reklamë

Dy poezi të poetes arbëreshe Marg Scilippa

Shkrimtarja Majlinda Bregasi përmes profilit të saj në Facebook ka sjellë për lexuesit dy poezi të poetes arbëreshe Marg Scilippa të cilën thotë se e karakterizon një ndjeshmëri e veçantë nën të cilën fshihen mendime të thella, mbuluar me një ironi të hollë që demistifikon kuptimin e jetës.

KOHA IME

Shket mbi mua e shpejtë
koha ime
ujë lumi
çë ngë* di të ndalonj
e mua e brishtë
më përmbys
më zvarrit… më zvarrit…
te brigje të pazbuluar
te limane të panjohur
në një mërgim pa kthim.

NATËN

Sonte hënëza e plotë
në zgrip të malit
qëndroi të vërrej* kureshtare
pasqyrën e liqenit.
Vetëm një minut prapa
fluturojën* mbi atë çafkat me shpejtësi.
Mbyllur krahët, ulur kryet
flënë nani te foletë në mes të xunkthëvet.
Edhe te shtëpitë e njerëzvet
e ngadaltë zbret heshtja.
O, nani gjithëqish duken më të qeta më të drejta:
hjetë* çë përhapen fshehjën* mundimet e ditës.
Kush gëzohet e kush vuan
hyn te një ekuilibër të rremë:
ë çasti i harresës!
Buzëqesh hënëza besëplotë.
Tue hedhur pluhur ëndërrash
zë fill pameta në heshtje
të skallëzonjë parabolën e qiellit.