Dy poezi nga Arif Molliqi: Në fëmijëri i kisha dy atdhe

Poezi nga Arif Molliqi

KUJTIM I PAPËRFUNDUAR

Në fëmijëri i kisha dy atdhe
që desha t’i pagëzoj me një emër
kjo është e qartë për ata që e kuptojnë
ç’është atdheu
kur në atë dashuri hyri një dhimbje e fshehtë
një dhimbje që na hyri në mes
e na detyroi të heshtim
të qanim me shi në zemër
më plagët e papërfunduara të protestonim
derisa loti na u tha në sy

Lirinë e Kosovës e ruajta
ashtu si kam mujt’
sepse ajo na i vizaton udhët
që të kthehem te liria e atyre që dhanë jetën për të
të kthehem tek shtëpia e djegur
në rrugën e përgjakur të një foshnje të vrarë…

(Sot e gjithë ditën
kur do ta kem harruar lirinë e Kosovës
është gjaku i fëmijëve që ma kujton…)

tashti jemi para fillimit të pranverës
e dielli mund edhe të vonohet
veç kjo dashuria e jonë për lirinë
është krejt ndryshe nga liritë tjera
që s’di cila më pëlqen më shumë
pas kaq shumë dhimbjeve
e pas kaq shumë plagëve
s’e dimë edhe sa herë
duhet të vdesim për liri

kjo liria për Kosovën
është thjesht shpresë
që u rrit nëpër hijet errëta të hapsanave
është gjaku i luftëtarit nëpër istikame
që nga plagët e veta i nxjerr lule me rrënjë
e i mbjell nëpër shtëpitë e boshatisura
që liria t’i ngjanë pranverës
e pranvera mos ti ngjanë as vjeshtës as dimrit
as armiqve të lirisë

në atdheun tim të përgjakur
për liri
gjithsecili vdes në mënyrën e vet
se ajo është një kujtim i papërfunduar.

(17.2.2023)

FRAGMENT MARRËZIE

Në fajësinë e pazakonshme
kujtimet kanë filluar të sosen

brenda fakteve historike
gënjeshtrat po marrin n’thua

më të çuditshme janë të paqenat
janë gjërat që s’bëhen të rreme

të dikurshmet po zgjatën deri në pafund
pa e lodhur mendjen për të vërteten

rrena është një marrëzi e mbarësuar
në kokën estetike të politikanit

në fragmentin e parë të marrëzisë
nuk mësohet gjuha e njeriut.

ObserverKult


Lexo edhe:

ARIF MOLLIQI: TË VDEKURIT KTHEHEN SËRISH TË ZOTI I TYRE