Dorëshkrim i vitit 2001: Çka shkruante Dritëro Agolli për Gjergj Fishtën?

Me rastin e 149-vjetorit të lindjes së kolosit të letrave shqipe, një prej figurave më të ndritura dhe më mbizotëruese të letërsisë tonë, vajza e Dritëro Agollit, Elona Agolli, kohë më parë, kishte ndarë me ndjekësit e saj, disa dorëshkrime të Dritëroit për Fishtën.

Ndër të tjera, Dritëroi kishte shkruar në vitin 2001, se vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit.

Ndërsa e përfundoi, duke shkruar: Ky Hektor i mungon Fishtës, për të qenë Homer…

Ky është shkrimi i plotë i Dritëroit:

Vepra e Fishtës është një dokument kulture, siç është edhe Kanuni i Lekë Dukagjinit. Të dy këto dokumente janë pranë e pranë. Ndërsa Kanuni është një Kushtetutë e mesjetës shqiptare, vepra e Fishtës është një hymn i primitivitetit shqiptar, i mesjetës me tërësinë e zakoneve dhe konstitucionit shpirtëror. Fishta e quante Evropën “ kurva e motit” jo vetëm se ishte fajtore e copëtimit të Shqipërisë, por edhe se po prishte jetën baritore primitive të shqiptarëve.

Është e çuditshme se Naim Frashëri, shumë kohë para se Fishta të thoshte “Evropa kurva e motit”, pohonte se “dielli lind nga perëndon”, domethënë nga Evropa.

Pra, Fishta Evropën e quan “kurvë”, Naimi e quan “ të dashur”.

Po ta kini vënë re, shumë vjet më parë, fshatarët, vajzat e dashuruara me djemtë ndër qytetet e Evropës i shikonin me dyshim dhe iu dukeshin si çupa të përdala. Fishta, këtë mendim të fshatarit primitiv këndon dhe mburr. Dhe këtu qëndron edhe vlera e tij, si letërsi. Homeri vërtet mburrte hovin primitiv të Akilit, por jepte edhe shpirtin delikat të Hektorit. Ky Hektor i mungon Fishtës për të qenë Homer…

ObserverKult


Lexo edhe:

ORHAN PAMUK: DASHURIA ËSHTË DHIMBJE… DASHURIA ËSHTË LOT…