Poezi nga Dritëro Agolli
Unë jam prej kohësh pelegrin
Udhëtar në vendin e shpresës së thyer
Jam ndarë padashur nga karvani im
Mes shtigjeve nga vapa e shirat gërryer
Kërkoj karvanin tim në rërë e në shpat
Karvanin që e ka ndërruar drejtimin me kohë
Ndaj në udhë jam krejt i humbur, jam fillikat
Me shami të grisur lidhur në kokë
Për ujë buza ime u bë zhur
Dhe sytë më shpojnë nga shterrja e lotit
Me duhet të arrijë karvanin e tretur qëkur
Çapitur mes vapës, mes shiut e të ftohtit
Unë jam prej kohësh pelegrin
Shtegtar i karvanit të humbur
Dhe bart në kurriz një premtim
Të dhënë në hirin e gjyshërve të mundur.
ObserverKult
Lexo edhe:
DRITËRO AGOLLI: TRËNDAFILËT E TURKESHËS, POEMA E PLOTË
Trëndafilët e turkeshës, poemë nga Dritëro Agolli
Kënga e parë
Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit,
Ndrit nën gjunjët e Stambollit, portës plakë të vatanit.
Cipë e trupit tënd të bukur e lëmuar si tespihe
Shket në varkën e përgjumur, feks me naze dashurie.
Ti më thua se për varkat s’bëj dot vjersha unë i ziu,
Sipas teje vargje thurte veç poet Orhan Veliu.
Të përgjigjem se Orhanin e njoh mirë e ma ka ënda,
Ky për varkat bukur shkruan, unë këndoj ç’ka varka brënda!
Ti zë qesh e thua prapë: “Ka poetë Arnaut-stani”?
Të përgjigjem: “Kish poetë që kur priste jatagani.
Në Stamboll nën jataganin ngrinte këngë e ligjërime
Një sulltan i poezisë, Naim beu i tokës sime!”
Marmaraja bojëgjelbër, bojë e çallmës së sulltanit
Përkund varkën tek turkesha i këndon Arnaut-stanit…
Poemën e plotë e gjeni KËTU