Edhe pse kaluan më shumë se dy muaj, Muzeu Historik Kombëtar ende i mbyllur

Muzeu Historik Kombëtar i Shqipërisë për më shumë se dy muaj qëndron mbyllur për shkak të dëmtimeve, që u shkaktuan gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës. Drejtori i Muzeut, Dorian Koçi, tregon se projekti është gati, ndërsa zbatimi nis pasi Ministria e Kulturës të mbyllë tenderin e xhamave.

Ministria e Kulturës në 11 dhjetor të vitit që lamë pas, firmosi Urdhërin për mbylljen e Muzeut Historik Kombëtar. Përpos pandemisë Covid 19, shkak ishin dhe dëmtimet që iu bën këtij institucioni gjatë protestave për vrasjen e Klodian Rashës.

Ndërsa, vetëm pas dy muajsh, Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale ka firmosur në datë 12 shkurt lejen për zëvendësimin e kompensatave me xhama.

“Që nga momenti që janë thyer xhamat, si pasojë e protestave, edhe ne ende se dimë se kush ishin autorët. Për shkak të rrezikshmërisë janë vendos kompesatat që janë edhe sot”, thotë Koçi.

Ndërhyrjet me vonesë në këtë ndërtesë, që është Monument Kulture i kategorisë së II-të, do të marrin fund vetëm kur Ministria e Kulturës të shpallë fituesit të tenderit të xhamave.

LEXO EDHE: DËME NGA PROTESTA, MBYLLEN PËRKOHËSISHT BIBLIOTEKA KOMBËTARE DHE MUZEU HISTORIK KOMBËTAR

“Është hartuar projekti edhe ka përfunduar. Ka marrë miratimin edhe se di unë si do eci procesi i tenderimit, se spo e bën MK, por Ministria e Kulturës. Unë s’kam asnjë dijeni se si do jenë operatorët ekonomikë që do hynë në tenderim apo se kush do jetë fituesi”, thotë Koçi.

Muzeu Historik Kombëtar gjatë kësaj periudhe zhvillon aktivitete në sallën “Unesco”, si dhe në sallën e ekspozitave./shqiptarja.com