Dy poezi nga Miroslav “Mika” Antiq: “Mas dashniet” dhe “Poezia ma e hirshme e dashtunisë”

Mas dashniet

Ndahemi
Me nji tung
dhe me kâmbë zgataroshe
Dalim në botë

Ti n’t’ritë tat’
Anej mas fabrike
Përtej porteve
Dhe urës

Kolonë udhëkryqesh që shpërndahen
Si njerëz rraxhagji.

Unë në t’ritë tém
Knej hekurudhe
Ku bari ka shije uji zalli e dielli.

Kurrë mâ s’kemi me u ulë në t’njâjtën karrige
As s’kemi me i kopjue detyrat ndërveti
Dhe as n’pushim t’gâtë bukën me dâ!

Kurrë mâ s’kam me u buzëqesh lodrave tua tullace
As ti
vurratës séme n’tepe t’kresë
Nga nji boks hekuri

Për të cilin gjithmonë m’kanë gergatë
Ata qe tash janë mas nesh.

Nuk âsht ky sall nji vit shkollor që përfundoi
Thonë:
Fëmijnia e pat!

Nji fëmijni madhështore me sot maroi.
Thonë,
E të gjithë bashkë janë lumtunuet
Dhe rrotullohen shkallëve
si nji grusht sumbullash të hedhuna
Të githë të kēnaqun si klounë
Si figura plasteline
Lara-lara xinglamingla
Si qyteti për panagjyr.

E di tashmâ se
kurrën e kurrës,
S’kemi m’u kapë përdore
As me ecë qoshem-qoshe
E me u përpjekë koti derisa heshtim
me kujtue diçka të rândësisë së madhe

Veç njâ e di
larg njânin-tjetrit
Kurrë mâ
Nuk mujmë me kujtue
Diçka madhnueshëm të randësishme
———————

Poezia ma e hirshme e dashtunisë

Kjo âsht përnimé poezia ma e hirshme e dashtunisë
Pa asnji fjalë dashunie.

Tanë palaçove dhe nuskave u janë heq krenat
E dergjën me ni qosh
Gjetcash

Dikush në këtë dhomë s’ka me mbetë mâ thmi
S’ka me mujtë me hangër tri ditë, dikush
Dikush në këtë dhomë vdekshëm heshtë
Nuk b’zâ
Tue shikue se si udhëton vjeshta
me erë e gjethe përmi kulmet e laguna
të qytetit bashkë me shpeni…

Kjo âsht nimé kânga mâ dashtunore
Pa asnji fjalë dashniet.

—————-
*Miroslav “Mika” Antić, poet, gazetar, marinar, aktor në Teatrin e kukullave, regjisor dhe piktor vojvogjan, lindun në Mokrin më 14 mars 1932 dhe vdekun më 24 korrik, 1986 në Novi Sad (Vojvodinë).
Një poet lirikash suptile “Mika” ka shkru edhe për fëmijë, ishte mik i Rifat Kukajt.

Përktheu: Halil Matoshi