Dostojevski si njeri
Në qoftë se një nga detyrat më themelore të artit është zgjerimi dhe thellimi i njohjes sonë mbi njerëzit e jetën, atëherë Dostojevskin si artist, mund ta vendosim pa ngurrim pranë Shekspirit.
Vështirë të gjendet një tjetër autor që shtytjen e vet të brendshme, ndërgjegjen e fshehtë njerëzore me gjithë frikën, konfliktin dramatik dhe kundërshtinë ndaj zbulimit, ta ketë pasur aq të fortë sa ç’e pati Dostojevski. Që në moshën tetëmbëdhjetëvjeçare i shkruan vëllait, Mihalit, që “misteri i personalitetit njerëzor duhet zbuluar dhe, në qoftë se ti do t’ia kushtosh jetën kësaj gjëje, mos thuaj që e ke shpenzuar kohën kot. Mua më intereson ky mister, sepse e kam vullnetin për t’u bërë njeri”.
Rrethanat e lindjes dhe prejardhjes së Dostojevskit qenë sigurisht, të jashtëzakonshme. Në fëmijëri iu desh të përballohet me shfaqjet më të ndryshme të mjerimit, faktor që luajti rolin të rëndësishëm në numrin më të madh të tregimeve të tij. Ai rridhte nga një familje fisnike që kishte rënë nga vakti e ndoshta, duke qenë i përzier me gjak tartar, kish nxjerrë tipa të larmishëm njerëzish.
Nuk besonte në të mirën e arsyeshmërisë së njerëzve
Shkaku kryesor i shqetësimeve që prisnin Dostojevskin ishte pjesëmarrja e tij në një shoqatë të fshehtë revolucionare të themeluar nga Petrashevski – një i ri, nëpunës i ministrisë së Jashtme – në kohën kur Dostojevski ishte nën ndikimin e radikalit të fortë Bjelinski. Menjëherë pas suksesit letrar, ai hyri në këtë rreth pa e menduar se ç’e priste. Pasi pa në katorga natyrën lakuriqe të njerëzve, qe e pamundur që të besonte në të “mirën e arsyeshmërinë e njerëzve”. Në rastet më tipike ai pa përzierjen e së mirës me të keqen, pa gjithashtu që e keqja, në qoftë se nuk gjen pengesën e duhur, ajo fiton epërsinë. Ai nuk besonte më në efektin e pengesës kur ajo është vetëm e jashtme, sepse e njihte mirë aftësinë e vetëmbrojtjes së brendshme.
Dostojevski mendonte se ky kapërcim, kjo vlerë e përjetshme e jetës nuk kryhet përmes njerëzve, por vetëm përmes një qenieje kapërcyese të përjetshme, domethënë përmes Perëndisë.
Ishte ekzistenca e Perëndisë ajo që bëri të mundur që vetë jeta njerëzore të mbushet me vlerat më të larta, në mënyrë që vetë niveli qenësor i saj të ngrihet mbi nivelin psikologjik dhe përcaktues të kafshëve. Kjo qe shkalla nga ku mori hov kërkimi i Zotit te Dostojevski. Megjithatë, kish një gabim: kështu ky i mbrojtur i dikurshëm nga ateistë si Bjelinski dhe Nekrasovi, u kthye papritmas në atë qëndrim të cilin, dikur e pat luftuar me aq zjarr në romanet e tij.
Gaboi rëndë, pasi rruga e Dostojevskit drejt besimit ish e stërngopur me dyshim. E, nga konfliktet dhe torturat e brendshme ai kurrë, as në fazën e fundit të jetës, nuk mundi të çlirohet krejtësisht. Gjithsesi, ai pati një sekret të dhimbshëm: shpesh në mënyrë të gabuar, e mbajti dëshirën e dikurshme për besim, vetëm për besim. Në një letër shkruar në vitin 1854, Dostojevski pohon se dëshirat dhe synimet për figurën e Krishtit janë të sakta, sepse nuk ka më të bukur, më të thellë, më të dashur, nuk ka më të urtë, më njerëzor e më të përsosur sesa Krishti. Në qoftë se dikush më dëshmon që Krishti qëndron jashtë së vërtetës, e me të vërtetë do të ish kështu, që e vërteta do të ish jashtë Krishtit, unë do të doja të isha më mirë me Krishtin se me të vërtetën.
Asnjëherë nuk u çlirua nga torturat e brendshme
Ashtu si Lazari i ngjallur nga vdekja trupore, Raskolnikovi duhej ringjallur nga vdekja shpirtërore. Gjithçka që vërehet në epilog është ajo që bluante me mend Raskolnikovi mbi fatkeqësinë e tij dhe mbi fatin e njeriut në një botë ku “gjithçka lejohet”. Tendenca e kësaj bluajtje me mend shprehet në ëndrrën e tij alegorike të një epidemie, e cila kishte ardhur nga Azia. Për çudi, me vullnet e inteligjencë mikrobet e ngjitur kishin pushtuar gjithë qeniet njerëzore, duke i bërë ata të marrë. E kjo marrëzi kish një aspekt të veçantë: ajo manifestohej në një orgji të përgjithshme arbitrariteti të lidhur me një akses në shkencë dhe arsyeshmëri.
Asnjëherë njerëzit nuk janë mbajtur për aq inteligjentë në zotërimin e së vërtetës; asnjëherë nuk i kanë mbajtur vendimet e tyre, konkluzionet e tyre shkencore dhe bindjet e tyre morale për aq të pagabueshme. Fshatra të tërë, qytete të tëra dhe popullsi u pushtuan nga epidemia dhe marrëzia. Të gjitha u ngacmuan me urrejtje dhe nuk u morën vesh më me njëri-tjetrin. Secili mendonte që ai vetëm e kishte të vërtetën. Ata nuk e ditën më gjykimin dhe nuk mundën më kurrë me këtë të bien në ujdi se çfarë është e mira dhe e keqja. Ata nuk e dinin nëse ata duhet të flasin me faj apo lirshëm. Njerëzit vrasin njëri-tjetrin në një mënyrë të çmendur zemërimi… Ka afsh të zjarrtë dhe zi buke. Gjithë njerëzit e gjithë gjërat duhet të binin në shkatërrim. Epidemia përhapet e shtrihet larg e më larg./Konica.al
ObserverKult
Lexo edhe: