë i ripagëzuari N.N.
mes njëqind e ca shokëve
unë anonimi i vrarë
me një kurorë mbi varr
askush nuk vjen të çmallet e derdh një pikë loti
(edhe pse lotët s’më duhen)
askush nuk lodhë kokën për rrasën time të kalbur
për dy shkronjat e mia (N.N.) gjysmë të fshira
nuk dua, por ende shoh nga ju
asnjë fije floku t’mos u mungojë
orgjive, ahengjeve
buzëqeshjet falso të mos u gurëzohen
unë i ripagëzuari N.N.
me vetëm një kurorë mbi varrin me bar
e me rrasë të kalbur
Kujdes- luftërave të ardhshme, mos më harroni!
1999
*Titulli i origjinalit: Tung nga Kosharja
ObserverKult