Edison Ypi: Filmi shqiptar ishte m*** propagandistik…

Edison Ypi

Nga Edison Ypi


Në vendin ku i vetmi kamjon ishte ZIS-i i ndërmarrjes, e vetmja veturë ishte GAZ-i i Degës, i vetmi vend gatimi ishte haleja, e vetmja këpucë që nuk fuste ujë ishte çizmja e ushtarit, e vetmja dashuri ishte imagjinata, e vetmja dashnore ishte dora, e vetmja dëshirë ishte të merrje arratinë; çfarë thoshin se prodhonin, ishin të gjitha rrena.

Shqipëria diktatoriale prodhoi vetëm 1 send. Atë më të urryerin, më brutalin, më të turpshmin. Atë që i thuri lavde skllavërimit, bindjes së verbër, servilizmit, spiunllëkut dhe të gjitha veseve të tjera; makabritetin estetik më kriminal që ka parë bota, fëlliqësirën e quajtur film shqiptar.

Filmi shqiptar ishte muti propagandistik të cilin shqiptarët pasi e hëngrën ikën ta vjellin nëpër botë.

Kazan plehrash plot me coftina, daulle të çara, çifteli pa tela, çizme të grisura, stomaqe bosh, sy të nxjerrë, veshë të zënë, tru të tharë, kancere, ekzema, kocka të deformuara, gjarpërinj të ngordhur, lepuj të zgjebosur, kufoma të kalbura, i tillë ishte filmi shqiptar.

Filma të mirë pa aktorë të mëdhenj, ka. Aktorë të mëdhenj pa filma të mirë nuk ka kurrkund veçse në filmat shqiptarë. Filmi shqiptar është e vetmja këllirë kinematografike e historisë së botës i bërë nga regjizorë “gjenialë” dhe aktorë “korifej”.

Filmi shqiptar ishte një shiringë nga ato të ndërzimit artificial të bagëtive që disa shqiptarë bastardë ua ngulën në kokë shqiptarëve normalë me dhjetra vite derisa ja thithën trurin dhe në vend të trurit i futën zhavorrin.

Filmi shqiptar ishte çmendina ku shqiptarët lëpinë budallallëkun e njëri-tjetrit si macet dhe qentë gjakun në oborrin e thertores.

Një sqepar i përgjakur i quajtur “regjizor i madh”, një brisk berberi i ndryshkur i cilësuar “aktor gjenial”, një trupjerdhur që mbahej për “skenarist i talentuar” – ky qe piruni me tre dhëmbë që u nxorri sytë dhe çorri fytyrën shqiptarëve.

Filmi shqiptar është ajo dukuri katastrofike gjoja edukative që i ndan shqiptarët; Në njerëz që dinë ose nuk dinë ta bëjnë dallimin mes propagandës dhe Artit, janë apo nuk janë të aftë të konstatojnë se Arti nuk është “realitet” por “fiction”, diçka që nuk kuptohet e as interpretohet, thjesht ndjehet.

Filmi shqiptar është një helm që po ta pish, edhe pesë lekë po të kesh në xhep, të lind dëshira t’ja falësh një jevge me shpresën e çmendur se jevga do t’i shumfishojë.

Filmi shqiptar është një koktejl trullosës të cilin pasi e pi, çorroditesh aq tepër sa shkon shqyen derën e një depoje armësh ku armatosesh deri në dhëmbë pa e ditur se çfarë lufte do bësh e me kë do luftosh.

Filmi shqiptar është një kakofoni me tekst pa tekst që ka lënë në mendjet e shqiptarëve batutat më të shpëlara, më të neveritshme.
Në do të sëmuresh me një diagnozë që s’ka çmendinë që ta shëron, shih një film shqiptar.

Filmi shqiptar është një varr që e paraqesin si djep.
Filmi shqiptar është një arkivol që e tregojnë si njeri të gjallë.

Filmi shqiptar është instruktori më i mirë për të mësuar si ta kalosh jetën në kafene.
Filmi shqiptar është këshilltari më i mrekullueshëm për të bindur të mos zësh kurrë libër me dorë.

Filmi shqiptar është mjeti më efikas për t’i shumëfishuar budallenjtë.
Për të qënë të sigurtë në suksesin imagjinar të filmit shqiptar, po thonë edhe broçkullën e broçkullave, se filmin shqiptar e pëlqen populli Kinez.
Dy lloj shqiptarësh janë apologjetët e fantazmës së përgjakur të quajtur film shqiptar.

Të parët janë ata që me Artin, stilin, frymëzimin, talentin, energjinë kreative, nuk i lidh asgjë, dhe s’kanë asnjë haber kush janë e çfarë kanë bërë, për shembull, Pedro Almodovar, Woody Allen, Roman Polanski, Luis Bunuel. Ngaqë s’mund të fajsohet askush për atë që s’ndjen, këta s’mbajnë asnjë përgjegjësi.

Të dytët janë autorët, aktorët, regjizorët, që ndoshta e dinë kush është Orson Welles, Stanley Kubrick, Akira Kurosawa, por nuk duan tu ikin për dhjamë qeni dhjetra vitet krrusur mbi govatën e ndryshkur “Shqipëria e Re” brenda së cilës provuan të lajnë lëveret e përgjakura të shqiptarëve përmes monstruoziteteve propagandistike huazuar nga stepat dhe gulagët.

Zoti i ruajt nga skëterra e këtejme dhe e përtejme edhe të parët edhe të dytët. Filmi shqiptar nuk është asgjë tjetër përpos një vampir propagandistik që mund të shihet pa pasoja psiqike vetëm ulur në rradhën zero, karrikja infinit.

ObserverKult

miqve edison ypi rrejn sigurimi

Lexo edhe:

EDISON YPI: JENI PO ATA QË NA SPIUNONIT KUR DONIM TË ARRATISESHIM

EDISON YPI: S’KA GJË MË TË KEQE DHE MË TË DËMSHME SE LIBRI I KEQ