“Dritë mbi plagë”, homazh poetik për gjenocidin në Kosovë

Në përvjetorin e gjenocidit serb në Kosovë, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, akuzon nëpërmjet poezisë.

Me rastin e Ditës së Gjenocidit, 15 janar, të shpallur nga Kuvendi i Kosovës, Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e Hapur”, me seli në Gjenevë të Zvicrës, sapo nxori nga shtypi sprovën antologjike me poezi “Dritë mbi plagë”.

Ky libër tematizon gjenocidin serb mbi shqiptarët. Është homazh artistik ndaj të gjitha viktimave. Në të janë përfshirë poezitë e 51 poetëve shqiptarë, kryesisht poezi të reja, të dërguara në Qendër enkas për këtë përmbledhje dhe të përzgjedhura nga një ekip vlerësues. Libri ka për qëllim zgjimin e vëmendjes dhe ndëshkimin nga ana e drejtësisë.

Qendra falënderon poetët si dhe të gjithë ata që u angazhuan në botimin e këtij libri.

Poetët e përfshirë në libër mund t’i tërheqin falas nga dy ekzemplarë në redaksinë e gazetës ditore “Epoka e re” në Prishtinë. 

Qendra e cila ka botuar librin ben te ditur se do të ketë njoftime me kohë për datat e promovimevetë librit në Prishtinë, Tiranë e Shkup, personalisht apo nëpërmjet faqes zyrtare të Qendrës, sigurisht edhe nëpërmjet medieve.