“Duke mësuar të jetoj i vetëm”, fragment nga “Robinson Kruzo” i Daniel Defoes

Nga Daniel Defoe

Kisha nevojë ende për shumë gjëra. “Mirë pra”, thashë me vete, “më duhet të filloj të bëj ç’më duhet.” Kështu, çdo ditë, punoja.

Së pari, doja të bëja më të madhe guvën time. Fillova të nxjerr jashtë gurët nga shpella dhe pas disa ditësh pune shumë të madhe, kisha një guvë të madhe në anë të kodrës. Pastaj kisha nevojë për një tryezë dhe një karrike dhe kjo ishte ajo që do të bëja tani. Kështu vazhdova të punojë për një kohë të gjatë. Më duhej, gjithashtu, edhe një vend ku të ruaja ushqimin dhe gjithë veglat, bashkë pushkët e mia. Por, sa here që më nevojitej një copë dru, mua më duhej të prisja një pemë.
Ishte një punë e mundimshme, e vështirë dhe gjatë muajve të tjerë mësova të isha më i kujdesshëm me sendet e mija. Nuk kisha përse nxitoja. Kisha gjithë kohën që më duhej.

Dilja për çdo ditë jashtë dhe gjithnjë merrja me vete pushkën. Ndonjëherë vrisja ndonjë kafshë të egër dhe kështu mund të haja edhe mish.

Por sapo errësohej, shtrihesha për të fjetur, sepse nuk kisha dritë. As nuk mund të shkruaja, e as nuk mund të lexoja, sepse nuk shihja fare.
Për një kohë të gjatë nuk e dija se ç’të bëja. Por me në fund, mësova se si mund të bëja dritë me dhjamin e kafshëve që vrisja.

Koha në ishull zakonisht ishte e ngrohtë, por shpesh kishte stuhi dhe binte shi. Qershorin që pasoi ra shi vazhdimisht, kështu që nuk mund të dilja shpesh jashtë. Për disa javë rresht isha i sëmurë, por dalëngadalë e mora veten. Sapo u bëra më mirë, fillova të shëtis. Herën e parë munda të vras një kafshë të egër shumë të madhe, ndërsa herën e dytë zura një breshkë gjigande.
Për dhjetë muaj rreshtë nuk brodha nëpër ishull dhe vetëm pas kësaj periudhe fillova të lëviz sërish. Gjatë gjithë këtyre muajve u mora me rregullimin e guvës, shtëpisë dhe gardhit rrethues. Tani isha gati të dilja dhe të shikoja pjesën tjetër të ishullit.

Së pari dola të shoh përgjatë përroit. Atje pashë gropa të mëdha, të hapura, pa asnjë pemë. Më tutje pashë pemë me fruta të ndryshme dhe vendosa të merrja disa prej tyre, t’i lija të thaheshin në diell për disa kohë.
Kështu mund t’i ruaja për muaj të tërë dhe të haja fruta në çdo kohë.
Atë natë u ngjita të fle mbi pemë për herë të dytë, ndërsa ditën tjetër vazhdova lundrimin tim. Shumë shpejt, dallova një të çarë të madhe në kodër. Përpara meje çdo gjë ishte e gjelbër dhe syri të kapte lule nga çdo anë. Kishte gjithashtu lloje të ndryshme zogjsh dhe kafshësh. Atëherë kuptova se shtëpia ime ishte në pjesën më të keqe të ishullit. Por nuk e dija se si mund të lëvizja prej atje. Tashmë shtëpia ime ishte atje. Brodha për rreth tri ditë dhe vetëm pas tre ditësh u ktheva në shtëpi. Por shpesh shkoja të vizitoja pjesën e gjelbër të ishullit.

Kështu vazhdonte jeta ime. Çdo muaj që kalonte unë mësoja të bëja një gjë të re. Ndërkohë më kishin ndodhur edhe ngjarje të pakëndshme.
Një herë shpërtheu një stuhi e vrullshme, shoqëruar me një rrebesh të fortë shiu. Çatia e guvës sime u rrëzua dhe për pak sa s’më zuri brenda! Kështu m’u desh të ndërtoja një të re me disa copa druri.                                       


Tashmë ushqime kisha plot. I gatuaja me zjarr ose i thaja në diell. Kësisoj, gjatë muajve me reshje unë kisha gjithnjë mish, edhe kur nuk mund të dilja për të gjuajtur. Mësova të bëj poçe të ndryshme, të cilat më shërbenin për të mbajtur ushqimin. Por dëshiroja të bëja një enë prej balte të madhe e të fortë, që të mund t’i qëndronte zjarrit. U përpoqa disa herë, por nuk ia arrita dot.
Por një ditë qëllova me fat. Pasi bëra disa enë balte i vendosa ato në një zjarr shumë të madh. Ato ndryshuan ngjyrë, por nuk u thyen. I lashë aty për orë të tëra dhe kur i hoqa, pasi ishin ftohur, pashë që ato ishin bërë të forta dhe të rënda. Atë natë isha vërtetë i lumtur. Për herë të parë në ishull mund të kisha ujë të ngrohtë.

Unë munda të siguroj edhe bukën, dhe ky ishte fat. Një ditë gjeta një çantë të vogël. Në anije atë e mbanim për të mbajtur ushqim pulash. Disa prej atyre farërave i shpërndava rreth e qark. Një muaj më vonë dallova diçka të gjelbër që ndriçonte mbi dhé. Pas gjashtë muajsh unë pashë një fushë të vogël me misër. Isha shumë i gëzuar.
Ndoshta tani mund të bëja vërtetë bukë!

Është thjeshtë ta thuash një gjë të tillë, por eja ta bësh një herë!
Donte shumë punë të bëje bukën e misrit.
Bukën e hanë shumë njerëz e marrin drithin nga fusha dhe bëjnë bukë pa ndihmën e ndokujt?
Po mësoja të bëja shumë gjëra të reja dhe m’u desh një vit që të gatuaja dhe të haja bukën time të parë. Megjithëkëto, gjatë gjithë kohës, mendimi për t’u larguar nga ishulli, nuk më hiqej nga mendja. Ndërsa ecja në anën tjetër të ishullit, prej atje mund të shikoja ishujt e tjerë dhe thoja me vete: “Ndoshta me një varkë unë mund të arrij gjer atje. Ndoshta një ditë mund të kthehem në Angli!’

Kështu vendosa që ta ndërtoja vetë një varkë. Preva një pemë të madhe dhe fillova të hap një vrimë të gjerë në të. Ishte vërtetë një punë e vështirë, por pas gjashtë muajsh unë kisha një kanoe të vërtetë. Të nesërmen e tërhoqa me të rrëshqitur atë drejtë bregut. Sa i marrë që kisha qenë! Si nuk më shkoi më parë në mendje një gjë e tillë? Natyrisht që varka ishte vërtetë e rëndë dhe unë nuk mund ta lëvizja dot. U përpoqa ta tërhiqja dhe ta shtyja, provova gjithçka, por ajo s’luante nga vendi. U mërzita vërtetë shumë.
 
Këto ishin ndodhitë e katër viteve të parë në ishull. Në gjashtë vjet munda të bëj varkë më të vogël, por me të nuk mund të largohesha nga ishulli. Varka ishte shumë e vogël për një lundrim të gjatë, ndërsa unë nuk doja të vdisja në det. Ishulli tashmë, ishte shtëpia ime, dhe jo burgu im. Isha i lumtur që isha gjallë.

Një vit, a dy më vonë, ndërtova një varkë tjetër në anën përkundrejt ishullit. Gjithashtu ndërtova për vete edhe një shtëpi tjetër, kështu që u bëra me dy.

Jeta ime ishte shumë e ngarkuar nga mëngjesi në mbrëmje. Aty gjithnjë kishte diçka për të bërë. Mësova, që, me lëkurën e kafshëve të vrara, të bëj rroba për vete. Duket vërtet e çuditëshme, por ato më mbanin të palagur kur binte si.

Mbaja ushqim dhe vegla në të dyja shtëpitë, mbaja edhe dhi të egra. Kishte shumë të tilla nëpër ishull, kështuqë rrethova një pjesë të fushës me gardh për t’i mbajtur ato brenda.

 Ato mësuan ta hanin ushqimin prej dorës sime dhe shumë shpejt unë mund të pija qumështë të freskët për çdo ditë.

Vazhdoja të punoja shumë edhe në fushën time me misër. Dhe kështu kaluan disa vite.

(Shkëputur nga libri “Robinson Kruzo” të Daniel Defoe )

E përgatiti: ObserverKult


Lexo edhe:

FLASIM GOXHA SHUMË E NUK THEMI GJË… HARROJMË DASHURINË… (VIDEO)