Në të vërtetë, Margaretha Zelle nuk kishte dhënë kurrë ndonjë informacion të vlefshëm, as për gjermanët, po as për francezët. Më 15 tetor 1917, censurë në gazetat franceze: askush nuk duhet ta dijë se Mata Hari, kërcimtarja e famshme me sensualitet oriental, u ekzekutua për spiunazh në favor të Gjermanisë. Seksi dhe fuqia, maskimi i aspekteve të shumta të jetës së saj e çoi holandezen bukuroshe me pamje indiane drejt famës, më pas para togës së pushkatimit, mes manovrave të shërbimit sekret gjatë Luftës së Parë Botërore.
Në të gdhirë të 15 tetorit 1917, togeri Mornet u paraqit në burgun Sën-Lazar të merrte Mata Harin e ta shoqëronte në vendin e ekzekutimit. Në qelinë e saj, ajo e përshëndeti, duke protestuar: “Ç’e kanë këtë zakon francezët, t’i ekzekutojnë njerëzit në agim!” Presidenti i Republikës, Poincaré, nuk e kishte pranuar kërkesën e saj për falje, ndaj i duhej të shkonte! Për shfaqjen e saj të fundit, ajo vendosi të bëhej më e bukur se çdo herë tjetër. Veshi një fustan mëndafshi të zbukuruar me gëzof dhe në kokë vendosi një kapelë kashte të vogël bardhezi. Nuk do të dilte kurrsesi e pakuruar. Në hendeqet e kështjellës Vincen, spiunia e hirshme nuk shfaqi asnjë lloj frike. Në vendin e ekzekutimit e prisnin 12 ushtarë të zgjedhur nga regjimenti i Zhuaves. Refuzoi me mirësjellje, lidhjen e duarve dhe mbulimin e syve. Me buzëqeshjen në buzë, u dërgoi nga një puthje 12 ushtarëve që qëndronin 10 metra para saj, në pritje të urdhrit për të qëlluar. Kur Mata Hari ra përtokë, një oficer u afrua dhe i dha goditjen e fundit pas veshit, ishte goditja tradicionale “coup de grace”.
Mata Hari posedonte një personalitet të jashtëzakonshëm. Me emrin e vërtetë Margaretha Zelle, lindur në 1876, në veri të Hollandës, që fëmijë u dallua nga shprehia, karakteri i pafytyrë dhe dhuntia për gjuhët e huaja. Kuptoi që në moshë të re, se mënyra më e mirë për të marrë atë që dëshironte ishte të kënaqte meshkujt, nisur nga i ati, i cili e llastonte dhe e mbushte me dhurata të shtrenjta. Ishte një “fëmijë orkide”, e quante një shoqe klase, një vajzë e vogël e brishtë, zeshkane, e cila dallonte nga vajzat e tjera të shkollës lëkurëzbehta, flokëverdha. Lumturia e fëmijërisë përfundoi me largimin e të atit me një grua tjetër në 1889, pasuar nga vdekja e nënës në 1891.
“Doja të jetoja si një flutur në diell”, – do shprehej ajo në një intervistë. U fejua gjashtë ditë pasi u njoh me të shoqin dhe u martua në korrik 1895. Jeta bashkëshortore u pasua me zhgënjime, probleme, borxhe. Në 1902 martesa përfundon në divorc, shënuar nga vështirësitë e përjetuara në Indi, holandezja e re fillon një transformim sa të thellë, aq edhe radikal, duke u shndërruar në një femër fatale. Në 1905, një kërcimtare ekzotike, e quajtur Mata Hari – “syri i ditës” në gjuhën malajziane, shpërtheu në jetën e shoqërisë pariziane, duke performuar në muzeun “Guimet”, Muzeu Kombëtar i Arteve Aziatike. Në një kohë kur çdo burrë i pasur dhe i fuqishëm dëshironte të kishte një dashnore të bukur, Mata Hari konsiderohej gruaja më tërheqëse, joshëse dhe e dëshiruar në Paris. Ajo frekuentonte aristokratë, diplomatë, financues, ushtarakë të rangjeve të larta dhe sipërmarrës të pasur, të cilët i dhuronin gëzofe, bizhuteri, kuaj, enë argjendi, orendi dhe pallate elegante për kënaqësi e thjeshtë për të qenë në shoqërinë e saj. Për vite me radhë, ajo mbushi teatrot e kryeqyteteve kryesore evropiane. Në vjeshtën e vitit 1915, ndërsa ishte në La Haye, kërcimtaren ekzotike e vizitoi Karl Kroemer, Konsull Nderi i Gjermanisë në Amsterdam, i cili i ofroi 20 000 franga, ekuivalenti i më shumë se 50 000 euro sot, që ajo të spiunonte në favor të Gjermanisë. E pranoi shumën, të cilën e konsideroi si dëmshpërblim për gëzofet, bizhuteritë dhe paratë që gjermanët i kishin konfiskuar në fillimet e luftës, por më vonë pohoi se kurrë nuk bëri atë që i ishte kërkuar.
Kur filloi lufta, në 1914, shkoi në Francë. Agjentët e kundërzbulimit francez e vëzhgonin nga afër kërcimtaren, kur ajo shkonte për darka, në suitën e hotelit me zyrtarë të lartë të ministrisë së Jashtme. Kur agjentët e kundërzbulimit francez ishin gati të mbyllnin dosjen për Mata Harin, një oficer i lartë francez, mik i ngushtë i Mata Harit, rregulloi që të merrte një lejekalimi speciale për të shkuar afër fshatit Vitel, afër vijës së frontit.[…] Kohë më vonë do të zbuloheshin elemente kuriozë në mesazhet e radiove të përgjuara në Kullën Eifel. Numrat e dosjeve franceze tregojnë, se Ladoux vuri në dispozicion të prokurorisë mesazhet që e përcaktonin Mata Harin si spiune në prill të vitit 1916 dhe jo në dhjetor dhe janar, siç pretendonte Ladoux se ishin dërguar. Me sa duket, Ladoux ishte personi i vetëm që i kishte parë mesazhet origjinale para se të deshifroheshin dhe përktheheshin. Po ashtu, mësojmë se këto mesazhe ishin zhdukur nga arkivat. Përpos gjithçkaje, përmbajtja e tyre do të përdorej dhe do të kishte pasoja të tmerrshme për kërcimtaren. Edhe Ladoux u akuzua për spiunazh dhe u arrestua, por arrestimi i tij nuk do ta shpëtonte gruan e re. Mëngjesin e 13 shkurtit 1917, Mata Hari u arrestua dhe u çua në burgun fortesë të Sën Denis. E shpallur fajtore për të gjitha krimet për të cilat akuzohej, Mata Hari dënohet me vdekje me pushkatim. Paraqitja e fundit e Mata Harit ishte e përkryer, mbase përfaqësimi më i bukur i jetës së saj. Hijeshia dhe qëndrimi e bënë rreshterin që komandonte togën e pushkatimit të thoshte: “O Zot! Kjo grua di si të vdesë!”.
Për 100 vitet e fundit, Mata Hari është nderuar si femra fatale, si kërcimtarja joshëse dhe ekzotike që spiunonte gjermanët gjatë Luftës së Parë Botërore dhe shkaktoi vdekjen e mijëra ushtarëve të aleatëve. Ajo pushtoi imagjinatën e njerëzve në mbarë botën, shumë kohë pasi u ndesh me fatin e saj. Ata donin që ajo të ishte manipuluese, agjente e dyfishtë, gllabëruese e burrave, mbi të gjitha e pamoralshme. Në kapërcyellin midis dy botëve, fundi i shekullit XIX në frenezinë e Belle Epoque dhe shekullin tragjik XX, Mata Hari qe mbi të gjitha pre e ngathët dhe e pavetëdijshme e rrethanave, viktima indirekte e tërbimit të njerëzve në një luftë mishngrënëse, që kërkonte viktimat e spiunazhit. Mbrëmja e fundit në histori, miti i mbijeton legjendave, thashethemeve dhe dezinformatave. Në moshën 41-vjeçare, gruaja e braktisur nga të gjithë, e cila, ra nën plumbat francezë më 15 tetor 1917, ruan pamjen e saj dhe këtë fuqi të çuditshme magjepsjeje, që e bën atë, një karakter mitik në imagjinatën e gjithsecilit./Konica.al