Nga Mimoza Kuchly
Kisha kohë që hulumtoja rreth “ndriçimit” të figurës së Ali Pashë Tepelenës, pas shqipërimit të një tragjedie me pesë akte, shkruar nga Lemercier, akademik francez më 1822, kur Ali Pasha ishte ende gjallë.
Fatkeqësisht edhe pse kjo tragjedi “Epiri modern” pritej me padurim, siç shkruhet në shtypin e kohës, ajo nuk u lejua të shfaqej në skenë, pasi shteti francez nuk donte të prishte marrëdhëniet me vendin e Ali Pashait.
“Aliu u rrit me revolucionin francez dhe vdiq pothuajse në të njëjtën kohë me Napolon Bonapartin, (10 muaj diferencë ) por Pashai pati një vdekje më dinjitoze, që i shkonte pasurisë së tij, karakterit të fortë dhe dëshirës që kishte për fundin e jetës”, – do të shkruhej në parathënien e biografisë “Jeta e Ali Pashait, Vezirit të Janinës i ashtuquajturi Luan – Alphonse de Beauchamp, 1822).
Mjaftojnë këto rreshta dhe kureshtja ndaj Aliut të Tepelenës të tërheqë vëmendjen jo vetëm të çdo shqiptari, por edhe historiani, pa dallim kombësie.
Jeta e Luanit të Janinës, e një ndër figurave më problematike, enigmatike mbetet e shpjeguar keq jo vetëm në biseda tavoline, por edhe në historinë e Shqipërisë.
Duke qenë se për Napoleon Bonopartin kam jo pak informacion falë seminareve në Universitetin e Sorbonës, ndjeva një farë krenarie që edhe Ali Pasha ishte “pagëzuar” si Napoleon për Ballkanin, po ashtu për interesimin ndaj “anadollakut” tonë, jo vetëm në shtypin francez, por edhe në bisedat me Alipashologun më të njohur shqiptar, profesor Irakli Koçollari, i cili i sjell lexuesit shqiptar dokumente e të dhëna nga studiues grekë, francezë, anglezë, rusë etj., që qartësojnë pazëllin e kësaj figure.
U ngacmova në hulumtimet rreth Ali Pashait, kur pas këngës së dy varreve, “kokën në Stamboll e trupin në Janinë, të grinë Pasha të grinë” , mësova se Napoleoni ynë, paskësh edhe dy data vdekjeje: e para, 24 janari 1822, dita kur i prenë kokën pabesisht, (këtu nuk i hyj tezave të pabesive të tij, për momentin) por edhe ajo e 26 gushtit të vitit 1830 me të cilën kam një lidhje personale.
Ali Pashai vdiq më janar të vitit 1822, por çuditërisht, vdekja “e vërtetë”, siç thuhet ajo politike, apo “rënia e yllit të tij” është gushti i vitit 1830.
Kjo nuk është e rastësishme dhe as një legjendë e krijuar, është një datë për të cilën kam kërkuar informacion, por fatkeqësisht ende jo të dala nga arkivat.
Përse Ali Pashë Tepelena “vdiq përfundimisht” 8 vjet më vonë? Pse kjo datë i bashkëngjitet vdekjes së dytë të tij, përkon me ditën kur u krye Masakra e Manastirit?
Në një tavolinë familjare me kushërinjtë e mi nga Korita e Skraparit, më ngacmoi biseda me Demir Koritën Hatellari, shkrimtar, i cili kur i fola për karrierën time disavjeçare si oficere në Forcat e Armatosura Shqiptare, mu shpreh: “Nuk është e çuditshme, ndoshta ti nuk e di, por Pashua, gjyshi i Mehmet Bej Koritës, gjyshi i nënës tënde, (dhe të tjerë pas tij) ka qenë ushtarak trim, e jo vetëm kaq.
Pashoja (1780-1830), pas rënies së Ali Pashait, së bashku me shumë trima të Skraparit, ishte kundërshtar i hapur i pushtetit dhe administratës turke.
Kështu, edhe Pashua ishte midis atyre 800 burrave, (shifrat jepen nga 500-1000), të cilët u tradhtuan nga Mytesarifi i Beratit dhe nga vëllezërit Vrionas, Hysen e Kahreman.
Për t’i nderuar, sulltani kishte dhënë “urdhër” që atyre, do t’u jepeshin ofiqe e pensione, por së pari duhej të shkonin në Manastir, ku do të merrnin pjesë në një ‘paradë’ ushtarake e do t’u organizoj një pritje e rëndësishme.
Kështu në ‘besë’ të bashkëpatriotëve të tyre, atje shkuan rreth 800 trima, paria dhe elita e toskëve, të cilët vërtetë gjatë paradës u vendosën në podium, por në një moment të caktuar armët u drejtuan kundër tyre dhe masakra ishte një ndër kasaphanat më gjakëderdhëse që njeh historia.
Serasqeri Reshit Pasha u dha urdhër ushtarëve të qëllonin në të gjitha drejtimet, duke i vrarë rebelët toskë, ku midis tyre ishte dhe Pashua.
Masakra e Manastirit 1830 apo masakra e elitës toske, njihet në histori si një gjenocid i ushtrisë turke ndaj kryengritësve. Vrionasit si shpërblim për këtë pabesi ndaj këtyre trimave, Sulltani i gradoi me titullin Pasha dhe iu dha sipërfaqe të mëdha toke në Myzeqe”(D.K).
Më e habitshme është kur dëgjon ndonjë pseudohistorian që historia e Masakrës së Manastirit ishe një ese e rilandësve romantikë, më pas sajim i penës së Ismail Kadaresë dhe regjimit komunist, pasi në të vërtetë ata nuk ishin trima, elita e toskërishtes siç flitej, por zullumqarë,banditë, hajdutë ndaj dhe sulltani dha urdhër t’i masakrojë.
Kaq fillestarë të jenë në logjikim që jo vetëm mohojnë meritat e paraardhësve të tyre, por në mënyrë naive e mbi të gjitha keqadashëse, ulin vlerat e atyre burrave, heronj, të cilët me armë në dorë u ngritën kundër Portës së Lartë!
Që kur sulltani i madh, apo Porta e Lartë, shtronte bankete për cubat dhe hajdutët shqiptarë? Pse i duheshin kokat e tyre të prera të vendosura në hunj që lanë rrugët nga Manastiri në Stamboll me gjak, t’i dërgoheshin për të mbushur “kamaret e turpit”? “Manastir zullumi të daltë, gjashtë muaj gjaku në baltë”!
Ja pra, pse data 26 gusht 1830 shënon rënien përfundimtare të “sistemit alipashëtepelenas”, pasi gjithë trimat që u vranë në masakrën e Manastirit, ishin dikur nën shpatën e tij dhe mbetën ata, të cilët nuk u trembën nga taborët turq ndër vite edhe pas vdekjes së Napolonit Ballkanas, i cili ndër të tjera u përpoq të krijonte shtetin shqiptar brenda shtetit turk.
Përse nuk flitet e vërteta e Masakrës së Manastirit, kur arkivat jo vetëm turq, por edhe ata shqiptarë, kanë listat e atyre trimave që Sulltani i masakroi në pabesi?!
Sipas historianëve, thuhet se nëse paria e luftëtarëve, ushtarakëve, bejlerëve nuk do të ishte masakruar më 26 gusht 1830, pavarësia e Shqipërisë do të ishte shpallur të paktën 50 vite më herët, por Sulltani ndaj edhe e kreu këtë ngjarje makabre, për të vënë “në hyqëm” shqiptarët rebelë, që donin t’i largoheshin pushtetit të tij.
Kur dhe ku duhet të vendosen lulet në shenjë nderimi për këta luftëtarë që historia dhe historianët tanë ende nuk u kanë ngritur një lapidar përkujtimor dinjitoz?
Stërgjyshërit tanë nuk kanë gojë të flasin, por gjurmët e tyre i ndeshim kudo, ndaj le t’i japim historisë sonë atë që i takon asaj dhe identitetit tonë, të një ndër popujve më të pushtuar të Ballkanit, masakruar, copëzuar, por që i ka rezistuar me vetëmohim çdo përpjekjeje për ta shuar! / panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
BUQETË POETIKE NGA ADRIATIKE LAMI: PAS DASHURISË TËNDE, SHKËRMOQET ÇDO NGACMIM BURRI!
Ju ftojmë të lexoni një cikël poezish të zgjedhura nga poetja Adriatike Lami, shkëputur nga libri i saj i fundit me poezi “Tango në prill”, botuar nga “Pegi”, Tiranë.
Tango në Prill
Kërce me mua, ma merr dorën,
Nën hijen e hënës përpimë gjatë.
Kapërtheji këmbët si nëpër pe dëshire,
Zjarr bulëzo, ndiz me bashkën e artë.
Kërce me mua, ashtu, trup më trup,
Ngjitur sa hapi të bëhet njësh, unik,
Të shoh në sy, më drejton thellë syri yt,
Ai është muzikë e kthjellët, muzikë.
Po ç’është ky vallëzim i panjohur më parë,
Që qenia e pranon ashtu krejt rrëmbimthi!?
Më tremb epiqendra e saj e bardhë, e rrallë,
Më çmend sharmi i beftë, pasoja si stuhi dimri.
Kërce thjesht me mua, besoi hapit tim shpirt,
Aty bashkohen lumenj gjaku, mendje, zemre,
E ti i dashur, që ke vozitur lundra joshjesh pafund,
Po hutohesh pakëz nga ky përrua i vërtetë jete!?
Është tango mahnitëse ky kompozim prilli,
E re, si re bore me shkulm rrënues pranvere,
Sa shumë e duan ta mësojnë ritmin nga ne,
Ata, që mëkojnë sinkron dashuri të përjetshme.
Unë jam French-i yt
Unë jam puthja e jetës për ty i dashur,
Kulpër mbrëmjeje mbjellë në kraharorin tënd!
Largoji kohët nga njëra–tjetra, ndale atë tren.
Ëndërro vetëm me mua, jo më me kërkënd.
Oh, sa më pëlqen të jem puthja e artë, i dashur
Të përskuq si lulëkuqe çdo përfytyrim mbi zjarre,
Kur mëngjesi të vijë me mua, zgjeroje atë shtrat,
Kujtesë të mos ketë më, por vetëm të ardhme.
Sërish t’ia nisim, sërish me një puthje franceze magji.
Ashtu le të ndihet natyrshëm, e veçanta jonë, art në baltë.
Çdo gjë që ke dashur e ke përpara, i dashur, mbaje në gji,
Vështromë ti mua, pas një malli, le të shpiket një mall i ri.
Ti hyre m’u në zemër të pranverës
Ti hyre m’u në zemër të pranverës sime,
Me ritmin e saj të çmendur, por edhe të butë,
Nga ta dija unë dreqi vetë, fatin e kësaj here,
Që po na djeg të dyve, ndërsa lindim shpuzë.
Në fytyrën time fle aroma jote
Fle aroma e burrit që dua mbi trupin tim, mbi fytyrë,
Nga mbrëmë si në netët e gjata, krejt pa lirë fryme,
Eh, i dashur me brajë dashnie; mbroje këtë stinë,
Kur amësimi i paanë, ruan timen si zemër bryme
Dritë që shndrit pas shpinës sime
Pas meje drita ka hedhur krahë mbi qytet.
Pas meje ka dritë të bukur veç nga syri yt,
Dielli ruan himnin e vjetër tallës mbi retë,
E ti shpinën prej dashurisë ma shndrit, shndrit…
Dashuritë digjen si yjet, ndërsa lindin
Dashuritë lindin papritur nën hëna të plota,
Në flakë i gjen mesnata, si sonte kjo e jona,
E ndërsa përqark nuk gjen më flakëhedhësa,
Dashuritë e mëdha digjen ndër vete si yllëza.
Ujëvarat nuk shihen në mote të thinjura
S’të kam folur për ujëvarat dhe dëshirën për t’i parë,
As për magjitë, që ato mbrojnë në gjire të nginjura,
Do shkojmë bashkë kësaj vere, le të vdesë pasioni,
Ujëvarat, i dashur, nuk shihen në mote të thinjura.
Dashuri në kurth
Shpesh dashuria bie në kurthe pasioni, ikën.
Bën sikur zemërohet, rrëmujë lë pas, sfidon frikën.
Provon ajo të kalojë përmes një zjarri të ri, sërish në ferr,
Ku paqja dhe vdekja nuk janë më armike, por dashnorë rebelë.
Dashuria ime këtij prilli ka rënë në kurth, më ka magjepsur,
Çdo lule e saj lahet ndër liqenj akujsh dhe vetëm i largohet pellgut…
Poezitë e tjera mund ti lexoni KËTU:
ObserverKult