EDHE DY FJALË PËR NEXHMIJE PAGARUSHËN

(Frymëzuar nga një mbrëmje kushtuar divës sonë në Tiranë)

Nga Agim Vinca

Në Qendrën Kulturore “Tulla”, të cilën e drejton Alban Nimani, i biri i Shyqyri Nimanit dhe nusja e tij tiranase, Klejda, u mbajt një mbrëmje përkujtimore kushtuar Nexhmije Pagarushës.

Shkova bashkë me time bijë, Doruntinën, e cila i ka shokë Albanin dhe Klejdën, madje banojnë në të njëjtën lagje, te “Komuna e Parisit”, jo larg nga objekti ku u mbajt mbrëmja në fjalë: një shtëpi dykatëshe me tulla të kuqe, për ç’arsye duket edhe ia kanë vënë emrin “Tulla”.

Para të pranishmëve, kryesisht të rinj, djem e vajza, foli dirigjenti Zhani Ciko, njeri me një jetëshkrim të pasur në fushën e muzikës, i njohur brenda dhe jashtë vendit. Zhani foli relativisht gjatë. Një herë flet për familjen e tij korçare, gjyshërit, që paskëshin marrë rrugën e kurbetit në Rumani dhe paskëshin punuar për çështjen kombëtare, duke sjellë libra shqip nga Bukureshti në Shqipëri. Mësoj se babai i Zhanit, Mihal Ciko, kishte qenë këngëtar operistik, ndërsa e ëma profesore universiteti dhe se dajë e paskësh kompozitorin e njohur Nikolla Zoraqi, nga i cili mori mësimet për violinë qysh si fëmijë. (Në mbrëmjen për Nexhmijen, Zhani shoqërohej nga bashkëshortja e tij, Rudina, pianiste). Pastaj flet për marrëdhëniet kulturore Kosovë-Shqipëri në vitet ’70, me dashamirësi, por edhe me ndonjë pasaktësi. Në këtë kuadër, të bashkëpunimit Kosovë-Shqipëri, flet edhe për Nexhmijen, për vizitën e saj të parë në Shqipëri dhe koncertin e mbajtur me atë rast në Tiranë; për njerëzit që e shoqëronin kur erdhi në “shtetin amë” (përmend instrumentistin Zef Tupeci, kompozitorin Severin Kajtazi dhe dirigjentin Mark Kaçinari). “Ne prisnim një këngëtare me dajre e çitjane, tha, ndër të tjera, maestro Zhani Ciko, por doli diçka krejt tjetër: një artiste e vërtetë e veshur me kostumin me kadife të zezë të Lunxhërisë, që Nexhmija e zgjodhi vetë nga kostumografia e Teatrit të Operas dhe Baletit”.

Të pranishmit dëgjojnë me vëmendje, duke absorbuar çdo fjalë.

Pasi e kryen fjalën Zhani, Albani thotë: “Na nderon me pjesëmarrjen e tij edhe z. Vinca”. Dhe kërkon të them dy fjalë.

Dal para publikut me gotën e verës në dorë dhe e filloj fjalën me fjalët: “Nexhmije Pagarushën e kam pasur komshie”, duke përdorur fjalën “komshie”, që përdoret në Tiranë për “fqinje”. Banonim në të njëjtën lagje, në Ulpianë, jo më larg se dyqind metra largësi në vijë ajrore. Unë përmbi kishën katolike “Shën Ndou”, ajo përfundi. Nexhmija ishte e shoqërueshme dhe komunikative. Në vitet ’90, kur nuk ishte më aktive si këngëtare, rrinte shpesh te kiosku i gazetave afër tregut, bisedonte me vajzat që punonin në atë kioskë dhe pinte duhan. Pinte shumë cigare. Shoqe të ngushta kishte Liliana Çavollin dhe Shpresa Gashin, po ashtu këngëtare, por shihej në shoqëri edhe me Fahri Beqirin, Sabri Fejzullahun, Ilir Shaqirin e të tjerë, miq dhe bashkëpuntorë të saj. Edhe një njeri më vjen në mend kur flas për Nexhmije Pagarushën: violina e parë e Orkestrës së Radio-Prishtinës, Isak Muçolli, i cili nuk rron më. Më kujtohet festivali i njohur “Akordet e Kosovës”, ku Nexhmija merrte pjesë thuajse rregullisht. Në njërin nga edicionet e këtij festivali është bërë ajo fotografia e saj emblematike: me veshje kombëtare, me këmishë mëndafshi dhe rruza në ballë. Nuk më hiqet mendsh edhe një imazh, fiksuar në kujtesë nga ajo kohë. Kur Nexhmija e mbaronte këngën e saj, Isaku, që ishte një burrë i gjatë dhe i pashëm, më i ri se Nexhmija në moshë, e puthte në të dy faqet. Kjo ishte, natyrisht, një puthje miqësore, por ne studentët bëheshim “xhelozë”, sepse Nexhmija ishte, veç të tjerash, edhe një grua e bukur.

Kur unë isha nxënës në gjimnaz, në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, Kosova kishte vetëm dy këngëtarë: Ismet Pejën dhe Nexhmije Pagarushën. Ismeti ishte gjakovar (rron ende, ndonëse në moshë të shtyrë) dhe këndonte këngë të vjetra qytetare (gjakovare), kurse Nexhmija interpretonte këngë popullore të tipit “Unë ty, moj, të kam dashtë”, si dhe këngë të kompozuara nga kompozitorët tanë, ndër të cilat më e shquara është “Baresha”. Edhe kënga e njohur popullore “Çou, Rexho” ishte pjesë e repertorit të saj.

Nexhmije Pagarusha ishte një fenomen. Në ç’kuptim? Një, ishte bijë fshati, e lindur në Pagarushë të Malishevës, aty ku edhe u varros sipas amanetit të saj. Nëna i vdiq kur ishte dy vjeç, duke e lënë jetime, kështu që për të u kujdes babai, Veseli, si dhe njerka e saj, për të cilën kishte fjalë të mira. Erdhi në Prishtinë si vajzë e re, shtatëmbëdhjetë vjeçare. Takoi një shoqen e saj, e cila e ftoi të shkonin bashkë në studion e Radio-Prishtinës. Në fillim refuzoi, por pastaj pranoi dhe kështu filloi të këndonte. Ishte viti 1948. U bë këngëtare në një kohë kur ky profesion në Kosovë dhe, madje, në tërë hapësirën shqiptare, shihej me paragjykime. Në kohën kur doli në skenë Nexhmije Pagarusha Kosova ishte patriarkale, e prapambetur, analfabete… Të këndoje këngë në koncerte e radio, sidomos duke qenë vajzë a grua, ishte njëlloj herezie. Nexhmija e sfidoi injorancën shekullore, kështu që, edhe në këtë plan, luajti një rol emancipues.

Simotra e saj, Vaçe Zela, e kishte më lehtë se Nexhmija: ajo vinte nga Lushnja në Tiranë, ku kishte jo vetëm Ansambël Kombëtar të Këngëve dhe Valleve, por edhe Orkestër Simfonike dhe Teatër të Operas dhe Baletit, me një fjalë një traditë pakrahasueshëm më të gjatë e më të pasur  në fushën e muzikës, sikundër edhe në fushat e tjera të artit. Nexhmije Pagarusha u bë vedetë në një vend analfabet! (Që të dyja, edhe Vaçja, edhe Nexhmija, kishin një pararendëse të madhe, të paharrueshmen Tefta Tashko).

E dyta, ajo nuk kreu akademi muzikore. Shkoi në Beograd, ku qëndroi dy-tre vjet, por i la studimet në gjysmë. Nuk i kreu. Edhe nga ky aspekt ajo është një fenomen. Dhe, e treta, kryesorja, ajo kishte një diapazon zëri që rrallë herë shfaqet te ndonjë interpret i muzikës popullore e, madje, edhe operistike. Jo rastësisht e kanë krahasuar me këngëtaren peruane me famë botërore, Ima Sumak (Yma Sumac, 1923-2008), e cila kishte një diapazon zëri prej 4 oktavash (në rini 5 a 6), gati sa kapaciteti i pianos si instrument. (Dhe, shih ç’koincidencë: që të dyja vdiqën në moshën 86 vjeçare!).

Bashkëshorti i Nexhmije Pagarushës, Rexho Mulliqi, me të cilin ajo ka një djalë (Leonardin), ishte bohem. E shihje në orën 12 të natës nëpër kafenetë e Prishtinës, veçanërisht në hotelin “Bozhur”, më të njohurin dhe më të frekuentuarin në atë kohë. Rexhoja ishte nga viset shqiptare në Mal të Zi, zona Plavë-Gusi, nga vinin edhe shumë krijues e intelektualë të tjerë shqiptarë, ndër ta edhe poeti i shquar Esad Mekuli, bardi i poezisë shqipe të Kosovës.

Rexho Mulliqi, njeri që në rininë e tij e kishte provuar burgun (ferrin e Goli Otokut), ishte një kompozitor i talentuar, që shfrytëzoi me sukses elementet e folklorit shqiptar në meloditë e tij. Ai është autor i kryekëngës së Nexhmijes, “Bareshës”. Të gjithë e dinë kush e kompozoi këtë këngë jashtëserike dhe kush e interpretoi atë në mënyrë të papërsëritshme, por të paktë janë ata që e dinë kush është autor i tekstit të saj. “E dini ju kush e shkroi tekstin e “Bareshës”? – iu drejtova publikut. Jo. Maestro Zhani ndoshta po. Dhe s’keni faj, sepse nuk u përmend as në nderimet e shumta që u bënë për Nexhmijen me rastin e vdekjes. Autor i tekstit të “Bareshës” është shkrimtari i njohur për fëmijë, shumë i frytshëm, një Odhise Grillo kosovar, Rifat Kukaj. Rifati ishte nga Drenica, nga një fshat i saj dhe kishte njohur shumë baresha, vajza të harlisura me një bukuri të egër, në fshatin e tij të lindjes dhe në fshatrat e tjera të Drenicës kryengritëse.

Rifati punonte në Radio Prishtinë si redaktor i emisioneve për fëmijë, kështu që ishte për çdo ditë në kontakt me këngëtarë, kompozitorë e instrumentistë. Dhe ishte njeri me shije. Kishte sharm dhe humor.

Ne shqiptarët, si të gjithë ballkanasit, jemi popull barinjsh e bareshash (“Bagëti e bujqësia” është një nga kryeveprat e letërsisë sonë), por baresha e Nexhmijes, sado paradoksale që mund të duket kjo gjë, është një bareshë aristokrate! Fshatare dhe aristokrate njëkohësisht. Çuditërisht!

Nexhmijen ne, në Kosovë, e patëm harruar në vitet ’90. Ishte koha e deinstitucionalizimit të Kosovës (Radiotelevizioni i Prishtinës ishte nën masa të dhunshme dhe në shërbim të regjimit serb), por edhe e krijimit të miteve të reja, partiako-politike, kështu që vlerat shpirtërore qenë margjinalizuar si rrallë ndonjëherë tjetër.

E ringjalli Ardit Gjebrea me koncertin që ia organizoi në Tiranë, në Pallatin e Kongreseve. Një koncert madhështor, të cilin e moderoi vetë, ashtu si di ai, si askush tjetër, me sens të hollë e kulturë. Bëri ç’bëri Ardit Gjebrea, edhe vetë këngëtar dhe e realizoi një duet me Nexhmijen: këngën “Kur një ditë do të kthehesh ti”. Se si ia doli teknikisht, një zot e di, sepse Nexhmija në atë kohë nuk këndonte më. Por ata dolën bashkë në skenë dhe e interpretuan këtë këngë. Kjo s’është këngë origjinale, por e përkthyer. Ishte këngë e këngëtares së njohur kroate, një divë e vërtetë e muzikës së lehtë, Tereza Kesovija, e përkthyer në shqip. Hyni në Youtube dhe mund t’i dëgjoni të dy variantet paralelisht: të Terezës dhe të Nexhmijes. Secili më i bukur se tjetri.

Do të ishte e padrejtë dhe e pandershme të mos e përmendim këtë fakt. Edhe pse kanë kaluar kaq vjet, më kujtohet mirë se Arditi i bëri Nexhmijes edhe një surprizë: ia solli nga Zvicra, pa e ditur ajo, mbesën e saj të verbër, Fletën, që ishte pikë e dobët e saj. “Edhe këtë e bëre?!”- u shpreh Nexhmija me atë rast duke iu drejtuar Arditit.

Në Kosovë kritikohej në media Ardit Gjebrea. Për shkak të një festivali që organizoi bashkë me Vera Grabockën në Prishtinë. Një publicist i njohur, që s’po ia përmendi emrin, shkonte deri aty sa i quante ”Bonnie & Clyde”! E pata takuar ato ditë Nexhmijen te restoranti “Symphony” në Prishtinë, pronë e një anëtari të orkestrës së dikurshme të Radio Prishtinës. Duke u nisur sigurisht nga shkrimet me mia publicistike me shpirt polemik, më tha: “Ti duhet ta marrësh në mbrojtje Arditin!”. Dhe kishte të drejtë. (Po ia plotësoj këtë dëshirë, ndonëse me shumë vonesë). Nga ai festival doli një nga zërat më të bukur të Kosovës: këngëtarja Yllka Kuçi. Ky ishte një zbulim! Dhe nëse një festival nxjerr qoftë edhe një këngëtar a këngëtare të re e të talentuar, e ka arsyetuar veten dhe mjetet e harxhuara për të.

Vizitën në Shqipëri në vitin 1970 a 1971, Nexhmija e përjetoi si një emnesë. Publiku e priti mirë. U njoh me kolegët e saj artistë e këngëtarë. Në intervista u shpreh në superlativ.

Ne në Kosovë nuk ia bëmë Vaçe Zelës as një të qindtën e nderimeve që ia bëri Ardi Gjebrea Nexhmije Pagarushës në Tiranë. Vaçja pati ardhur vetëm një herë në Kosovë, në vitin 1980 dhe kurrë më për të gjallë të saj. Në vitin 2005 isha i ftuar në një manifestim letrar në Zvicër. Shfrytëzova rastin t’i bëja një vizitë Vaçes në Bazel, ku i kaloi vitet e fundit të jetës. Bashkëshorti i saj, Pjetër Rodiqi, një burrë zotëri, shkodran me origjinë nga Janjeva, më tha se Vaçja kishte dëshirë ta vizitonte Kosovën. Me t’u kthyer nga Zvicra në Prishtinë shkova në Ministrinë e Kulturës, Rinisë, Sportit dhe Çështjeve Jorezidente, si quhej atëherë Ministria e Kulturës dhe fola me njerëzit kompetentë. Ua shpreha dëshirën e Vaçes për vizitën në Kosovë, ku nuk kishte qenë plot një çerek shekulli dhe ua dhashë kartëvizitën e bashkëshortit të saj. Prita një muaj, dy, tre, katër, pesë, gjashtë, një vit, një vit e gjysmë, por xhahilët e MKRSÇJ-së, në krye të së cilës ishte një analfabet (funksional), nuk u bënë të gjallë. Pas gati dy vitesh, u ula dhe bëra një shkrim me titull “Një ftesë për Vaçen”, të cilin e botova në shtypin e Prishtinës dhe të Tiranës. Përsëri asgjë. Dëshira e Vaçe Zelës për të ardhur edhe një herë në Kosovë mbeti e parealizuar. E aq shumë e donte Kosovën dhe kishte mall për të, sa, kur vdiq, në vitin 2014, la amanet që arkivolin e saj ta sillnin në aeroportin e Prishtinës para se ta dërgonin për varrim në Tiranë.

Figura e Nexhmije Pagarushës ka tërhequr edhe vëmendjen e krijuesve të tjerë, përveç atyre muzikorë. Poetët e Kosovës i kushtuan asaj jo pak vjersha, disa prej të cilave u ribotuan edhe me rastin e vdekjes së saj. Ndër më të bukurat është pa dyshim vjersha e poetit të shquar Din Mehmeti, e cila mbyllet me vargun: “Vdekja s’ka ç’i bën”.

Vdekja s’ka ç’u bën artistëve të mëdhenj. Ata i mbijetojnë kohët./ObserverKult