“E ëma e dinte të vdekur, si e trajtuan Nënë Terezën në diktaturë- ja çfarë tha shenjtorja për Enver Hoxhën në ’89-ën…”

Kanë kaluar më shumë se 10 vite kur në një nga libraritë kryesore të Elbasanit, botuesi dhe studiuesi Mehmet Gëzhilli do të pikaste disa vogëlushë në hapat e parë shkollorë, që kërkonin me ngulm një botim për Nënë Terezën të përshtatshëm për ta.

“Më vjen keq, por nuk kemi”, qe përgjigjur librarja. Ndonëse diktatura prej një dekade kishte rënë, përgjigjja e saj bëri që studiuesi të kuptojë se nëse përmes literaturës nuk ngrihen personalitetet e vërteta të këtij kombi, ndoshta hija e atij sistemi do të na ndjekë pas.

Prej atëherë ai nisi punën që përmes botimeve të ndriçonte këtë figurë humane ndërkombëtare, që Shqipërisë iu mohua për plot 60 vjet. “Doracaku për Nënën Terëzë” u përgatit me kujdes të veçantë nga Anton Nikë Berisha, duke u pasuar më tej edhe nga botime të tjera si “Nënë Tereza në sytë e botës”, “Nënë Tereza në shtypin shqiptar” të botuar po në 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës nga Gëzhilli.

Këto botime, së bashku me artikuj, foto e pulla postare dedikuar Shën Terezës në Shqipëri dhe jashtë, u ekspozuan në Muzeun Historik Kombëtar në Tiranë, kohë më parë në bashkëpunim me shtëpinë botuese “Argeta LMG”. Ekspozita “110 vjet me Nënë Terezën” ku u përmbledhën rreth 200 tituj, nga mbi 4 mijë botime e ribotime ndërkombëtare dedikuar shenjtores.

Studiuesi Mehmet Gëzhilli, i cili rrëfeu kohë më parë se aktualisht është duke përgatitur një bibliografi me kopertinat e librave dedikuar Nënë Terezës, për “Panoramën” ndalet te disa nga momentet kyçe të jetës së shenjtores e lidhjes së saj me Shqipërinë.

Zoti Gëzhilli, prej vitesh studioni jetën e Shën Terezës, duke e afruar lexuesin shqiptar me këtë personalitet përmes botimeve tuaja. Drama e shenjtores që për 6 dekada nuk mundi të shkelë në Shqipëri është e përmasave të mëdha. Përgjatë diktaturës, ndërsa bota po lakonte pareshtur emrin e kësaj humanisteje të jashtëzakonshme, çfarë thuhej për të në vendin tonë?

– Nënë Tereza gjatë atij sistemi ka qenë jashtë periferisë së opinionit dhe shtypit shqiptar. Pra, pothuajse nuk përmendej fare dhe prej asaj periudhe lidhur me të gjenden vetëm dokumentacionet e ambasadave, kalimet që kishte bërë për të emigruar.

Mirëpo, ndryshe ndodhi në Kosovë e në Shkup, ku për shenjtoren u shkrua për herë të parë në vitin 1972. Mandej me ardhjen e Nënë Terezës në Shqipëri në vitin 1989 nisi të shkruaj për të edhe nga shtypi i Tiranës, duke u përqendruar te jeta dhe vepra e saj.

Sa është trajtuar në shtypin shqiptar në atë periudhë fakti që Shën Tereza nuk mundi të takojë në të gjallë as motrën e as nënën e saj. Madje nuk iu lejua të ishte e pranishme as në përcjelljen e tyre?

– Në shtypin botëror ky fakt pasqyrohet në mënyrë të zbehtë. Kujtoj këtu një prej artikujve të pasqyruar në librin “Nënë Tereza në sytë e botës”, ku sillet në vëmendje letërkëmbimi i saj me familjarët e miqtë. Në 2 shtator të vitit 1975 Nënë Tereza i shkruan Argjipeshkvit Perier: “Kam marrë një letër të gjatë nga nëna ime e moshuar. Më në fund kanë marrë lajme prej meje dhe vetëm tani mësoi për Misionaret e Bamirësisë. Në vitin 1974 kishte dëgjuar se do të lija Loreton (Shkollave e Motrave Loreto, në Irlandë) e më pas asgjë, në këtë mënyrë mendonte se kisha vdekur”. 

Pra e ëma e dinte të vdekur dhe ajo me vështirësi merrte lajme për ta. Enver Hoxha ia mohoi të drejtën që të varroste të ëmën e motrën. Mirëpo ajo kishte një botë shpirtërore aq të madhe saqë në vizitën e saj të parë kur vendosi një lule në varrin e familjareve të saj, tha: “E mëshiroftë Zoti për atë që ka bërë!”. E tillë ishte Nënë Tereza, kishte forcën për të falur, edhe për të ndihmuar këdo kishte nevojë, pa bërë dallime të asnjë lloji. Ajo ndihmonte të vobektit, pa marrë parasysh nëse ishin bektashinj, katolikë, ortodoksë, myslimanë a të pafe.

Pas viteve ’90 ajo do të bënte përpjekje konkrete për të bërë bamirësi në Shqipëri, cili është kontributi real i saj në këtë aspekt?

– Fillimisht unë mund të përmend praninë e saj në hapjen e kishave dhe xhamive gjatë vizitës së parë. Mandej, si kontributin më të veçantë, do të theksoja rihapjen pas 50 vjetësh të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane (22 mars 1991) prej saj. Aty prej kohësh ishin vendosur disa zonja të moshuara në nevojë, të cilat i sistemoi me kujdes diku tjetër dhe mandej mblodhi funksionarët politikë e komunitetet fetare për të hapur Kryegjyshatën. Shpesh diskutohet kontributi i shenjtores për Shqipërinë, por askush nuk mund ta mohojë se Shën Tereza e bëri vendin tonë të njihet në të gjithë botën përmes figurës së humanizmit dhe veprave bamirëse.

Para asaj gruaje të shenjtë u përkulën me nderim personalitetet më të mëdha botërore të politikës, artit e të gjitha fushave. E nderuan vendet më të mëdha. Atëherë nëse të gjithë këta paskan pasur nevojë për një figurë të tillë, me përmasa humane të jashtëzakonshme, si mund të mos ketë kombi shqiptar, të cilin ajo e mbajti përherë në zemër.

Gjatë pesë vizitave që ajo pati në vendin tonë, cili është momenti që ju do të veçonit?

– Sigurisht që ardhjen e Papa Shën Gjon Palit II në Shqipëri në 25 prill të vitit 1993. Momenti kur ai gjunjëzohet në Rinas e puth tokën që lindi bijën bamirëse Shën Terezën, është një moment historik i paharrueshëm. “Kjo është ditë që na e dhuroi Zoti”, tha ai. Në fakt neve si popull na e bëri dhuratë Shën Tereza.

Ju keni sjellë disa botime për këtë personalitet ndërkombëtar. Çfarë mund të bëhet më tepër sa i përket pasurimit në literaturë dhe njohjes së kontributit të saj nga të gjithë brezat?

-Unë mund të them se bota sot ka më shumë se 4 mijë libra për Nënë Terezën, në afro 52 gjuhë të botës. Po ashtu, rreth 700 pulla poste qarkullojnë në botë me portretin e saj. Te ne në këtë aspekt ka ende shumë për të bërë. Botime të përshtatshme e nisma për njohjen e Shën Terezës do t’i bënin mirë këtij populli madje edhe ministrave tanë. Prej saj mund të mësojnë humanizmin, të bëhen më njerëzorë e ta duan më shumë kombin. Nënë Tereza, ndonëse për 60 vjet iu mohua vizita në Shqipëri, kurrë s’e harroi vendin tonë, ose siç e quante, popullin e saj…/Anila Dedaj- (Panorama)


Lexo edhe:

NËNË TEREZA: NËSE I GJYKONI NJERËZIT, NUK KENI KOHË T’I DONI ATA

ObserverKult