Dulce Maria Loynaz: Balada e dashurisë së vonë

Dashuri që vjen aq vonë,
më sill të paktën prehje :
ti dashuri e vonuar, nga ç’udhë
endacake vjen tek vetmia ime ?

Dashuri që më ke kërkuar pa të kërkuar,
nuk di kush vlen më shumë :
fjala që do të më thuash
apo ajo që unë s’e them dot…
Dashuri… Nuk ke ftohtë ti ? Jam Hëna :
Kam vdekjen e bardhë dhe të vërtetën e largët…

Mos m’i jep trëndafilat e tu të freskët ;
jam shumë e ngrysur për trëndafila. Më jep detin…
Dashuri që vjen aq vonë, ti s’më ke parë
dje kur këndoja në fushën me grurë…
Dashuri e heshtjes dhe lodhjes sime
Të paktën sot, mos më bëj të qaj.

Në shqip: Urim Nerguti