E dhimbshme/ Patrioti që hapi ‘Mësonjëtoren e Parë Shqipe’, vdiq në mjerim të thellë

mësonjtorja koto sotiri

Koço Sotirin e gjejmë herë me emrin “Koto”, herë me emrin “Kostandin” e herë me emrin “Koço Shqiptari“, emër të cilin ja kishin vendosur shokët e tij rilindas, për përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe veprimtarisë së tij të dendur patriotike. Është vëllai i madh i Pandeli Sotirit, drejtorit të Shkollës së Parë Shqipe, që u hap në Korçë në 7 mars 1887. Hapja e kësaj shkolle ishte një ngjarje dhe fitore e madhem për gjithë lëvizjen patriotike kombëtare shqiptare, sepse kjo ishte një shkollë legale.

Deri atëherë mësimi në gjuhën shqip, bëhej fshehurazi sepse, pushtuesit osmanë e kishin ndaluar. Poeti ynë i madh i Rilindjes Kombëtare, Naim Frashëri, për këtë ngjarje do të shkruante:

“Lumja ti, moj Korç’o lule,
Q’i le pas shoqet’ e tua!
Si trimi në ball’u sule.
Ta paçim për jetë hua…”!

Në themel të kësaj arritje, është dhe puna e përpjekjet e dy vëllezërve Sotiri. Për Pandeli Sotirin, është folur, ndoshta jo aq sa duhej, ndërsa për vëllain e tij, Koto Sotiri, është folur pak ose, është harruar fare. Veprimtaria atdhetare e vëllezërve Sotiri, nuk mund të ndahet nga njeri tjetri.

Ata i vunë shpatullat ose mbështetën vëllai vëllain, në idealet e tyre iluministe për Kombin Shqiptar, jo vetëm me penë, me mendjet e ndritura të tyre, por dhe me pushkë, kur ishte e nevojshme, ashtu si vëllezërit “Frashëri”, “Topulli” e shumë rilindas të tjerë të shquar.

Koto Sotiri lindi më 1840-ën në fshatin Selckë, Gjirokastër. Të dy vëllezërit ngelën jetimë në moshën fëmijërore, pasi babai i tyre thuhet se u vra në një përpjekje me armë me feudalët vendas. Në këto kushte, xhaxhai i tyre, i cili banonte në Vjenë, Austri, i mori të kujdesej për ta, madje dhe i shkolloi. Kotua përfundoi shkollën e lartë për jurist ndërsa Pandeliu për mjekësi. Pas diplomimit, punuan për një kohë të gjatë në administratën austro-hungareze.

Në shumë shkrime dhe enciklopedi, thuhet se; Pandeli Sotiri ishte nxënësi i Koto Hoxhit. Kjo s’ka mundësi sepse, Shkolla ‘Normale’ e Qestoratit, u hap në vitin 1873, kohë kur vëllezërit Sotiri, patën përfunduar shkollën e lartë e, kishin dalë në punë. Të shkruarit shqip, vëllezërit Sotiri e mësuan në shkollën fillore 5-vjeçare, të fshatit të tyre, sepse që në atë kohë e vazhdim, në këtë shkollë mësohej fshehurazi edhe gjuha shqipe.

Ishin vitet kur çdo patriot shqiptar, duhej të kontribuonte për vendin e tij, prandaj rreth viteve 1870, dy vëllezërit lanë Vjenën dhe shkuan në Stamboll, për një mision patriotik e atdhetar. Të vetëdijshëm ndaj rreziqeve, ata me veprimtarinë e tyre sfiduan autoritetet zyrtare osmane dhe veprimtarinë e ethshme shovene të fqinjëve tanë.

Dy vëllezërit Sotiri, ishin ndër të parët nismëtarë të themelimit të “Shoqërisë së të Shtypurit të Shkronjave Shqip”, ndër 27 anëtarët që themeluan në Stamboll, në vitin 1879, këtë shoqëri. Ata dhanë dhe kontributin e tyre, në formatimin e Alfabetit të Stambollit. Gjithashtu thuhet se ishin anëtarë aktivë, të “Lidhjes Shqiptare të Prizrenit”.

Pas një veprimtarie të dendur patriotike, së bashku me Jani Vreton, në organizimin e shoqërive patriotike Bukuresht – Stamboll – Egjipt, siguruan të ardhurat edhe nga shqiptaret e Vjenës, për të blerë shtypshkronjën e Bukureshtit, ku natyrisht vëllezërit Sotiri, ishin ndër kryesorët.

Në këtë shtypshkronjë u botuan me alfabetin e Stambollit, tekstet e para shkollore. Ndërkohë Pandeliu së bashku me Petro Pogën, në vitin 1884, me leje të Portës së Lartë, botuan e revistën “Drita” (më pas “Dituria”) e cila kontribuoi në zgjimin e ndërgjegjes kombëtare.

Në këto kushte, për vëllezërit Sotiri kish ardhur koha për sigurimin e një leje nga Porta e Lartë, për hapjen e mësonjëtoreve shqipe. Një abetare iu dërgua Sulltan Abdyl-Hamitit, i cili shprehu dashuri ndaj gjuhës shqipe, por më pas siç thuhet, ai ndryshoi mendim. Sidoqoftë Pandeliu siguroi dy leje, një në emrin e tij dhe një për vëllanë, Koto Sotirin.

Në vitin 1887, dy vëllezërit Sotiri, me 150 abetare, çuditërisht të fshehura nga doganat, u nisën drejt Korçës, me misionin për të hapur “Mësonjëtoren e Parë Shqipe” të mbështetur nga shumë patriote të tjerë. Të gjithë ishin të armatosur.

Kotua me Risto Vodicën, siguronin mbarëvajtjen në Mësonjëtore, me drejtor Pandeliun. Kotua përveçse ishte mësonjës, së bashku me shokët e tij, bënin propagandë në familjet korçare, që fëmijët e tyre të frekuentonin shkollën shqipe. Si rrjedhojë, shumë fëmijë braktisën shkollat turke, greke e rumune dhe iu bashkuan shkollës shqiptare.

Kur punët në Mësonjëtoren e Korçës, menduan se i vunë në vijë, kish ardhur koha që dhe Kotua të hapte mësonjëtoren e tij, në bazë të lejes që kishin marrë nga Sulltani. Kështu një javë më pas, ai hapi “Mësonjëtoren e Parë Shqipe” në Pogradec. Që nga kjo kohë vëllezërit u ndanë. Pandeliu më pas, siç dihet, u izolua në Stamboll, ku gjeti fundin tragjik te tij, ndërsa Kotua vazhdoi me këmbëngulje misionin e tij, për hapjen e Mësonjëtoreve Shqipe.

Duke shfrytëzuar lejet e dhënë nga Porta e Lartë, ai u aktivizua në hapjen e shumë shkollave të tjera shqipe, në Pogradec e Korçë, por edhe në Maqedoni. Duke lëvizur nëpër këto vise, krahas hapjes së shkollave, shpërndante dhe literaturë shqip, literaturë fetare, si dhe Ungjillin shqip, të Kristoforidhit, të mallkuar nga propaganda shoviniste në atë kohë.

Sipas Prof. Dr. Musa Krajës, “Për këtë veprimtari atdhetare, Koto Sotiri u dënua nga Porta e Lartë, me pesë vjet burg dhe e dërguan për vuajtjen e dënimit në burgun e Manastirit. Pas daljes nga burgu, Kotos i kish ardhur jo vetëm pleqëria por dhe varfëria.

Ai vdiq në mjerim në vitin 1909, në spitalin e të varfërve të këtij qyteti, ku duhet të jetë dhe varri i tij. Shtypi i kohës, si “Drita” e Manastirit, “Drita” e Sofjes, etj., shkruan shumë në atë kohë, për vdekjen e këtij martiri të gjuhës shqipe.

Ato kanë pasqyruar punën e palodhur të këtij mëmëdhetari të ndershëm. Gazeta “Korça” (1909) për sakrificat dhe persekutimet e Koto Sotirit, për vëllezërit iniciatorë për hapjen e Mësonjëtoreve Shqipe, do të shkruante: “Historia do t’i përmendi me shkronja të arta”. (M. Kraja; “Bij të Lunxhërisë për Arsimin Shqiptar”, Tiranë 2002)

Sado vite të kalojnë, sado me pluhur të mbulohet veprimtaria e vëllezërve “Sotiri”, ajo shkëlqen si një diamant në themelet e Kombit Shqiptar. Veprimtaria patriotike e tyre, duhet të vlerësohet nga strukturat përgjegjëse të shtetit shqiptar, sepse është frymëzuese për brezat e sotëm dhe ata që do vijnë. /memorie.al

ObserverKult

Lexo edhe:

Nata e fundit e Ismail Qemalit: “I hodhën helm në kafe…”