Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh

Books HD

Nga Alfred Uçi

Ka gjëra ose veprime kaq të rëndomta, të zakonshme, të përditshme, saqë shpesh jemi të bindur se ua njohim mirë thelbin, strukturën, funksionin, rolin dhe prandaj do të na dukej absurde, në mos qesharake të pyesnim se ç’ janë.

Më duket se një veprim i këtij lloji është dhe leximi (lëçitja) si tillë, por po të pyesnim se ç’është ai jo vetëm njerëz fare të rëndomtë, por edhe intelektualë të regjur me lexime gjithëshfarëshe, ndodh të na japin përgjigje fare të cekëta, të njëanshme, madje edhe banale.

Po ç’ka më nxit, të shpreh ca mendime për këtë problem, janë disa shqetësime të ditëve tona që shfaqen në shumë familje: Përse shumë fëmijë, por jo vetëm fëmijë nuk kanë dëshirë të lexojnë? Situata është shqetësuese kur mësojmë se nuk ka fonde për të blerë libra sipas profileve që kanë bibliotekat qendrore të universiteteve, fakulteteve, institucioneve shkencore e kulturore, pale fonde për botime të huaja.

Siç është problem kriminaliteti, korrupsioni, trafiqet, varfëria etj. , është bërë problem i rëndësishëm social-kulturor dhe mosleximi, tatëpjeta e tij në përmasa frikësuese. Këtu nuk kemi të bëjmë thjesht me shije personale, por me një plagë sociale, që dëshmon për një prirje disi të padukshme, të fshehtë, që i kundërqëndron me forcë të madhe asaj perspektive, për të cilën flitet shumë, për të hyrë si komb qysh në fillim të shek. XXI drejt një qytetërimi modern, për t’u integruar në Bashkimin Evropian.

Shqetësim është se leximi është duke u rrudhur dhe është fatkeqësi kur libri ka fituar lirinë e plotë, madje të tepruar me disa botime që më mirë të mos ishin. Kur përpiqemi të përcaktojmë faktorët më të rëndësishëm të zhvillimit të njerëzimit, të qytetërimeve, ne na shkon mendja lehtësisht te kultura, ekonomia, shkenca, teknika, feja, morali, filozofia, etj. Po kështu mund të përmendim disa nga shpikjet e zbulimet më të mëdha si zjarrin, rrotën, atomin, elektricitetin, artin, kompjuterin, etj.

Por, çuditërisht nuk na shkon mendja ta përfshijmë në këtë rrjesht ose në krye të tij LEXIMIN. Shpesh kjo harresë ushqehet edhe nga ndonjë keqkuptim rreth zanafillës së vonuar, siç mendohet, të shfaqjes së leximit si veprimtari e rëndësishme njerëzore. Ne i kemi provokuar pak përpara grupe nxënësish e studentësh, por edhe mësuesish, me pyetjen ç’është LEXIMI?

Me nënqeshje ironike, përsëriten këtë përgjigje: LEXIMI është zotërimi i një alfabeti dhe përdorimi i tij për të lexuar libra. Këtë përgjigje ne e quajtëm të cekët, gjysmë të vërtetë, në mos banale.

Është e vërtetë se zbulimi, krijimi i alfabeteve ka qenë një nyjë e një ngjarje e rëndësishme në jetën dhe historinë e njerëzimit; me të filloi përdorimi i shkrimit dhe dorëshkrimit. Ata popuj që e patën më përpara në kohë këtë vegël, shkuan edhe më përpara në krahasim me ata që s’e patën e u vonuan në qytetërim. Por, leximi si i tillë, është më i lashtë se sa alfabetet; ai është aq i lashtë, sa homosapiensi, sa shoqëria njerëzore, të menduarit e të folurit.

Sigurisht, nuk e kemi fjalën për leximin e alfabeteve, që kanë qenë produkte më te vona, por kemi parasysh leximin natyror, i cili ka qenë qysh në fillim një kusht i rëndësishëm i ekzistencës njerëzore, një premisë e domosdoshme për komunikim, i shkëmbimit të përvojës njohëse.

Me të drejtë thuhet se sikur të ndërpritej qoftë edhe për një kohë të shkurtër prodhimi global, shoqëria do të ndodhej para një katastrofe të pariparueshme, por ne do të mund të pohonim po kështu se po t’i kishte munguar njeriut aftësia për të lexuar, shoqëria do të kish qenë e paaftë për të prodhuar, pra për të ekzistuar.

Leximi e ka përcjellë njerëzimin jo vetëm në kohët parahistorike, por ky veprim vazhdon ta përcjellë atë në gjithë aventurën e ekzistencës së tij. Leximi është vegël e pazëvendësueshme me asgjë tjetër. Nuk është e rastit që në Bibël është thënë: “Në fillim qe Fjala”!

Një rëndësi të jashtëzakonshme patën bibliotekat e para që u ngritën, që fituan prestigjin e faltoreve dhe të bankave të thesarit, të begata në vlera intelektuale dhe me fuqi të madhe tërheqëse. Pa shkrimin nuk do të kishim patur “Dhiatën e Vjetër”, ” Zurenik”, ”Kodikun e Purpët” apo “Kodikun e Artë”, apo gjithë veprat e shkrimtarëve të Antikitetit dhe Mesjetës.

Leximi ka ushqyer fuqinë e dijes, e qytetërimit, progresit, prandaj ka patur ithtarë të përgjëruar të leximit e të shkrimit, martirë të vërtetë për Diturinë, por progresi ka patur dhe armiq të betuar që kanë ardhur nga stani i injorancës, siç pat ndodhur me Sokratin që piu helmin ose me Platonin skllav, me atë Mulla Omarin që dogji bibliotekën e madhe të Aleksandrisë, nisur nga mendimi se njerëzve u mjaftonte Kurani që demek kish të gjitha ç’i nevojitet jetës, ose si inkuizicioni që digjte gjatë Mesjetës librat dritëdhënëse se bashku me autorët e tyre, Xh. Brunon etj., që e detyroi mendjen e ndriçuar nga leximi të strukej për të lexuar në manastiret, në qelitë e tyre ku ruhej libri. Martirë të vërtetë të librit ka pasur edhe Shqipëria, si P. N. Luarasi, që përkthente në shqip dhe përhapte abetaren në shkollat e para rilindëse të vendit tonë

Një revolucion i madh që ka ndodhur në historinë e librit qe shtypshkronja tipografike, mekanike e Gutenbergut, në të cilën me 1448 u shtyp për herë të parë “Bibla”. Me kohë në kuadër të Revolucionit industrial u realizua një progres i madh i industrisë tipografike, që e ka bërë të mundur prodhimin e librave në sasi kolosale dhe uljen e kostos së riprodhimit të tyre.

Ky progres ka qenë shoqëruar dhe me rritjen e vazhdueshme të kërkesave për libra brenda sistemeve bashkëkohore arsimore e jashtëarsimore, si dhe me përsosjen e pasurimit kolosal të bibliotekave të profileve të ndryshme, duke përfshirë dhe ato personale, të sistemit të shpërndarjes, të tregtimit dhe të propogandimit të librit. Edhe brezi ynë ka patur fatin të shijoje dhe po shijon rritjen e botimeve tipografike dhe të tirazheve të tyre.

Është kënaqësi që shikojmë në libraritë gjithë ato libra, madje dhe ato “të ndaluara “, ”të mallkuarat” që i shihnim në libraritë e vendeve të tjera dhe që ndërronim të kishim dhe në shtëpitë tona.

Tema e leximit në jetën bashkëkohore është bërë një temë e parapëlqyer në çdo vend të botës. Ajo përcillet me diskutime e debate të shumta. Shqetësimet për problemet e leximit kanë filluar pas Luftës së Dytë Botërore, kurse jehona e diskutimeve të thella ka arritur vonë, megjithëkëte më mirë vonë se kurrë. Problemet që ngre E. Montale, shkrimtar nobelist i mirënjohur, në esenë me titull “Arti i leximit” janë bërë aktuale edhe për jetën kulturore e sociale të shoqërisë sonë. Montale i është referuar kryesisht leximit të letërsisë artistike dhe prandaj e çmon si atribut të pandarë të leximit kënaqësinë estetike, kurse ne duam ta trajtojmë leximin në kuptimin më të gjerë të fjalës, si akt specifik të leximit të çdo gjëje të shkruar e të botuar, të leximit në përgjithësi, të çfarëdollojshëm që njeriu e bën për arsye shumë të ndryshme.

S’ ka dyshim se shumica e njerëzve që lexojnë sistematikisht përfitojnë kënaqësi, e cila është një stimul e një akt psikologjik emocional, që përcjell në mënyrë suksesive leximin. Po qe se libri të pëlqen, e lexon me një frymë deri në fund, por kur nuk të pëlqen e mbyll dhe e flak tutje. Ka shumë libra që të pëlqejnë, por ka dhe libra që s’ të pëlqejnë. Çdo njeri është i detyruar dhe lexon edhe libra që s’i pëlqejnë.

Kështu, çdo nxënës ose student për të plotësuar programin mësimor është i detyruar pavarësisht nëse i pëlqen ose jo të bëjë lexime të detyrueshme. Dhe, s’ka besoj ndonjë nxënës apo student që të pëlqejë çdo tekst të çdo lënde mësimore që të kënaqet, ta shijojë si gjë të këndshme, jo vetëm kur teksti është i rëndë, i mërzitshëm, i pakuptueshëm, por edhe kur është i thjeshtë, i shkruar mirë, por i një lënde që s’pëlqehet. Ndodh që leximet e detyrueshme që s’pëlqehen bëhen faktorë që kultivon te lexuesit alergji ndaj leximit në përgjithësi. Por, kjo që pohuam tregon se leximi është diçka më e gjerë se sa leximi thjesht për kënaqësi.

Nuk bën të mendohet sa kënaqësi i sjell njeriut vetëm leximi i letërsisë, poezisë, teksteve artistikë. S’ka dyshim se çdo tekst artistik pëlqehet ngaqë domosdoshmërisht ka një natyrë estetike d.m.th. hartohet që të krijojë lidhje emocionale me lexuesin, të pëlqehet, të dhurojë kënaqësi.

Por, ka edhe shumë raste kur disa lexues parapëlqejnë tekste të vështira, matematike, fizike, biokimike, tekste të ngarkuara me sisteme shenjash simbolike të ndërlikuara dhe megjithkëtë përfitojnë kënaqësi më të madhe nga çka të dhurojnë tekstet artistike, që në krahasim me tekstet shkencore i quajnë “Përralla”, i quajnë fantazi së koti. Kjo tregon që në këto raste lexuesi njeh raportin midis tekstit e realitetit, sepse dhe leximi mund të jetë shkencor, i pëlqyeshëm dhe përfton kënaqësi, sepse i dhuron lexuesit dije të sakta shkencore, kurse po këtij lexuesi nuk i duket i mbushur me gjepura, me gënjeshtra, me trillime fantastike.

Shembujt që përmendëm tregojnë se leximi nuk është thjesht kënaqësi. Leximi është një akt i ndërlikuar kulturor, shkencor, psikologjik dhe nuk reduktohet vetëm në rastet e leximit të këndshëm argëtues. Krijimi i veprave artistike, i teksteve letrare poetike është njëlloj pune sigurisht e një lloji të vecantë, por gjithsesi punë.

Është një impenjim kryesisht mendor, intelektual, emocional, psikologjik, por edhe fizik, po të teprohet leximi bëhet i lodhshëm, i mundimshëm siç është çdo punë. Leximi nuk është angazhim thjesht për t’ u dëfryer, për të të zënë gjumi ose për të vrarë kohën. Ai është angazhim që e nënkupton lodhjen që mund të të pëlqejë po që dhe mund të të mos pëlqejë.

Brezi i ri duhet te mësohet ta kuptojë se leximi është një investim drejt së ardhmes për një profesion të parapëlqyer, për një jetë më produktive, për të përballuar kërkesat e shkollës, të kulturës, shkencës, qytetërimit. Njeriu që s’ lexon në kohën tonë mbetet injorant, gjysmak, nuk e gëzon lirinë, zgjedhjen e veprimit.

Nëse e pranojmë leximin si punë atëherë duhet të flasim edhe për mjeshtërinë e të lexuarit. Çdo lloj pune është art, mjeshtri më vete. Çdo mjeshtri ka sekretet e marifetet e veta. Secila dallohet për nga lloji i dijeve, i përvojës, nga mjeti që përdor dhe që e drejton drejt veprimtarisë së qëllimshme. Edhe leximi si njëlloj mjeshtrie ka specifikën e vet. Ai ka një qëllim drejt së cilit synon. Është një angazhim serioz i njeriut për të.

Duhet të dish të lexosh, çfarë të lexosh, e si të lexosh.

Ka njerëz që lexojnë, po kur mbarojnë së lexuari qoftë dhe një tekst minimal nuk janë në gjendje të tregojnë se çfarë lexuan e cili qe kuptimi i tij. Të LEXOSH do të thotë të përvetësosh informacionin e plotë që është depozituar në përmbajtjen e fjalëve, të shkrimit, të tekstit. Struktura e çdo teksti nuk është e njëjtë.

Ka tekste të rënda që kërkojnë një impenjim më të forte intelektual e fizik të lexuesit. Duke u nisur nga tekstet e vështira shkencore e jo shkencore, për të deshifruar kuptimin e shumëkuptimin e tyre janë formuluar dhe këshilla e rekomandime praktike për mënyrat e leximit.

Faguenti, studiuesi i mirënjohur i leximit në përgjithësi, ndaj pyetjes se si duhet lexuar, ka dhënë këtë përgjigje: së pari të lexohet shumë ngadalë, së dyti të lexohet shumë ngadalë dhe së treti të lexohet shumë ngadalë.

Kjo këshillë që trefishohet, sigurisht është e dobishme në përgjithësi dhe vlen për ta mbrojtur lexuesin nga një lloj leximi i përshpejtuar e diagonal, që kryhet zakonisht nga cektësia kulturore e lexuesve, që priren për të mos e vrarë mendjen, kurse leximi i ngadalshëm, i vëmendshëm është mënyra më e frytshme duke nxjerrë gjithë informacionin nga çfarëdo lloj teksti sidomos nga tekstet e vështira e me densitet të madh informativ.

Edhe tek ne ka marrë përpjetë botimi, shitja e leximi i një letërsie të atillë, që do ta quanim letërsi për të humbur kohën, letërsi për dembelë. Plot libra, sidomos revista të ilustruara që vetëquhen “moderne”, të cilat i ka nëpër duar një numër i madh lexuesish ndikojnë negativisht në aftësitë lexuese duke deformuar shijen e kulturuar të leximit, duke e vrarë dhe duke e bërë lexuesin të paaftë për të diferencuar një tekst që meriton të lexohet nga një tekst banal, vulgar, të ceket madje dhe nga ato që i përkasin antikulturës.

Gjysma e dytë e shekullit XX ka qenë periudhë e një kthese të pabesueshme e të habitshme në shumë sfera të teknikës e shkencës, por mendoj se më e rëndësishme ka qenë e vazhdon të jetë krijimi i një sistemi krejt të ri, jo tradicional komunikimi, mjete moderne të transmetimit, të informacionit kompjuterik, internet, mjetet audiovizuale, riprodhimet artistike, botimet e filmat vizatimorë, kinematografia televizive, diskotekat, albumet e revistat e ilustruara etj. Të gjitha këto mbartin në vetvete një potencial kolosal akumulimi e transmetimi informacioni kulturor, artistik e shkencor të shumëllojtë.

Ky progres po vazhdon me ritme të habitshme, aq sa qytetërimi i shek. XXI ka zënë të quhet “qytetërim i mjeteve digjitale”. Ne asistojmë në aktivizimin e një sistemi të ri, që po e quajmë lexim dixhital.

Ka njerëz të informuar mirë për progresin bashkëkohor teknologjik, që e konsiderojnë shtrirjen e këtij sistemi si një të keqe të madhe, që kinse po e mënjanon mënyrën klasike të leximit të librit, që po e largon spektatorin nga leximi i librit.

Këtë prirje e lidhin me rritjen e jashtëzakonshme të trysnisë së veprimtarive thjesht argëtuese, zbavitëse, audiovizuale, jo vetëm të varfra për nga vlerat e mirëfillta kulturore, shkencore, sociale e informative, madje edhe me fuqinë negative në planin moral (filmat më shumë që mbytin ekranet televizive dhe dukuri të tjera me karakter antikulturë).

Në fakt, ky opinion nuk është plotësisht i saktë. Është e vërtetë se në kohën e sotme ekziston një kontradiktë midis mundësive të pakufizuara komunikuese e transmetuese informative të teknologjive moderne dhe një prapambetje relative të kulturës individuale të leximit të librit.

Është e vërtetë se sot ekzistojnë masa të mëdha njerëzish që lexojnë përmes internetit, që përdorin aparatura digjitale për të lexuar fondet e bankave informative, të bibliotekave, që lexojnë gazeta, revista, libra të të gjithë bibliotekave të botës, të përfshira në internet e në rrugë të tjera informative, me ndihmën e kompjuterëve, që lexojnë filmat vizatimorë, albumet e revistat e ilustruara, që e marrin gazetën në shtëpi etj.

Mirëpo, këto grupe lexuesish jo vetëm e shtojnë numrin e përgjithshëm të lexuesve, por përbëjnë një kontigjent për herë e më të madh, madje një kontingjent që i përket e ardhmja. Edhe te ne ka filluar të rritet interesimi për të përdorur mjetet digjitale të leximit.

Por, frika lind nga keqpërdorimi i këtyre mjeteve moderne të komunikimit, sidomos të masmediave, të cilat nuk i ndërtojnë emisionet e programet e tyre në përputhje me nevojat e shumanshme të kulturës, arsimit, edukimit sidomos të brezit të ri dhe kërkesave të zhvillimit të teknologjive moderne dhe institucioneve të ndryshme, që mund të funksionojnë pa aktivizuar mjetet e komunikimit digjital, pa i mësuar njerëzit të lexojnë me kulturë dhe me mënyrat e reja të teknologjive moderne.

Ndaj është me shume rëndësi të dimë si dhe çfarë të lexojmë.

ObserverKult


Shishe në det

Lexo edhe:

SHKRIMTARI I NJOHUR: Ç’PUNË KANË POLITIKANËT ME PANAIRIN E LIBRIT?!

Panairi i librit ishte tema e bisedës në studion e emisionit “Open” në News24. Shkrimtari dhe dramaturgu Stefan Çapaliku deklaroi se problemi krucial i çdo panairi është mungesa e shifrave. Sipas tij, Shqipëria nuk ka shifra për botimet dhe leximin. Ai theksoi se institucionet në vend që të dalin për të bërë poza, duhet të monitorojnë situatën, duhet të publikojnë shifra, siç publikon shifra çdo vend i qytetëruar.

Çapaliku u shpreh dhe kundër hapjes së panairit nga politikanët.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:


fatmir r. gjata

CIKËL POETIK NGA FATMIR R. GJATA: FTUA MES LËNDINËS

Ju ftojmë të lexoni një cikël të zgjedhur poezish nga Fatmir R. Gjata:

Prift

Unë linda prift pa kryq ndër duar,
në fushë të pambarim
Ku diell nuk kish të perënduar,
por kish vetëm agim.

Ku baltë në pluhur kthehej shpesh,
kur vdiste mbrëmjes pranë
Në grurë të mbirë bëja një meshë,
nën yjë me temjan.

Le të më thonë s’jam shënjtëruar,
s’më bëhet vonë për fjalë
Me Myzeqenë jam dashuruar,
qëkurse isha djalë.

Tashmë jam bërë burrë i thjeshtë,
me flokë të bardhë e mjekërr
Në stinë të moshës jam në vjeshtë,
paçka s’dukem i vjetër.

Por mbaj në dorë bibël të shkruar,
e gjithë me poezi
Unë linda prift pa kryq ndër duar,
jam prift për dashuri.

Një jetë

Të zhveshur erdhëm në këtë botë,
të zhveshur duke qarë
Një jetë harxhojmë kot më kot,
duke kërkuar varr.

Por varret qënkan kaq të shtrenjtë,
kushtokan sa më s’ka
Sa kohë na u dashka Zot i shënjtë,
ta blejmë me para.

Dhe prapë të zhveshur e të shtrirë,
do ikim pa u ndjerë
Do mbesë diku ndonjë dëshirë,
do mbesë diçka me vlerë.

Kur vijmë qajmë dhe vetë s’e dimë,
kur ikim qajnë përreth
Ndoshta dhe njerëzit janë bimë,
dhe vjeshtës humb gjeth.

Ftua mes lëndinës

Nuk di çfarë ngjet kështu me mua,
në ëndërr të pash mbrëmë
Nga degë e brishtë merrja një ftua,
e ndukja pak me dhëmbë.

Pastaj e hidhja prehrit tënd,
kafshoje pak dhe ti
Nuk ishte mollë që t’erdh ndër mënd,
ish frut për dashuri.

Harroje bibël çfarë është shkruar,
kjo nuk është pemë e lashtë
Mbi grurë shkoi diell i perënduar
mbi brazdat plot me kashtë.

Dhe frikë kam ende, nuk ish gjumë,
as ëndërr parë në natë
Të thoshja ohh të dua shumë,
të prekja flokë të gjatë.

Ndaj ende s’di çfarë ndodh mes nesh,
është jetë a fantazi
Tek ftoi i madh do bëj një meshë,
do ndez dhe një qiri.

Pemë e vetmuar

Tej larg një pemë kërkon hije,
por hijet tundin kreshtë të mpirë
Ndoshta e bëjnë prej zilie,
ndoshta braktisin me dëshirë.

Tej larg një pemë humbet në mjegull,
në mes lëndinës plotë me bar
Duket se qiell e mban pezull,
e lë plagosur e pa vrarë.

Tej larg një pemë më pret gjymtuar,
se ç’frut do bëjë as vetë se di
Është thjesht trung i përgjysmuar,
pa qënë sëbashku unë e ti…

Sa herë…

Sa herë mendoj fytyrën tënde,
sa herë e sa herë e sa herë
Një gjeth i lirë më vjen në mëndje,
kur sillet vërtitshëm në erë.

Dhe s’di pse vorbull e pashpresë,
më çon ndër vise që s’kam parë
Mes qiellit dhe tokësë në mes,
bëhem dhe vetë një gjeth e tharë.

Kam frikë se shpirt më mbeti vluar
mishi m’është tretur nëpër terr
Sa herë në jetë të kam dashuruar,
sa herë e sa herë e sa herë.

Bar në mbrëmje

Në mbrëmje isha ulur
i vetëm në një bar
Dikush këndonte zishëm
e lozte me kitarë
Një tjetër po lexonte
gazetën nëpër duar
E tjetri kthente gotat
e dukej hidhëruar.

Tej muzgu fërgëllonte
e dridhej gjithçka ish
Diçka mbeste në shpirt,
diçka mbeste në mish
Përpara meje filxhan
mbet gati gjysëm plot
Ndoshta ish mbush me helm
a ndoshta ish me lot.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult