E marta më nuk është dita ime. Si ajo që s’është më e imja

arlind farizi
Arlind Farizi

Nga Arlind Farizi

E pashë. Shpinën e saj si fjala injorim shkruar me të madhe. Rrinte po në atë cep rruge ku dikur nga po ai vend me ca hapa të holla ketri kërcente në veturën e ikësit.

Aty fshihej ndër xhama të zezë ku banonte gjëma e madhe e mëkatit.

E pashë. Qe veshur bukur. Dhe pse asnjëherë veshja nuk e ka zbukuruar atë siç ndodh rëndom te disa vajza që nguten m’u bë gra.

Ajo qe veshur bukur, dhe priste dikë. Po, ajo e priste dikë?! T’i lëshohej e papeshë trupit të mishtë të një burri të cilin jam i sigurt se nuk e do.

Ta puthë atë burrin e paemër, mekanikisht, si një robot e dirigjuar nga fatthënësi saj. E priste dikë, një asnjëjës.

E pashë, e më ngjasoi në atë gjeth të zverdhur që bie pendueshëm në vjeshtën e jetës. E pashë dhe dita ime mori imazh sepia. Dhe, plus sot është e martë.

Sikur të ishte e shkruar. Sikur duar ajri më morën e më sollën mu para saj.

Afër shumë, afër sa një afërsi veturë – rrugë – trotuar. Vetura është jo vetëm automjeti që të bartë nga një vend në tjetrin, vetura ishte banesa, dhoma, qajeqeshja e tyre, hapësira ku ndjeheshin ose mashtronin veten se ishin të njëri-tjetrit.

Përkohësisht, ashtu shkrirë në një, në karrigen e pasme të veturës. Dhe kënga hapej si diafragma e Coverlladit, is this love, …. Po në atë të vetmen karrige, ashtu një mbi një, dhe pse kishte vend plot.

S’di pse kursenin hapësirë… E doja, si muzë, e doja si buzë e mish, e doja si femër, por e pranoj se më shumë e doja si personazh.

Veshur zi, si e zeza e fatit të saj thyer keq. Zi si vetulla e saj që s’di sa herë ia kisha puthur, e po ajo vetull e hollë strehonte këndshëm dy sy të mëdhenj të cilët për një çast sikur e thyen shikimin në xhamat e veturës që ajo e njihte mirë.

E njihte dhe e donte veturën, dhe shoferin e keq të saj i cili teksa shihte në pasqyrë vendndodhjen e mëkatit, ndodh të puthte lehtazi veturat përballë.

Dilte u kërkonte falje, u thoshte se jam i harlisur, nuk të pashë, më fal, nuk më bëjnë frenat e veturës, as të pasionit… Disa herë qe zënë ngushtë, disa herë kishte dhënë shpirt në karrigen e pasme.

Po aty nën ritmin e Coverdalit njëjtë rrihni zemrat, shpejt dhe madhërishëm, po si tapanat e rokut. Dëgjoheshin vetëm zanoret të buta të cilat mundoheshim t’i mbanim të patheksuara për hir të moszbulimit.

Ngjanin në ca zanore këngësh të atyre që guxuan për të ëndërruar dhe mëkatuar.

E pashë. Ajo priste dikë, për të takuar. Për ti thënë po-në e fundit kurrkush-it, njeriut të paemër, njeriu prej ashti e mishi, por jo ndjenje. Ajo e priste ndoshta një veturë më të mirë se imja, të re, dhe për nga kujtimet.

Ajo e priste veturën e përemrit asnjërës që ta shpinte diku larg, madje më larg se vendet tona, ku ende ka gjurmë të udhëtimeve tona për dallim nga ky i fundit, ishin mbushura me frikën e moszbulimit.

E pashë, ajo dukej e lumtur, në këtë mëngjes të marteje, ditës së shpikur për ne. E pashë ajo qe bë gati të martën tonë të shenjtë t’i jepte dikujt.

E pashë. Ajo qe bërë gati për dikë. Për një asnjërës. Për një djalë me emrin kurrkush. Dhe kjo do jetë mrs kurrkush-ja.

E paemër, e pa identitet, fluide, prej ajri dhe unaze… Vetëm dikur kishte emër por unë nuk arriti t’i vendos mbiemër. Morfologji e rëndë dashurie, kjo?!.

E penguar dhe lakuar nga bota. Me korrigjues të keq jete. Kalem të kuq ka mëkati.

E marta më nuk është dita ime. Si ajo që s’është më imja. Ajo tashmë është larg disa të marta.

ObserverKult  


Arlind Ferizi

Lexo edhe:

ARLIND FARIZI: TË IKIM, MY FRIEND, THIS IS THE END…

Nga Arlind Farizi

My friend, this is the end, anglishtja ime e dobët është, por të fortë e kam një ide.

Atë të ikjes, ikjes prej këtij vendi ku s’ka as ajër, as copëza gjelbërimi, ku lulëzon hatri i rremë, ku të konspiron secili për gjithçkanë e mundshme përfituese.

Ku kojshia ka rrushin më të pjekur se timin, ku ka krizë identiteti social e kulturor, ku më fukaraja ka i- phone e jeton me notifications.

Ku m’i pasur nuk është i kënaqur sepse ka gërklan të moth’, ku mungojnë liderët politikë, të cilët na shitën shtrenjtë.

Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult