Duartrokitje nga ballkonet, në nderim të aktorit të ndjerë Gëzim Kruja

As Covid-19, nuk mund t’i ndalë shkodranët që ta përcjellin Gëzim Krujën për në banesën e fundit si një artist siç ai e meriton.
Të hënën në pamundësi për t’u mbledhur për homazhe në teatrin e qytetit, faqja “Reagoj për Shkodrës” ka ftuar të gjithë që ta duartrokasin nga ballkonet teksa trupi i tij i pajetë kalon në qytet për të shkuar për në banesën e fundit, duartrokitje në formë vlerësimi, falenderimi për gjithçka ai ka dhënë.

Mjeshtri i madh Gëzim Kruja ndërroi jetë dje në moshën 80-vjeçare.

Gëzim Kruja ka lindur në Shkodër, në vitin 1939. Karrierën humoristike e ka nisur që në moshën 13-vjeçare.

Fillimet me Estradën amatore nisin që në kohën kur ishte ushtar më 1958. Më pas vazhdon aktivizimin në vitin 1960 me Estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja ka mbaruar në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.

Ka shkruar 15 komedi, 10 recitate, 2 libra me monologë gazmor. Ka interpretuar mbi një mijë role në skeçe të ndryshme dhe ka 52 vite që ushtron profesionin e humoristit. Në vitin 2004 ka marrë titullin “Krenaria e Qytetit”. Në vitin 2005 merr titullin “Naim Frashëri i Artë” dhe në vitin 2010 titullin “Mjeshtër i Madh”.