Dy poezi nga Fatmir Gjata: Manastiri i Ardenicës

fatmir r. gjata

Ju ftojmë t’i lexoni dy poezi të poetit, Fatmir Gjata:

Manastiri i Ardenicës

Përmbi kodërzën e vogël atje lart në manastir
Bëhem murg i mrekulluar e kërkoj nga Zoti mëshirë
Poshtë Libofsha e më tej, të gjithë fshatrat rrinë në hije
Flenë të qetë e të gëzuar nën krahë perëndie.

Edhe lutem siç kanë bërë vetë shënjtët tanë të mirë
Duke ardhur nga Tomorri nëpër lumë në errësirë
Duke qeshur të lodruar gjer Ndërnënasit në det
Me ca valë të shkumëzuar që nuk di se çfarë i tret.

Marr ca re nga qiell i pastër dhe i bëj me lot shami
Një e mbaj për lamtumira një e mbaj për dashuri
Dhe i hedh në fushë të mbarë të më bëhen grurë i artë
Me një sy nga perëndimi, me një sy nga Zoti lart.

Shkrihen gurët e manastirit edhe mbet pluhur i rrallë
Sa të bien ca kambana herë për vdekje herë për mall
E përkulem në një qosh ndez qirinj për atë botë
Poshtë andej nga Myzeqeja ku jam skllav e ndihem Zot.

Mbaj mend

Mbaj mend sa herë jam mbytur në dete të pa emër
Mbaj mend frymën e ndalur e çfarë ndieva në zëmër
Mbaj mend të gjithë gabimet oh dritë prej mrekullie
Mbaj mend të gjithë mëkatet të bëra prej magjie.

Por ju o njërëz të varfër që kurrë s’keni gabuar
Më thoni; ohhh sa jetë, do keni për të jetuar
Unë mbaj në mend mëkatet, ju vallë çfarë mbani mend
Se puplat fluturokan por guri mbet në vënd.

Dhe gurët bëhen pluhur në jetën e përtej
Në qoftë parajsë e bukur mëkatin do ta gjej
Se bota është për njërëz, të bukur e poetë
Mos thoni se s’ju thashë, me kohë o njerëz të shkretë.

ObserverKult


Lexo edhe:

FATMIR R. GJATA: TROKASHKË

FATMIR R. GJATA: RA BUST I DIKTATORIT