Për diplomën si letër tualeti

Nga Egzon M. KRYEZIU

E vesha atë mëngjes të vetmen xhaketë që kisha, mandej hodha pak parfum mbi këmishë. Këmishës ia hekurosa veç jakat. Pantallonat kisha nji javë që i kisha ba gati. Këpucët i lustrova mirë e mirë. Në xhepin e majtë të xhaketës e vuna nji trandafilth ngjyrë blu. Ishte dita jeme. Po diplomoja!

     Tek po ndreqja mustaqet, ia ngula thellë sytë vetes në pasqyrë. Në ballë kisha tri rrudha, sytë m’ishin të groposun, mollëzat të dala. Kur kreha flokët kah e djathta, vërejta ca fije të thinjuna, por bana sikur s’ishin fort me randësi.

     Shtatë nga tetë njerëzit që i pata ftue në ceremoni, e anuluen ardhjen po atë mëngjes. Të tetin e njoftova vetë të mos vinte. Ç’randësi kish ardhja e tyne tekefundit? Të gjithë ishin idiotë të llojit të vet.

     Kur u ngjita shkallëve të skenës së diplomimit, askush s’më duertrokiti. S’bana as edhe nji fotografi për me e ruejtë në albume rrjetesh sociale dhe pos tri duershtërngimeve zyrtare në skenë, ndjesi tjetër dashamirësie s’më ofroi kush atë mesditë.

     Veç kumbonat e Katedrales së naltmadhnueme u munduen me i dhanë jehonë diplomimit tem. Ashtu i hutuem, i gëzuem deri n’ekstazë, çova kryet nalt për me e falënderue pos Zotin e filozofët që më banë mendjekthjellët. Mbase ishte edhe halucinacion çasti, por kur ula kryet, m’uruen e më duertrokitën Nietzsche, Spinoza, Sartre. Weber-i më buzëqeshte. Prap, e di që asht çmenduni, por çmenduninë e kam vulosë që në muhabetin e parë me Freud-in.

     Edhe unë jam Idiot i llojit tem.

*

Shkova në Silent Moon – nji vend në qoshen poshtë radio-stacionit që shërben raki të lirë. Doja me u dehë. Ashtu edhe bana. Në fakt, mbas asaj dite ndodh të dehem tepër shpesh. Aty kam mundësi me pi veresije, me u çmendë, me pi cigare pa firmë, me qa pa arsye, me qeshë pa shkas, me i ulë nëpër stole miqtë e mi imagjinarë e me u kënaqë tue ndërrue muhabet me ta. Aty asht Vrima e Zezë ku e humb konceptin hapësinë, e kohën e mbys si filozof i diplomuem e i papunë.

     Këtyne muejve të fundit aplikova me punue si: pastrues, marangoz, enëlamës, mekanik, suvatues, punëtor krahu, punëtor seksi, librashitës, hajn e shitës droge, por qe e kotë. Për asnjanin profesion nuk isha i denjë në sytë e shefave që më intervistuen.

     Kam konkurrue… Kam konkurrue si mësues në nji shkollë, ani pse në vend temin u punësue nji tjetër, që kish mbarue për kimi. Unë s’bana za. Heshta. Kam konkurrue edhe në njanën prej ministrive si staf ndihmës. Aty u refuzova veç pse kisha konkurrue. Prap veç heshta.

     Xhaketën e vjetrueme ngjyrë gri e veshja sa herë më thirrnin nëpër intervista. Mbasi refuzohesha, kthehesha në Silent Moon me u ba tapë. Xhaketën e harroja gjithnji, mandej e merrja kur afrohej intervista e radhës… dhe në mbramjen mbas intervistës prap e harroja.

     Andrrimet e mia të dikurshme, të ndërtueme gjithë delikatesë, për me e marrë nuse nji çikë që e pata njohtë në gjimnaz, me e gjetë nji punë sa me ba jetë modeste, me shkue fundjavave në Rugovë, tashma janë shuejtë, për të mos thanë se jam shuejtë edhe unë si rob.

     Gjithnji e kam ushqye në mendje idenë se asht dikund veç edhe nji shkëndijë e fundit që pret me m’u ndezë. Prandaj kam refuzue me u kthye në provincën e harrueme. Atje, në kasollen tonë, nji filozof si puna jeme s’asht pos nji mjeran që himnin e vdekjes intelektuale e ka shkruejtë e kompozue vetë, e luksin e partiturës së zgjatun nuk e ka. Prandaj frikohem.

     Urrej faktin që refuzoj me e ba lutjen e familjes pranë tryezës, por njikohësisht e urrej lutjen vetë. Lutja për ekzistencën tonë asht mohim i ekzistencës së tjetrit. Kjo sepse babën e kam zdrukthtar arkivolesh; vëllain vorrmihës. Nji vdekje ma shumë do me thanë Bukë për ne. Sa asht pra i drejtë refuzimi jem për lutjen? Nëse Perëndia njimend pranon lutje, a do me thanë se porositësit e zisë ishim ne, që luteshim për bukën tonë të përditshme?

     Ndaj edhe kam refuzue, ndaj edhe refuzoj. Ma lehtë e përpij të rrnuemit unshëm në qytetin e matrapazëve me kollare, tue e pritë shkëndijën me m’u ndezë, sesa bukën që vjen nga zija e njerëzisë.

     Kam me pritë sepse, filozofët presin, thoshte Nietzsche, por jo përgjithnji.

*Në Silent Moon sot nisa punën si kamarier me gjysmë orari për ta kompensue borxhin e rakisë së papagueme. Këtu tash kanë nisë të vijnë njerëz me kollare, të veshun si parisienë, me orë të shtrenjta. Shumicën i njoh, janë pikërisht ata që i rastisja korridoreve kur prisnim për intervistime, ata që shëtisnin lirshëm e pa ankth, sepse nuk konkurronin fare, por ama e dinin se posti ishte i tyni.

     Unë mbase edhe baj jetë bohemi; shpeshherë mbetem pa pare për shujtën e radhës dhe hiç pa pendesë nis me e sha ditën kur vesha xhaketën e vjetrueme, këmishën e bardhë e trandafilthin blu. Nis me i sha ata që më shpallën të diplomuem e ma hapën rrugën me ngelë i papunë, i padenjë, i pashpresë.

     Sonte nuk u deha. Me gjasë nuk do të pij ma.

     Nesër prap kam me e veshë xhaketën e vjetrueme e kam me e kërkue me çdo kusht vendin tem në shoqni. Mbase kam me konkurrue prap. Nuk kam me heshtë kur dikush ta zejë vendin tem e as tandin. Kam me lypë me iu çelë sytë atyne që lypin njerëz servilë mbrapa vetes. Dhe, po ma mbajti, në sy kam me u thanë: «Kur ta veni kollaren çdo mëngjes, dijeni se nuk po e shtrëngoni grykën tuej, por shpresën e mija njerëzve si unë».

*Tregimi “Për diplomën si letër tualeti”, është shkëputur nga vëllimi “FRYMA” – tregime bashkëkohore në gegnisht, Botimet Princ, 2019

ObserverKult

—–

ObserverKult