E du haptas, çiltër krejt, ambël.
E du zgjuet, në gjumë e du.
E du aq nalt, sa qiejt që prajshëm mbi krye më sillen
pa më pyetë kurrgja, e sytë e mendjes më shohin aq pak
E du sa ditën në hijeshinë e saj gracioze
Thellë sa natën në bukurinë e randë kur terri i vishet
e e ndjek, me e zanë, hanën vërdallë.
Shpirti im Atij i takon!
E du… edhe pikë!
E du se Ai veç m’i lexon të msheftat e zemrës, të bamet e të pabamet
M’i ndrit kuptimet e ngatërrueme të nji bote shumëngjyrëshe
E vend më len sa nji lot n’oqeanet e thella të saj.
E du si jetën që më çon kah e trishta vdekje, e frikën
ma vesh tanë shpresë.
Me qenë njeri i mirë shpëton ndërgjegjen nga dergjë e dynjasë.
E du. Edhe pikë!
Ai m’i dhuron krejt ç’m’i duhet shpirtit e ma pak
nga ç’m’i lëngon zemra.
Se Ai më don! Më don shum e pa hile.
Çiltër, ambël, mëshirshëm, artistikisht thellë më don.
Ma fal lindjen e perëndimin e çasteve të mia
fluturimthi me të dyja kambët mbi tokë.
Pa te unë nuk jam Unë.
E du!
Zotin tim!
ObserverKult
Lexo edhe:
DONIKA GASHI: TË KAM FALË
T’i kam falë
të tana rrenat e vogla e të mëdha,
të nevojshmet e të panevojshmet që i baje
n’emën të betejës së impresionimit.
Ta kam falë
secilën përpjekje lakuriqe
që të më mbrojë prej dramave të jetës,
tu e pretendu kalorësin
shpëtimtar të ndjenjave
gjithqysh të trazueme të mia,
pa dashtë të dije se drama ishte vetë kjo.
Të kam falë
për të tana pamundësitë njerëzore
me përmbushë personin tim vetmitar.
Të kam falë.
Se m’ke dashtë…
_____________________
Donika Gashi u lind në Prishtinë në vitin 1974. Shkollimin fillor dhe të mesëm i kreu në Prishtinë.
Në Universitetin e Prishtinës mbaroi Fakultetin Filozofik, degën e Sociologjisë.
Shkruan poezi që nga mosha e re, ka qenë fituese e disa çmimeve për poezi dhe është përfshirë në disa antologji të poezisë në gjuhën shqipe.
Donika është marrur edhe me muzikë dhe gjatë viteve 90-ta ka qenë shumë aktive në skenën muzikore të Kosovës në zhanrin e këngës pop dhe rock. Ka të botuar përmbledhjen me poezi “Ti je çdo gjë imja”, Rilindja, Prishtine, 1994.
Jeton dhe vepron në Prishtinë.
ObserverKult