Dy shokë ishim atëherë, të donim vetëm ty, poezi nga Dritëro Agolli

dritëro agollit puno poemë qajnë dy shokë aeroport poezi nga dritëro agolli

Dikur dy shokë qemë,
Të dashuronim ty,
S’do mend që njërin doje
Dhe s’mund të doje dy .

Të marrë kemi qenë,
Kur jemi rrahur kot ,
Po unë atëherë isha
Vërtet një Don Kishot!

Përbri shtëpisë sate
Me baxhë në pullaz
Ai ngadalë vinte
Dhe unë e ndiqja pas .

Me të ne buzëvarur
Takoheshim në terr,
Pa thënë tungjatjeta
Dhe mbushur plot me vrer .

Nën dritëzën e llambës
Të shihnim vjedhur ty,
Për cilin ti mendoje,
S’e dinim ne të dy!

Po unë atëherë isha
Vërtet një Don Kishot,
Me ëndrra trëndafilash
E mbushja mendjen plot !

Nuk rrodhi dhe aq ujë
Nga lumi nëpër zall,
Kur ti u bëre nuse
Në fshatin nën një mal .

Ah , shoku im i vjetër
Të mori në shtëpi;
Ish futur gjer në palcë
Lanetja dashuri!

Po mua ma ka qejfi
Drejt teje pak të ngas
Dhe nën dritaren tënde
Të fshihem, të trokas,

Se ndofta paskam mbetur
Si dje një Don Kishot
Dhe nga mullinjtë e erës
Vërtet s’u ndakam dot…

1954

ObserverKult

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: TI ÇELE HERËT, MOJ BAJAME!