Poezi nga Sadik Krasniqi
PORTA E LUANIT
Vala e bardhë rreh muret e Butrintit
unë i vë shpatullat Portës së Luanit
pres të vijnë Uliksi, Jul Cezari
e ndoshta edhe Aleksandri i Madh
i vë duart në ije ta rris këtë gjysmë porte
mos ta përkulin krenarinë
kur të hyjnë solmnisht në këtë qytet aq të bukur
zot si më hyjnë në dhe këmbët
për vesh gjak i zi e nata në sy
më zgjon një kukamë qyqeje
zot paskan kaluar kalëruar
Portën luanët e dheut
duart m’i paskan shkelur me patkonj çeliku
kuajt hamshorë
sa gjak në gishta
nuk dua të ngrihem
as sytë s’i çel
pres muzgun
mos ta shoh sërisht atë portë xhuxhe
sa mos ta zë as Agimin e Vushtrisë
shëmtinë e bukurisë së djegur
të qytetit të Butrinit s’dua ta shoh
u hedh syve hi
*Butrint, verë, 2021
PELEGRINI
Do të nisem nga fusha e Galilesë
Si dikur tunikëbardhi me sandalet e rrjepura
E me zemrën e bardhë
Do i vjel mbetjet në kopshtije
Që i la dorë e mbarë
Me ligjin e Izraelit
Pak rrush nga vila me brymë
Ca kokrra ulliri e shegë gjaku të ëmbël
Zbathur do eci udhës së nxehtë
Të më djegë toka në zemër
Nën një palmë të urtë si engjëlli
Me durimin e një guri në pikëllim
Do pres muzgun e natës së zezë
Që t’i shoh yjet e Jerusalemit.
ObserverKult
Lexo edhe: