Ju ftojmë t’i lexoni në vazhdim dy poezi të Fatmir Gjatës:
Le të shkojmë…
Le të shkojmë tani, të pushojmë tani, le të flemë tani
Le të shohim ëndrra, ti ëndërr me diell, unë ëndërr me shi
Le të bëhem lumë, të më bëhesh shkumë, sa shumë e më shumë
Le të bëhesh det, kur rri e më pret, kur zë e më flet.
Le të shkojmë o xhan, larg e tej o xhan, kur bie kambanë
E para për mall, e dyta për gjallë, e treta aq pranë
Të ndezim qiri, vetëm unë e ti, në kishë pa njeri
Një për shpirt të mjerë, një për atëherë, një për fat të zi.
Le të jetë kjo botë, mbledhur në një lot, të kripur për besë
Le të bjerë në buzë, e të ndizet shpuzë, e të bëhet shpresë
S’di në më dëgjon, le të shkojmë më vonë, të dalë ku të dalë
Le të jetë ç’të jetë, do digjemi vetë, pa thënë asnjë fjalë.
Bie shi
Unë jam tokë e lagur plot me shi,
dhe ti qiell i kaltër, natyrisht
Po këndon në mes një kolumbri,
me një këngë të vjetër e të trishtë.
Unë jam tokë e thatë mbushur plot,
dhe ti qiell i mbarsur ngjyrë gri
Nëse vijnë nga lart ca pika lot,
unë do them gjithmonë po bie shi.
Unë jam tokë shterpë po nuk qe ti,
nuk do lindë asgjë mbi këtë shtrojë
Bubullin përherë kur bie shi,
vetëtin kur pak s’më flet me gojë.
Unë jam tokë e zezë mbushur me farë,
dhe ti qiell i mbushur me magji
Mjafton aq pak të ndihem shpirt vrarë,
pse kaloi kaq kohë që s’bie shi.
ObserverKult
Lexo edhe: