Drita Fejza: Më ka marrë malli për xixëllonjat…

Poezi nga Drita Fejza

Më ka marrë malli për xixëllonjat
të shoh ato shkëndija t’vogla
që m’kujtojnë fëmijërinë
kohët e korrjeve e të fshirjeve
shtëpinë e vjetër e mbrëmjet
motra kur më shkrehte flokët
nga kalliri plot me jetë e gëzim

Ikte drita, po nuk na duhej qiri
vraponim pas xixëllonjave në oborr
mblidhnim ato drita t’vogla
gjithçka dukej mrekulli

Zëri i ëmbël i nënës
ngjallte emocion gjerë në qiell
“Frymë e re, bukë e re
jetë e lumtur qoftë me ne”
Me sytë e kaltër të nënës
ngrohej zemra, shtëpia

Sot pyes veten: sa zgjat lumturia?

Më ka marrë malli për xixëllonjat
po këtë verë, asnjë nuk pashë
Vera përvëlonte nga vapa
Po xixëllonja s’kishte më me zjarrin e dikurshëm

Kishin ikur nga zjarret në fusha
ndoshta ishin zhdukur përfundimisht
Nuk pashë as xixëllonjë, as flutur
që të më kujtonin fëmijërinë e bukur

Më kujtohen netët e korrikut
kur xixëllonjat plot shkëlqim mbushnin qiellin
si yje të vegjël ndizeshin papritur
nën qiellin e hapur, ndjenim dashurinë

Por tash, me mall e kërkoj atë dritë
në natën që më duket më e errët se kurrë
Ndoshta koha i ka marrë me vete
ndoshta thjesht s’jam unë më ai fëmijë që isha dikur

Më kujtohet si i mbanim në grushta
si thesare t’vogla që ndriçojnë butësisht
Netët ishin më të gjata, më të ndritshme
me atë dritë të vogël që shpërndahej qetësisht

Tani netët janë bosh, pa ato shkëndija
vetëm kujtimet më mbajnë gjallë
E pyes veten, nëse do t’i shoh sërish
apo do të mbesin vetëm një ëndërr e largët
në natën e gjatë, pa dritë dhe pa yje
E ëndrra zgjon kujtime të shpeshta
si shkëlqim i hënës së art mbi pyje.

ObserverKult


Lexo edhe:

DRITA FEJZA: RECETË PËR DASHURI