Agolli: Nuk besoj të këndojë si unë asnjeri për Kosovën…

Dritëro Agolli

Poezi nga Dritëro Agolli

Nuk besoj të këndojë si unë asnjeri për Kosovën në vargje
Dhe s’mendoj të lotojë askush si unë tani për tani,
Unë e njoh Kosovën nga pluhur i zverdhur në pragje,
Unë e gjej Kosovën në pikën e vesës atje në hardhi.

Unë e di si djall dhe lugat çdo gjë në Kosovë,
I di lugët e bujkut, i di stinët kur mbjell e kur korr,
E njoh sërbin dinak me gjarpër në kokë,
Gjarpër që rritën stërgjyshërit e sërbit në oborr.

Unë e di se ç’mendon malësori i Drenicës,
Minatori i Trepçës e di se ç’mendon,
Unë e di dhe në Vlorë atë lumin ters të Shushicës
Se ç’bën për Kosovën dhe ç’këngë nga Vlora këndon .

Unë i di të gjitha dhe s’ka kush më thotë
Se gjoja Kosovën nga larg si poet dashuroj,
Mes Kosovës jam brenda me kokën e ftohtë,
Ndaj Kosovën, si bukën, nga mitet vërtet çmitizoj …

*Titulli i origjinalit: Unë di shumë për Kosovën

ObserverKult


mërzitur testamenti poezi nga dritero agollit

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: KËNGA E POETIT PARA VDEKJES

Poezi nga Dritëro Agolli

Unë po vdes dhe toka mbledh shi.
Dikur ëndërroja të isha i madh.
Ah, gjepura! Sikur ta nisja rrugën tani,
Do shëmbja çdo mur e çdo gardh.
I mekur mes jush me veten po flas,
Vdekja përtypet dhe ha ananas…

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


DRITËRO AGOLLI: EDHE UNË U DASHUROVA…

Poezi nga Dritëro Agolli

Hëna brirët lan në lumë, uji yllin e spërkat,
Unë sillem nëpër shelgje sonte natën fillikat.

Bulku fshehur pas një drize lumit iso po i mban,
Natë e viseve të mia mbushur plot me jargavan.

Si një rrahje flete molle një të puthur afër ndiej,
Sonte njerëz dashurohen tek ky mal nën këta qiej.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult