E shkruar më 17 Shkurt

Atë mëngjes, si çdo mëngjes të ditës së punës, vesha kostumet, këmishën e bardhë dhe kollaren e kuqe, ku në mes të saj, kur lidhej afër fytit, ishte shqiponja dy krenore dhe nën të vertikalisht, Kosova.

Nga Skënder Berisha

Ishte një ritual i thjeshtë lidhja e kollares, pa pasqyrë, megjithëse ishte e gjerë në fund dhe dalë mode, por, aq më bënte. Setra do ta mbulonte ashtu e ashtu, por shqiponja dhe tri a katër shkronja Koso…do të ishin të lexueshme. Institucioni i shtetit ku atëherë punoja, ishte i lidhur me emergjencat.

Nuk i dihej, mund të ndodhte edhe gjendje e jashtëzakonshme, dhunë dhe trazira të paplanifikuara, por mund të ndodhnin edhe sulme nga jashtë si hakmarrje për aktin historik që pritej të ndodhte. Parashikimi i motit nga BBC-ja thoshte se do të ishte ditë nën minus 20 gradë. E bëra gati pallton, pasi lidha kollaren dhe u nisa të dalë jashtë.

Zakonisht, në atë kohë, rreth orës 6 e 30 në mëngjes, dy vajzat e mia të vogla ishin zgjuar. Ritualin tim të vënies së kollares e përcillnin me kujdes, dhe zakonisht, merrja kohë pas kohe kompliment, si: babi, kjo kollare po të rri shumë bukur. Nuk e dija se nga e kishin marrë këtë shprehi, ngase, unë e bashkëshortja ishim të kursyer me njëri-tjetrin për komplimente. Madje, unë shquhesha nga kursimi i madh i vlerësimeve rreth veshjes apo dukjes, zakonisht përshkrimi im fillon e mbaron, mirë e bukur, me ndonjë përjashtim, shumë mirë, shumë bukur.

Atë mëngjes, kur e mbështolla kollaren e kuqe me shqiponjë dhe shkrimin Kosova, vajza ime e tretë, më pyeti:

Babi, këtë kollare kurrë nuk e ke bart, pse e more sot?

Ajo për pak ditë do ta kremtonte ditëlindjen e tetë. Më tronditi thellë kjo vërejtje e saj. Vërtetë, ishte hera e parë që bartja atë kollare. E kishte vërejtur saktë se atë ditë, në mesin e dhjetëra kollareve, për herë të parë, po e bartja kollaren e kuqe me shqiponjën e zezë.

Vërtetë u trondita, më kaploi mallëngjimi dhe përgjegjësia e kësaj date që do të përmblidhte tërë idealet e mia jetësore. Kjo ditë përmblidhte idealet e shumë shokëve të mi që tashmë ishin pjesë e historisë tonë të re, të rënë për liri dhe këtë ditë, shpalljen e pavarësisë së shtetit tonë.

Habinë time e ndërpreu me komentin, shumë, shumë bukur po të rri!

Ende nuk po mund të vija në vete për pyetjen e vajzës time. E thirra bashkëshorten, i thash zgjomi edhe çikat tjera, ta shpjegoj një mësim të shkurtër historie.

Bashkëshortja e hetoi ngazëllimin tim, shpejt e shpejt, i zgjoi edhe dy vajzat tjera, më të rritura dhe erdhën në dhomën e ditës. Kur u grumbulluan të gjitha, fillova tregimin, pse e kam mbajtur në dollap këtë kollare mbi 12 vjet, e sot për herë të parë po e veja rreth qafës.

Në fillim, me zë të dridhur ju thash, vajzat e mia, sot po e barti këtë kollare për herë të parë, sepse sot, sot, po ndodhë historia.

Gjatë një takimi të bashkatdhetarëve në Gjermani, e kam takuar mikun tim rugovas, dhe duke parë se nuk kam marka të blej ndonjë gjë si kujtim, ma dhuroi kollaren, me fjalët, po ta dhuroj këtë kollare si shenjë prej meje, sepse, ti e meriton ta bartësh kollaren me shqiponjë dykrenore. Nuk doja ta merrja, por as kisha marka ta blija, megjithatë, pas shumë lutjeve, e pranova dhuratën e tij.

Nga serioziteti i zërit tim dhe gjendja ime emocionale tepër e rënduar sa gati isha në lot, ato, me tërë vëmendjen fëmijërore, u përqendruan në tregimin tim.

Bijat e mia, para shumë vitesh, deri sa isha ende vetëm në Gjermani, një mik imi që mbante familjen në Kosovë me tregti, duke shitur suvenire, rroba e flamuj me simbole kombëtare dhe emblema ku shkruhej Kosova Republikë, ma ka falë këtë kollare.

Ditën që do të bëhet Kosova Republikë do ta vë, i kam thënë mikut tim, deri atëherë, kurrë nuk do ta bart, por do ta ruaj për atë ditë. Pra, jam zotuar, para tij, se këtë kollare dhuratë do ta vë ditën kur do të shpallet Kosova republikë.

Çikat e mia, sot, pas më shumë se 12 vjetëve, erdhi dita ta bart, për herë të parë këtë kollare me shqiponjë, sepse sot, Kosova do të shpallet republikë. Sot është ditë historike, dita më e madhe e kombit, pas ardhjes së Skënderbeut në Krujë dhe pas 28 Nëntorit të shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë.

Sot, nga sot, çikat e mia, Kosova do të shpallet shtet i pavarur, Republikë. Ju, do të jeni krenare gjithë jetën me këtë ditë. Ashtu siç jam unë krenar që arrita të jem pjesë e kësaj pavarësie. Çikat e mia, brezat para meje, baba e gjyshi kanë ndërruar jetë me mallin për largimin e pushtuesve nga Kosova. Kjo u bë e mundur, pas luftës heroike të UÇK-së, më 1998 e 1999 kundër pushtuesit. Këtë ditë, nuk e kanë përjetuar dhjetëra shokë të mi që disa i mësoni tash në libra të historisë si heronj të kombit, por edhe shumë shokë të mi të burgut dhe kontributit për UÇK-në. Prandaj, tri gjenerata nën okupim, ju jeni gjenerata e katërt që e arrini lirinë. Çikat e mia, mbajeni mend këtë ditë, 17 Shkurti, është dita për të cilën ia ka vlejte çdo sakrificë e vuajtje, për gati një shekull. Pra, ju jeni me fat ashtu sikur unë dhe nëna juaj që po e presim këtë ditë.

Ky ishte mësimi im i historisë për vajzat e mia që zgjati rreth dhjetë minuta, por, më i vlefshmi, më i rrëqethshmi në jetën time për to./ ObserverKult