Poezi nga Donika Dabishevci
S’frikohem shpirt, jo!
Gurë kam me përbi
krejt mëkatet e kësaj bote
me i marrë përmbi
naj rryp bari veç
me e ba jastëk
e me u dridhë purtekë
si zog n’shi
si ndonjë zog i humbun
që vdes për dashni.
ObserverKult
Lexo edhe:
DONIKA DABISHEVCI: QENIE E DOBËT QË DO LUTJE: BUZËN!
Lexo edhe:
E PASHMANGSHMJA FANTASTIKE E DASHURISË TE DONIKA DABISHEVCI
Cilës nuk mund t’i shmangemi dot?- Vdekjes! Cilës kërkojmë të mos i shmangemi kurrë? – Dashurisë! Hon dhe parajsë. Bosh dhe plot jetë. Një hap përpara ofron gjithë botën, një hap pas e lë të pamundur.
Nga Agim Baçi
Donika Dabishevci, poetja nga Prishtina, ka guxuar të japë vargje si një dialog mes teje dhe vetes tënde. Me një gjuhë të këndshme, origjinale, pa u ndaluar, pa retiçenca, me kufirin e gjuhës që prek ashtin e dëshirës, Dabishevci shënjon një sfidë në poezitë lirike. Nuk ndalet në kufirin e shprehjes së dëshirës, por në kufirin e imagjinatës së mundshme dhe të aftësisë për të dashur, për të rrokur, për të pushtuar tjetrin deri në“cepin e fundmë të dëshirave”.
Leximi i parë i vargjeve duket sikur ka qasjen e shpejtë të gjuhës së trupit. Por varg pas vargu ndjen se po kërkohet të reagojë zemra. E hap pas hapi, ngjitet gjithçka më pas në mendje. Sfidë nuk është për të treguar forcë, por rëndësinë që ka të kuptosh se tjetra përballë duhet pranuar me gjithë forcën që ka, me gjithë fuqinë që të vjen nga fjala dhe pafjalësia, nga ajo që themi e nga ajo që s’ia gjejmë dot gjithë fonemat, gjithë tingujt, sepse shpesh mbetet nën lëkurë.
“T’bajnë za
me e nxjerrë atë zemër miu
prej sëndukut t’vjetër
ku e ke mshefë
me dalë prej burgut
që ja ke maru vetes
me marrë ni udhë,
me rrnu a me dekë
Unë i rri dashjes teme patundun
s’ke me m’pshtue
n’metsh mas ksajna gjallë
kur t’qetohet ajri
n’dalsh prej ksaj terrine
ke me ndi gulçimën e trupit t’marrë.”
(Shkëputur nga Poezia “Mllefosun hanan n’ty”)
Nuk ka asgjë për protestë. Ajo që nuk arrihet nuk është dështim i asaj. Ajo që nuk kuptohet kërkon t’i jepet kohë. Duket sikur seksi është kryefjalë. Por në fakt, është pranimi i asaj që vjen “si deka”, e pashmangshme, e ty të duhet t’i japësh jetë pa e lënë të shkojë ashtu, drejt mosqenies. E nuk është vdekja mosqenie, por pafuqia për ta kuptuar forcën e saj.
Dabishevci ka guxuar të kalërojë mbi ndjesitë më të pathëna, por edhe më të pashmangshme. Ka guxuar të sjellë ashpërsisht ëmbël atë që qëndron shpesh nën lëkurë. Është një ftesë për të pranuar njeriun ashtu siç është në thellësi e ku ne duhet të lëmë atë që i përket ndjesive. E mëkat mbetet moskuptimi i kësaj fuqie, moskuptimi i nevojës për të qenë brenda lëvizjes së duhur të gjakut.
Me një gegnishte të ambël, me një gjuhë që i shkon përshtat palcës, me një guxim që e kanë të dashuruarit, Dabishevci ka hedhur dorashkën e saj prej poeteje, duke ftuar jo në sfidë, por në kuptim. Gjithë cikli ngjan si një puthje gjer në asht, përmes guximit për të kaluar rrugëtimi i së pashmangshmes.
Plot me ty
Nata m’i fali sytë e tu
hajnisht m’fali edhe
puthje n’gushë
magjishëm m’dha
yshtje prej udhtareje
thirrjet e shpirtit
pa tutë me i përmbushë
Ag e muzg, err e terr
shtigjeve t’lakueme
asni rrapllimë guri
s’jam tu e ni
asni kandërr
s’po m’varet themrash
as n’zhgjandërr
e as n’kllapi.
Krejt n’paqe jam,
plot me ty.
(Donika Dabishevci, “Kam me ardh si deka”, f. 58)
Vargjet e Dabishevcit duket sikur i dëgjon, si troku i një kalërimi në kohën e pandalshme, e njëkohësisht vijnë si një pikturë. Nuk i shmangesh dot imagjinimit përmes lirizmit të pakufishëm.
E në fund, dukesh tërësisht i përqafuar nga ndjesitë, duke kërkuar t’i vësh një emër brenda teje, pa cak, pa kurrfarë ndroje, ashtu siç lëviz vetë gjaku, në mënyrë të pandalshme e gjithkund. Se moslëvizja është kushërirë e “dekës”.
ObserverKult