Dy poezi nga Afrim Demiri: Tash kur nana nuk është ma…

afrim demiri poetika e gjithkohshmja anderr çelës gjuha e heshtjes

Dita e martë

(17.11.1960)

Çdo të martë në fërk të agut
Nana dëgjonte pikat e shiut
që i përplaseshin në zemrën
e saj të dashnisë

Të martë pas të marte
Një klithmë e vonueme
I trembte yjet e hutuem
i binte hanës si kambanë
qiellore
Dhe zgjonte nanën
nga gjumi i frikshëm
për thmijën e saj

Nana mallkonte kush
e kishte mallkue
të martën
E ndihej e bekueme
uronte e uronte
Lumja unë e lumja
për rritën teme

vonë shumë vonë
mu diftue se ajo e martë
tri javë pas Sh’mitrit
u ba e para ditë e jemja
ato pika shiu ishin vaji im
dhe ajo klithmë
ishte lutja e amësisë
derisa më prehej
Kërthiza me gërshanë

Tash kur nana nuk është ma
çdo ditë për mue është e martë
Si kërthizë kohe na mban të lidhun
këtej e përtej bote

Një rrufe drite
m’zgjon
fytyra e nanës m’ shfaqet
në faqe të hanës

Nisem e lutem e lutem
Hana të mos perëndoj

I vjeruni në qershi

Një njeri u vjer
në qershinë e kopshtit
Zogjt’ u trembën
si prej një kaçubeti

Në stinën e re qershia
lulëzoi çuditshëm
edhe ma të çuditshme
I bani qershitë

Zogjt’ u rikthyen
dhe i çukatën
një nga një qershitë
e papjekuna

Edhe zogjt’ mbetën
të vjerun
nëpër degë
si të balsamosun

Nuk vonoi qershia
u tha
si një pikëpyetje
e ngulun në tokë

Njerëzit i vajtuan
Qershitë
Zogjtë
Njeriun.

ObserverKult


Lexo edhe:

AFRIM DEMIRI: ADAMI I FUNDIT