1. (Erë e malit djepin përkundte)
Në mjegullinën e lartësive
kreshtat e Pagarushës ndjenin
se
në prehër një lindje mbanin
Erë e malit djepin përkundte
pranë vatrës foshnja
ninulla vetes i këndonte
e
në prag të njohjes
mësuesi me shkronja në zemër
e peshë mbi supe
ç’është dashuria mësonte
Historinë e Pagarushës
bilbilat e nisën,
këmbëzbathur shpatijeve
Me rritën e gërshetave
zambakët e Prizrenit u gërshetuan
e kalaja jehonën
e zuri në gji
2. (Trete në ne)
Këngë
trete në ne
nga ne vrujon jehonë:
aromë dheu kosovar
ah flladitës në fushën
mbarsur mall
gurgullimë burimi që miklon thellësitë
dhe çon peshë shekujt
Ngjitesh Bjeshkëve të Nemuna
me plakun që ruan kohët e kulçedrave
Zbret në mriz me nënën
që në pështjellak fsheh ditët e urisë
Ti je ajo “Ani mori nuse” që
në heshtje i pëshpërit dashurisë
dhe zgjon mallëngjimin në skajet e botës
3. (Në gjah të bukurisë e dhimbjes)
Pallatet grishnin
zgjodhe Olimp
kasollet tona
Në kohë
zure frymë shqiponje
në lartësi e shpure
Bareshë apo Hyjneshë
të të them
o bijë e hynjeshës Thanë?
Endesh përherë Zanë
fushave të mbarsura
e zemrave bjeshkëndritura
në gjah të bukurisë e dhimbjes
(SYRI I NATËS, Rilindja, Prishtinë, 1986)