Dy poezi nga Zhuljeta Grabocka Çina: Ti ke filluar të më harrosh…

Këtë mbrëmje

Në vatër u shua dhe thëngjilli i fundit
nën hi u harruan dhe të zjarrtat fjalë.
Veshur me avuj, jashtë nis kënga e erës
shiu xhamave troket me vrull këtë natë!

Si degë pa fletë, në shtrat lëkundemi
si trung i gërryer, lëvozhgë, e zgavërt, e vrarë.
Këtë erë të vjetër, këtë të shi të athët e njohim,
si verën që kemi shijuar përherë bashkë!

Asnjëherë prej saj ti s’u dehe, kur në gotën
me të lehtën tundje, me buzën në kristal nuhasje
diellin e ditëve, me lëngun e pinktë e gëlltisje,
si mbi retë e bardha që gjëmojnë këtë mbrëmje!

Qielluar me shi dhe yjet diku e vetisin dritën
në orbitën e spektaklit më të bukur të ripërtërritjes.
Në përgjumjen e qerpikëve të milionave syve,
përkulem dhe puth lëkurën e butë,
mbi ballin e hëntë të çdo fëmije.

Paqtuar të dy në botën e prindërimit,
Si e miliarda grimcë e pluhurit,
në magmën e zjarrtë të gjithësisë,
të tërhequr prej njëri-tjetrit në Eklipset e Diellit,
brenda oazit të ngjizjes, plot me dritë-hije,
unë e ti, përherë hënë e plotë,
krijesa të përjetshme diellhënëzimi!

9.7. 2017

Kujtimet e pranverave

Ti ke filluar nga pak të heshtësh
dhe heshtja ka filluar të ketë frikë prej teje.
Si çekani në membranën e timpanit të veshit
kur gjëmon prej zhurmash rrufeje!

Ti ke filluar nga pak të më harrosh
e më kujton si qelizat e trurit po vdesin.
E gjithë bota po humbet në miliarda çaste
e trishtohemi se kujtimet po na tresin!

Erdhe, u mbështete i përhumbur pas meje
siç vishet hardhia pas trungut të një peme.
T’i fsheha mes gjethesh bishtakët gjithë musht,
Siç ruhen kujtimet e pranverave të hershme!

ObserverKult


Lexo edhe:

DY POEZI NGA ARIF MOLLIQI: MARRË ME VETE LUTJET E FUNDIT